Postuar më: 03 Maj 2018

Konkursi #ColoursofAlbania2018 çel siparin në mjediset e Universitetit të Arteve nën moton “Trashëgimia kulturore dhe përkatësia evropiane”

U çel në mjediset e Universitetit të Arteve, në prani të Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati, Ministres së Kulturës Mirela Kumbaro, Ambasadores së Delegacionit të BE-së në Shqipëri Romana Vlahutin, trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri dhe shumë të ftuarve të tjerë nga fusha e artit dhe kulturës, edicioni i 4-rt të konkursit të fotografisë dixhitale #ColoursofAlbania2018, nën moton “Trashëgimia kulturore dhe përkatësia evropiane”, e cila përkon me lajtmotivin e Bashkimit Evropian për vitin 2018.

Konkursi do të jetë i hapur deri më 30 korrik 2018 dhe do të përfshijë edhe temat mbi  ngjyrat e shoqërisë shqiptare, bashkëjetesën fetare, qytetet e fshatrat mahnitëse, bregdetet e peizazhet e paprekura, si dhe transformimin e Shqipërisë në vitet e fundit dhe rilindjen e zonave rurale.


Gjatë fjalës së tij me këtë rast, Ministri Bushati vuri në pah se “Shpesh çështjet e politikave evropiane duhet t'i kanalizojmë drejt bashkëpunimit kulturor. Kjo është arsyeja se përse ketë vit vendosëm që fokusin ta kishim tek trashëgimia kulturore, tek inputi dhe kontributi i Shqipërisë  në mozaikun e familjes së madhe  evropiane, me shpresën se do të nxisim sa më shumë imagjinatën e qytetarëve tanë por dhe të atyre që do ta vizitojnë Shqipërinë gjatë sezonit turistik për të fiksuar foto që e dëshmojnë më së miri këtë gjë”.

“Kultura si pasaportë – theksoi Ministrja Kumbaro – tashmë e ka vendin e vet, jo thjesht në Evropën e Bashkuar, pasi këtë nuk e ka sot, e ka pasur që kur kontinenti ekzistonte si i tillë. Nëse ka një fushë në të cilën Shqipëria flet në të njejtën gjuhë së bashku me të gjithë vendet e tjera është trashëgimia jonë kulturore, historia jonë e përbashkët”.

Ambasadorja e Delegacionit të BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin, e cila hapi këtë edicion u shpreh se “Jam e lumtur që në këtë libër që është një nga më të preferuarit e mi, ju nuk shihni vetëm vende të bukura, por edhe njerëz të bukur dhe ky është një pasqyrim i ngjyrave, shpirtit dhe zemrës së Shqipërisë”. 
 
Risia e këtij edicioni është përfshirja e artistëve të rinj, liceistë të Liceut Artistik “Jordan Misja” të cilët u angazhuan në vizatimin e logos së re #ColoursofAlbania2018, e cila do të jetë simboli i këtij edicioni.

Këngëtarët Venera Lumani, Lind Islami dhe instrumentistët e Liceut “Jordan Misja artistik përshëndetën aktivitetin me performancat e tyre mbresëlënëse.

Bashkëlidhur disa foto nga aktiviteti.