Postuar më: 21 Shkurt 2018

Bushati takon Rikevics: Letonia mbështet hapjen e negociatave për Shqipërinë

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Ditmir Bushati, në kuadër të një turi rajonal në vendet Baltike, zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Letoni.

Gjatë takimit, u vlerësuan marrëdhëniet shume të mira që ekzistojnë mes dy vendeve në kuadrin dypalësh. Ministri Rinkevics shprehu mirënjohjen e thellë për kontributin e Shqipërisë në kuadër të NATO-së, në Batalionin Shumëkombësh në Ādaži, Letoni. Dy ministrat ndanë mendimin për rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare, bashkëpunimit në fushën e turizmit, kulturës, arsimit.

Ministrat i kushtuan vëmendje të veçantë procesit të integrimit evropian, parë edhe në kuadër edhe të zhvillimeve të brendshme të BE-së, impaktit transformues që ka kjo politikë në vendet e rajonit të Ballkanit, përfshirë sigurinë e tij. Ministri Bushati e njohu kolegun e tij me procesin e reformave në Shqipëri, procesin e vettingut dhe masat e ndërmarra nga qeveria shqiptare në plotësimin e 5 prioriteteve kryesore në procesin e integrimit, me fokus hapjen e negociatave për anëtarësim.

Ministrat vlerësuan Strategjinë e Zgjerimit të BP, përgatitur nga Komisioni Evropian, e cila përcakton dhe rëndësinë e intensifikimit të mëtejshëm të bashkëpunimit të vendeve  të Rajonit  me BE-në, me qëllim arritjen e objektivit të anëtarësimit në horizontin kohor të parashikuar në këtë strategji.

Ministri Rinkevics vlerësoi linjëzimin 100% të Shqipërisë me qëndrimet dhe deklaratat e BE-së dhe konfirmoi mbështetjen e plotë Letonisë për hapjen e negociatave për anëtarësim në vijim të rekomandimit të Komisionit si dhe gatishmërinë e palës letone për të ndihmuar Shqipërinë me ekspertizë në procesin e negociatave. Në këtë kuadër, dy ministrat nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi në fushën e integrimit.

Gjatë takimit, ministrat shkëmbyen mendime për sfidat e sigurisë  në Rajonet përkatëse, dhe nënvizuan forcimin e  bashkëpunimit  me NATO-n dhe BE-në në përballje me këto sfida.

Ministri Rinkevics vlerësoi rolin konstruktiv të Shqipërisë në këtë Rajon, si faktor i qëndrueshëm stabiliteti dhe bashkëpunimi rajonal.

Ministri Bushati, i shoqëruar nga Ministri Rienkevics morën pjesë në ceremoninë e vendosjes së kurorës te Monumenti i Lirisë.

Ministri Bushati zhvilloi gjithashtu takime me Kryetaren e Saeima-s letoneze, znj. Inara Murniece dhe me kryetaren e Komitetit për Punët e Jashtme, znj. Lolita Cigane, të cilat i njohu me progresin e vendit në procesin e integrimit dhe pritshmëritë për hapjen e negociatave gjatë këtij viti. Zonja Murniece dhe zonja Cigane shprehën mirënjohjen për kontributin e vendit tonë për sigurinë në kuadër të Batalionit Shumëkombësh të NATO dhe konfirmuan mbështetjen e Parlamentit të Letonisë për hapjen së negociatave. 

Gjatë qëndrimit në Letoni, Ministri Bushati zhvilloi një takim me kontingjentin shqiptar që shërbejnë në kuadër të Batalionit Shumëkombësh të NATO-, në Ādaži, Letoni.