Postuar më: 19 Mars 2018

Diplomacia Ekonomike, Bushati me Kryetarët e Dhomave të Tregtive në vend

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme zhvilloi takimin “Konsultime me Sipërmarrjen mbi Diplomacinë Ekonomike” me drejtues të nivelit më të lartë të dhomave lokale të tregtisë të Shqipërisë dhe drejtues të kompanive më të mëdha, anëtare të këtyre dhomave, në funksion të koordinimit të punës me të gjithë aktorët shtetërorë dhe privatë, brenda dhe jashtë Shqipërisë, në kuadër të rikonceptimit të rolit të diplomacisë ekonomike dhe si shërbimi diplomatik mund të asistojë dhe kontribuojë maksimalisht në promovimin e produkteve, gjetjen e tregjeve dhe ndërlidhjen e prodhuesve dhe bizneseve shqiptare me partnerë tregtarë dhe biznese homologe të huaja.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, në fjalën e tij nënvizoi rëndësinë e ndërveprimit mes biznesit dhe shtetit për të promovuar interesat ekonomike të vendit. Bushati u shpreh se ne duhet të tejkalojmë dobësitë strukturore në mënyrë që të mund të promovojmë produktet shqiptare dhe të zgjerojmë tregjet dhe partneritet e Shqipërisë.  

Qasja jonë e re ndaj Diplomacisë Ekonomike, synon të jetë gjithëpërfshirëse dhe të bazohet mbi një strukturë të qartë organizative, të ketë një fokus të veçantë te baza e informacionit, komunikimit në kohë sa më të shkurtër, si dhe të drejtohet nga objektiva të qartë e të matshëm.

Zhvillimi ekonomik dhe rritja e mirëqenies janë prioritete absolute të qeverisë e në funksion të tyre, MEPJ është  angazhuar plotësisht në përmirësimin dhe përshtatjen e shërbimeve tona për sfidat e ekonomisë shqiptare.