Postuar më: 13 Prill 2017

Dita e hapur mbi mundësitë për të studiuar jashtë vendit për të rinjtë e Elbasanit

Ministria e Punëve të Jashtme së bashku me më shumë se 10 ambasada të huaja të akredituara në Shqipëri, këtë herë u zhvendos në qytetin e Elbasanit, ku gjatë ditës së djeshme u zhvillua aktiviteti “Dita e hapur: Mundësi për bursa për studentët e ekselencës dhe të rinjtë në Qarkun e Elbasanit”.

Ky event, i cili zhvillohet nën kujdesin e veçantë të Ministrit të Punëve të Jashtme Ditmir Bushati, pati vëmendjen dhe interesin e mbi 500 të rinjve dhe të rejave, nxënës të maturave të shkollave të mesme të Qarkut të Elbasanit dhe studentë, me dëshirën për t’u informuar në lidhje me mundësitë që jo vetëm vendet fqinje si Italia dhe Greqia, por edhe vende si Suedia, Gjermania apo Kina ofrojnë në të gjitha nivelet e studimit universitar dhe pas-universitar.

Ministri Bushati në një bashkëbisedim me të rinjtë pjesëmarrës nënvizoi se “Shqipëria sot ka më shumë të rinj që duan të studiojnë jashtë, e akoma më shumë të rinj që duan të kthehen në Shqipëri. Nuk mund të kishim një nismë për të rinjtë që duan të studiojnë jashtë Shqipërisë, pa një projekt për ata që duan të kthehen në vendin e tyre pas studimeve” – vijoi ai

Ky aktivitet vjen në kuadër të hapjes së institucionit të Ministrisë së Punëve të Jashtme për të rinjtë, i cili ka filluar tashmë prej 3 vitesh, me ngritjen e Qendrës së Ekselencës, një hapësirë kërkimore dhe zbatuese e projekteve të lidhura me punën e Ministrisë, e jo vetëm kaq. Më tej, MPJ ka vijuar me organizimin e aktiviteteve të ngjashme për promovimin dhe mbështetjen e të rinjve shqiptarë, ashtu siç është edhe wiki academy, një projekt që shërben për trajnimin e të rinjve në përdorimin e platformave dixhitale.

Pas interesit që Dita e Hapur mbi bursat e studimit kishte ngjallur në Tiranë e në Shkodër, aktiviteti në Elbasan evidentoi edhe më shumë përkushtimin e të rinjve Shqiptarë ndaj vullnetit të mirë për të studiuar duke kapërcyer çdo lloj vështirësie.