Postuar më: 29 Prill 2017

Dita e hapur mbi mundësitë për të studiuar jashtë vendit për të rinjtë e qytetit të Gjirokastrës

Ministria e Punëve të Jashtme në bashkëpunim me ambasadat e huaja të akredituara në Shqipëri, këtë herë u zhvendos në qytetin e dijës dhe urtësisë, Gjirokastrën, ku gjatë ditës së djeshme u zhvillua aktiviteti “Dita e hapur: Mundësi për bursa për studentët e ekselencës dhe të rinjtë në Qarkun e Gjirokastrës”

Ky event, pati vëmendjen dhe interesin e mbi 300 të rinjve dhe të rejave, nxënës të maturave të shkollave të mesme të Qarkut të Gjirokastrës dhe studentë, me dëshirën për t’u informuar në lidhje me mundësitë që ofrohen jo vetëm nga vendet fqinje si Italia dhe Greqia, por edhe vende si Austria, Gjermania apo Britania, për të gjitha nivelet e studimit universitar dhe pas-universitar.

Zv. Ministrja Odeta Barbullushi si një ish përfituese e edukimit në universitetet e huaja, në një bashkëbisedim me të rinjtë pjesëmarrës, nënvizoi “rëndësinë e marrjes së dijes nga qendra të rëndësishme arsimore në botë, dijë të cilën synojmë që studentët shqiptarë ta rikthejnë në Atdhe për të jetësuar eksperiencën e tyre të vlefshme në të mirë të vendit”.

Në të njëjtën linjë, Ministrja Kumbaro theksoi se nisma e lavdërueshme e Ministrisë së Punëve të Jashtme, nuk synon që t’i privojë vendit mendjet e saj, por pas akumulimit të eksperiencave në universitetet më prestigjoze botërore, ky grup studentësh ekselentë të rikthehen në vendin e tyre dhe të kontribuojnë në zhvillimin e mëtejshëm të shoqërisë shqiptare”.

Ky aktivitet vjen në kuadër të hapjes së institucionit të Ministrisë së Punëve të Jashtme për të rinjtë, i cili ka filluar tashmë prej 3 vitesh, me ngritjen e Qendrës së Ekselencës, një hapësirë kërkimore dhe zbatuese e projekteve të lidhura me punën e Ministrisë, e jo vetëm kaq. Më tej, MPJ ka vijuar me organizimin e aktiviteteve të ngjashme për promovimin dhe mbështetjen e të rinjve shqiptarë, ashtu siç është edhe wiki academy, një projekt që shërben për trajnimin e të rinjve në përdorimin e platformave dixhitale.

Pas interesit që Dita e Hapur mbi bursat e studimit kishte ngjallur në Tiranë, Shkodër dhe Elbasan, aktiviteti në Gjirokastër evidentoi edhe më shumë përkushtimin e të rinjve shqiptarë për të kapërcyer çdo barrierë fizike dhe jo vetëm, për të realizuar synimin e tyre për marrjen e dijes nga institucionet më me zë në rajon dhe gjetkë.