Postuar më: 20 Mars 2017

Kremtohet në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë Dita Ndërkombëtare e Frankofonisë

Nën patronazhin e Ministrit të Punëve të Jashtme Ditmir Bushati, u kremtua sot në mjediset e Ministrisë së Jashtme, Dita Ndërkombëtare e Frankofonisë. Përveç drejtuesve të lartë dhe diplomatëve të këtij institucioni, nderuan me praninë e tyre në këtë aktivitet Zëvendëskryetarja e Kuvendit Valentina Leskaj, Ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike Milena Harito, përfaqësues të institucioneve të ndryshme shtetërore shqiptare, anëtarë të trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri si dhe mjaft personalitete frankofonë shqiptarë dhe të huaj.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Drejtori i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme Ferit Hoxha, vlerësoi rëndësinë që ka Frankofonia për Shqipërinë, si një pasuri kulturore e përbashkët, e ndarë me shumë vende e popuj të botës. Ai ftoi të gjithë frankofonët e Shqipërisë të rrisin angazhimin e tyre të përditshëm në kuadër të Frankofonisë, në të gjitha fushat e veprimtarisë së tyre. DP Hoxha theksoi se aktivitete të larmishme po zhvillohen gjatë këtyre dy javëve në të gjithë Shqipërinë si aktivitete shkollore, ekspozita, pjesë teatrore si dhe konkurse e takime gastronomike mbi kulturën frankofone.

Ambasadori i Francës në Shqipëri Bernard Fitoussi, në përshëndetjen e tij në emër të përfaqësive Diplomatike të vendeve frankofone të akredituara në vendin tonë, theksoi rëndësinë e vlerave të demokracisë, tolerancës dhe promovimit të diversitetit, të cilat përçohen tek çdo individ nëpërmjet gjuhës dhe kulturës frënge.

Gjatë kësaj ceremonie, sipas traditës, u shpërndanë edhe “Diploma Nderi” për personalitetet më të shquara frankofone për vitin 2017.