Postuar më: 20 Dhjetor 2017

MEPJ përmbyll projektin “Wiki Academy Albania – Shqipëria dixhitale” – të rinjtë të angazhuar në promovimin e Shqipërisë

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, në bashkëpunim me Ambasadën Norvegjeze, Këshillin Britanik dhe partnerët mbështetës “Protik Innovation Center” dhe komuniteti i Wikipedia në Shqipëri, zhvilluan aktivitetin përmbyllës për Wiki Academy Albania (2017), në ambientet e Qendrës Protik.

Projekti është pjesë e programit për diplomaci dixhitale dhe kishte për qëllim angazhimin e të rinjve në promovimin e vlerave kulturore, turistike dhe historike të Shqipërisë në platformën Wikipedia, enciklopedia më e madhe online, duke bërë të mundur që të gjithë vizitorët e kësaj platforme të kenë më shumë informacion për Shqipërinë dhe vlerat e saj parë nga sytë e të rinjve.

Në këtë projekt janë përfshirë mbi 300 studentë, kryesisht nga qyteti i Tiranës dhe Shkodrës. Duke u bazuar në qëllimin e përgjithshëm të këtij projekti, synimi ka qenë dhe vijon të jetë angazhimi i të rinjve në ngjarje, duke u përpjekur që ata të transformohen në të rregullt në Wikipedia.

Të rinjë pjesëmarrës u përshëndetën nga zëvendësministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Etjen Xhafaj dhe ambasadori norvegjez Per Strand Sjaastad.

Zëvendësministri Xhafaj theksoi se “të rinjtë e sotëm janë brezi i internetit dhe si të tillë, ata kanë mundësinë të zhvillojnë edhe më tej këtë mjet që do të kalojë nga gjenerata në gjeneratë. Shqipëria dixhitale, diplomacia dixhitale dhe të rinjtë ambiciozë në këtë drejtim, mund të promovojnë vlerat e Shqipërisë në mënyrën më të mirë”.

Në përfundim të këtij aktiviteti u dhanë dhe 2 çmimet fituese për Miki Mujo dhe Ada Shehu, dy të rinjtë më të angazhuar në këtë projekt. ​