Postuar më: 05 Prill 2017

Ministrat Bushati dhe Kodheli me studentët për 8-të vjetorin e anëtarësimit në NATO

 

Ministri Punëve të Jashtme, z. Ditmir Bushati dhe Ministrja e Mbrojtjes znj. Mimi Kodheli zhvilluan një bashkëbisedim me studentët e Fakultetit të Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës me rastin e 8 vjetorit të anëtarësimit të  Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut.

Të dy ministrat vunë theksin tek rëndësia që ky anëtarësim ka për Shqipërinë, por edhe detyrimet që rrjedhin prej tij.

Në fjalën e tij Ministri Bushati vlerësoi se “NATO para së gjithash është një organizatë e rëndësishme politike para se të jetë një Organizatë ushtarake dhe, në këtë kuptim, anëtarësimi i Shqipërisë në Aleancë, përveç karakterit ushtarak dhe reformave që janë bërë në fushën e sigurisë dhe reformimit të ushtrisë sonë, ka të bëjë edhe me reformat politike dhe procesin e demokratizimit në të cilat është përfshirë Shqipëria”.

Shqipëria, theksoi ai, si një vend anëtar i NATO-s, në një nga portat e rëndësishme në Adriatik, është përpjekur për ta shtrirë rrezen e saj  të influencës demokratike në hapësirën e Ballkanit Perëndimor dhe asaj të Evropës Juglindore, pasi të qenit anëtar i një Organizate të tillë, nuk nënkupton vetëm të drejta, por edhe detyrime. “Ajo çka e bën të dallueshme Shqipërinë dhe shqiptarët në përgjithësi, ka lidhje me përcaktueshmërinë e qartë atlantiste që ne kemi si komb”, tha Ministri Bushati.

Ministri Bushati theksoi, gjithashtu, se brenda NATO-s, Shqipëria është përpjekur të thellojë bashkëpunimin me aleatët e saj strategjikë dhe vende të tjera kyçe, por edhe në ato lloj aleancash në kuptimin rajonal të fjalës siç është raporti ynë në NATO me Kroacinë dhe rëndësia që i japim anëtarësimit në NATO të Malit të Zi në kontekstin e trilateralit Adriatik.

Duke iu referuar angazhimeve të Aleatëve për kontributet dhe shpenzimet në buxhetet e mbrojtjes,  dy Ministrat theksuan se kur flitet për këto shpenzime, duhen marrë parasysh edhe përpjekjet dhe investimet që bëhen në fushën e sigurisë, si kontributet e vendeve anëtare në operacionet e NATO-s. Në këtë kontekst Ministri Bushati tha se Shqipëria ka marrë vlerësime të larta jo vetëm për gatishmërinë politike që ka treguar, por edhe për kontributin konkret nëpërmjet angazhimit në luftën kundër terrorizmit, në bashkëpunim me partnerët kryesorë të Aleancës.

Në fjalën e saj ministrja Kodheli solli në vëmendje punën e Forcave të Armatosura, puna e përditshme e të cilave siç tha ajo, jo domosdoshmërisht ndihet siç ndihen shërbimet e tjera që shteti sjell. Ajo përmendi gatishmërinë e Forcave të Armatosura në shërbim të qytetarëve brenda vendit, si dhe pjesëmarrjen e tyre në rritje pranë misioneve ndërkombëtare. “20% e Forcave tona të Armatosura ka qenë në terren jashtë kufijve. Shqipëria është prezente në të gjitha misionet NATO, ka dyfishuar prezencën e saj në Afganistan, ka dyfishuar prezencën e saj në KFOR në Kosovë, është prezente në misionin e NATO-s në detin Egje, dhe kudo ku NATO me strukturat e saj është prezente.” - tha ministrja Kodheli.

Gjithashtu, ministrja Kodheli përfitoi nga rasti të ftojë studentët për t’u bërë pjesë e Forcave të Armatosura dhe bashkë me ministrin Bushati iu përgjigjën pyetjeve të tyre, që kishin të bënin kryesisht me rolin e Forcave tona të Armatosura përkrah vendeve të tjera të NATO dhe me politikën e jashtme të Shqipërisë.

Në takim morën pjesë edhe disa pjesëtarë të Forcave tona të Armatosura, pjesëmarrës në misione ndërkombëtare, të cilët treguan përvojën e tyre në këto misione dhe ndjesinë e të qenit pjesë e FA shqiptare.