Postuar më: 30 Tetor 2017

Dita e Kombeve të Bashkuara: Gjashtë gra vlerësohen me Çmimin e Arritjes për sjelljen e ndryshimit në shoqëri

Gjashtë gra “heroina të heshtura" u vlerësuan me  mirënjohje të veçantë gjatë përvjetorit të Ditës së Kombeve të Bashkuara në Shqipëri. Aktiviteti që i kushtohej barazisë gjinore dhe fuqizimit të grave u organizua sot në mjediset e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme në bashkëpunim me zyrën e Kombeve të Bashkuara dhe Ambasadën Suedeze në Shqipëri.

Nga një sipërmarrëse që punon në zona rurale tek një ambientaliste që punon për të mbrojtur tokën, nga një viktimë e dhunës tek një avokate e të drejtave të grave, nga një diplomate tek një luftëtare e zjarrtë kundër drogës dhe krimit - këto gra kanë qenë modele të vërteta për t'u ndjekur në komunitetet e tyre. Çdo ditë ato kontribuojnë për një ndryshim pozitiv të komunitetit përreth tyre dhe prekin çështje që janë në zemër të debatit publik.

Në fjalën e tij, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati u shpreh se 72 vjet pas lindjes së organizatës dhe me më shumë se gjysmë trilion dollarë shpenzime, duket se shpëtimi nga ferri nuk mjafton më si justifikim, siç shprehej Dag Hammarskjöld në themelimin e saj. Ministri Bushati nënvizoi faktin se “respektimi i të drejtave të grave luan një rol vendimtar, jo thjesht për çështje numrash”.

Në këtë kuadër, vijoi ai, “Qeveria shqiptare ka ndërmarrë angazhime ligjore të rëndësishme për të luftuar diskriminimin dhe për të promovuar e bërë realitet barazinë gjinore, pasi përfshirja e tyre nuk është privilegj ndaj një grupi të shoqërisë, sepse gratë dhe vajzat nuk janë një grup i shoqërisë, por gjysma e saj”.

Për ministrin Bushati, mënyra si gratë e shohin botën ndryshojnë: “Ato fokusohen më shumë të njeriu sesa te letrat; te komuniteti sesa te shkresat e projektet; te zgjidhjet sesa te problemet. Përfshirja e grave dhe vajzave është pjesë organike e vizionit tonë për një shoqëri më të drejtë dhe gjithëpërfshirëse”.

Brian James Williams, Koordinatori i Përhershëm i Kombeve të Bashkuara u shpreh: “Jemi mbledhur sot këtu për të vlerësuar me çmim gjashtë nga mijëra gratë e tjera që ditë pas dite po e shndërrojnë Shqipërinë në një shoqëri më të barabartë. Shembujt për t’u ndjekur, të të gjitha llojeve, janë shumë të rëndësishëm. Fuqizimi i grave – apo edhe i çdo grupi tjetër të margjinalizuar – nuk është një veprim i thjeshtë teknik, diçka që bëhet në zyrat e burokratëve, por është një akt trimërie – madje shpesh edhe një akt rezistence. Kjo kërkon që gjithkush të ngrihet e të thotë: “Mënyra me të cilën i kemi arritur gjërat këtu, në fakt, nuk ka qenë gjithmonë e drejtë”.

Në një video-mesazh të posaçëm, Ministrja e Punëve të Jashtme suedeze Margot Wallström, rikonfirmoi mbështetjen e Suedisë për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, si dhe zhvillimin e saj demokratik dhe ekonomik, dhe theksoi se “Së bashku me OKB-në, e me të gjithë ju, ne do të vazhdojmë të punojmë për të forcuar të drejtat dhe përfaqësimin e grave në Shqipëri, si dhe t’u ofrojmë burimet e duhura të gjitha grave e vajzave anembanë botës”

“Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm”, të miratuara dy vjet më parë, e vendosën barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave në zemër të Axhendës 2030. Fuqizimi i grave është një parakusht për ndryshimin e  trendit të sfidave kyçe të shekullit të 21-të, si varfëria, ndryshimet klimatike dhe pabarazia.