Postuar më: 15 Dhjetor 2017

Konferenca "Drita e arkivave, dritë mbi arkivat”, interes i diplomacisë së sotme për paraqitjen sa më objektive të historisë sonë në botë

Pranë Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme (MEPJ), u zhvillua sot konferenca shkencore „Drita e arkivave, dritë mbi arkivat”, e organizuar nga revista “Shêjzat” në bashkëpunim me MEPJ, Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave dhe Ministrinë e Kulturës.

Interesi gjithnjë në rritje i studiuesve të huaj dhe atyre vendas për arkivat dhe fondet e veçanta, ku

janë përpunuar dhe ruhen materiale me rëndësi për historinë tonë, ishte motivi kryesor për këtë konferencë, ku ishin ftuar studiues të huaj dhe vendas që referuan për rëndësinë e studimit të arkivave, si burime parësore për historishkrimin tonë.

Në konferencë kumtuan 14 studiues, ndër të cilët: Lucia Nadin, Italo Sarro, Persida Asllani, Ardian Ndreca, Marenglen Kasmi, Andi Rembeci, David Hosaflock etj., të cilët folën për kërkimet e tyre në arkivat e Vatikanit, Venedikut, në Arkivin e Shtetit, në Arkivat Ushtarake gjermane dhe italiane, në Arkivin e MEPJ, në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë etj.

Prania e realiteteve të ndryshme në këtë aktivitet tregoi se ekziston mundësia për të gjetur shtigje të reja bashkëpunimi për rakordimin e punës kërkimore mes intitucioneve dhe historianëve.

Mbështetja e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme në këtë konferencë, ishte tregues i interesit që tregon diplomacia e sotme për paraqitjen sa më objektive të historisë sonë në botë.

Mbështetja e Ministrisë së Kulturës e një iniciative të tillë, me reliev të spikatur kulturor, tregon ndjeshmërinë e këtij institucioni themelor në promovimin e vlerave parësorë të kulturës dhe shkencës sonë.

Bashkëpunimi i ngushtë me Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave, është tregues i sinergjisë pozitive që ekziston mes institucioneve dhe studiuesve të cilët punojnë që drita e arkivave të kthehet në burim për shkrimin sa më objektiv të historisë sonë, larg intepretimeve të politizuara dhe atyre romantike.

Risi e këtij aktiviteti ishte fakti se Aktet e konferencës u prezantuan të botuara me “peer review”, po gjatë orëve që u mbajt konferenca.

E përkohshmja “Shêjzat - Pleiades”, e themeluar në Romë në vitin 1957, ndërmori iniciativën për organizimin e konferencës së sotme, në vijim të nismës për vlerësimin e burimeve arkivore të historisë sonë kombëtare, që u kurorëzua me zhvillimin e kuvendit “L’Albania nell’Archivio della Propaganda Fide”, që u mbajt  mbajtur në Vatikan më 26-27 tetor 2015.