Postuar më: 26 Korrik 2017

Bushati - Zaharieva: Bullgaria mbështet përshpejtimin e integrimit të Shqipërisë në BE

Shefat e diplomacive shqiptare dhe bullgare – Ditmir Bushati dhe Ekaterina Zaharieva – ranë dakord së bashku të zgjerojnë spektrin e bashkëpunimit në kuadër të një plani veprimi më të fokusuar përgjatë kryesisë bullgare te Këshillit të Bashkimit Europian. 

Dy ministrat u takuan  sot në mjediset e Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, në kuadër të vizitës që Zëvendëskryeministrja për Reformën në Drejtësi dhe Ministrja e Punëve të Jashtme të Republikës së Bullgarisë Ekaterina Zaharieva po zhvillon në Shqipëri.
 
Palët shprehën kënaqësinë për nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve shqiptaro-bullgare, lidhjet e ngushta të miqësisë dhe dialogun politik intensiv, i cili është tepër i rëndësishëm jo vetëm për marrëdhëniet midis dy vendeve tona por edhe për tërë rajonin. 
 
Dy ministrat veçuan interesin e përbashkët për zgjerimin dhe intensifikimin e bashkëpunimit në kuadër të projekteve zhvillimore si dhe nevojën për një koncept strategjik të ndërlidhjes energjetike dhe infrastrukturore mes Shqipërisë, Bullgarisë dhe Maqedonisë, në funksion të kohezionit ekonomik rajonal, në dritën edhe të arritjeve dhe të objektivave që u projektuan në Samitin e fundit të Triestes.
   
Duke e falënderuar homologen e tij për ndihmën e pakursyer të Bullgarisë ndaj procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, Ministri Bushati u shpreh se “Shpresojmë shumë që në 2018 të kemi një bashkëpunim edhe më të fokusuar, duke pasur parasysh se prioritetet e presidencës bullgare të BE-së janë të rëndësishme për procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor. Bullgaria është një vend i Ballkanit dhe fqinj në ditë mira dhe të vështira”.
 
Nga ana e saj Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Jashtme Zaharieva konfirmoi edhe një herë mbështetjen e Bullgarisë dhe vlerësoi reformat e ndërmarra nga Shqipëria deri më tani në funksion të rrugëtimit të saj europian. “Përshëndesim përpjekjet tuaja për zbatimin e reformës në sistemin e drejtësisë dhe luftën kundër krimit të organizuar, pasi jemi të bindur se këto janë të ndërlidhura mes tyre. Rezultatet në zgjedhjet e fundit treguan se qytetarët shqiptarë i mbështesin reformat që ka ndërmarrë qeveria shqiptare në këto fusha. Jam e bindur se deri në fund të vitit do bëni një përparim të suksesshëm në mënyrë që gjatë kryesisë bullgare t’ju mbështesim në marrjen e vendimit politik për hapjen e procesit të negociatave” – vuri në pah Ministrja e Jashtme Bullgare Zaharieva duke shtuar se “Jemi të hapur që jo vetëm gjatë kryesisë sonë por edhe përgjatë kryesive të tjera, t’ju ofrojmë mbështetje dhe ekspertizë. Midis vendeve tona nuk ka çështje të hapura. Historia nuk na ndan por më shumë na bashkon” – ka theksuar më tej ajo.
 
Gjatë takimit, Bushati dhe Zaharieva shkëmbyen mendime edhe për bashkëpunimin në kuadër të NATO-s dhe luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, si edhe në lidhje me zhvillimet në rajon.