Postuar më: 22 Shkurt 2018

Bushati takon Klimkin: Shqipëria konfirmon marrëdhënien e mirë dhe miqësore me Ukrainën

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Kiev, Ukrainë, ku u takua me Ministrin e Jashtëm të Ukrainës, Pavlo Klimkin, dhe u prit në takime nga Zv/Kryeministri i Parë dhe Ministri i Zhvillimit Ekonomik i Ukrainës, Stepan Kubiv dhe Kryetari i Parlamentit të Ukrainës (Verkhovna Rada), Andriy Parubiy.

Në takimin me homologun Klimkin, u shpreh mirënjohja e thellë për mbështetjen që ka dhënë Shqipëria për integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës, si në aspektin bilateral, ashtu edhe në kuadër të organizatave ndërkombëtare. Gjithashtu, Ministri Klimkin falënderoi Ministrin Bushati për linjëzimin e vendit tonë me qëndrimet dhe deklaratat e BE-së për Ukrainën.

Nga ana e tij, Ministri Bushati rikonfirmoi qëndrimin e Shqipërisë në mbështetje të integritetit territorial, sovranitetit dhe pavarësisë së Ukrainës. Më tej, dy ministrat diskutuan mbi bashkëpunimin dypalësh dhe ndanë mendime për intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore në fusha ku të dy vendet ofrojnë potencial për shkëmbime si bujqësia, turizmi, transporti, energjia, arsimi, kultura, etj.

Ministri Bushati veçoi si një element të rëndësishëm dhe urë miqësie mes dy vendeve diasporën shqiptare që jeton në Ukrainë, si dhe vlerësoi autoritetet ukrainase për trajtimin e diasporës në përputhje me ligjin ndërkombëtar. Ai shprehu gatishmërinë për të vijuar bashkëpunimin për realizimin e projekteve të përbashkëta për ruajtjen e identitetit kulturor të këtij komuniteti të vogël që bashkëjeton me popullin ukrainas prej afro 300 vjetësh.

Ministrat shkëmbyen mendime edhe në lidhje me situatën e sigurisë në rajonet respektive.

Në takimin me Zv/Kryeministrin e Parë dhe Ministrin e Zhvillimit Ekonomik të Ukrainës, Stepan Kubiv, u nda mendimi për potencialet që ofrojnë dy vendet për bashkëpunim, veçanërisht në fushën e bujqësisë, ku një rol të rëndësishëm do të luajë edhe zhvillimi i Sesionit të Parë të Komisionit të Përbashkët për Bashkëpunimin Ekonomik, si dhe negocimi i marrëveshjes së tregtisë të lirë midis dy vendeve.

Kryetari i Parlamentit të Ukrainës, Andriy Parubiy, në takimin me Ministrin Bushati, ripërsëriti falënderimet në emër të parlamentit ukrainas për mbështetjen dhe kontributin e Shqipërisë për integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës. Me tej, ai shprehu gatishmërinë e plotë për intensifikimin e marrëdhënieve ndërparlamentare mes dy vendeve.

Gjatë vizitës, Ministri Bushati vendosi një buqetë me lule në Përmendoren e “Heronjve Qiellorë” kushtuar qytetarëve që humbën jetën në Euromaidan.