Postuar më: 27 Prill 2017

Ministri Bushati diskuton mbi Procesin e Berlinit me organizata të shoqërisë civile të vendeve të rajonit

Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati mori pjesë në punimet e Forumit të Shoqërisë Civile në kuadër të Procesit të Berlinit, i cili po zhvillohet në Tiranë në datat 26 – 28 prill 2017, me mbështetjen e ERSTE Stiftung, Fondit Evropian për Ballkanin, Friedrich Ebert Stiftung, SOE Dialogue SoutheastEurope, në bashkëpunim me CDI (Instituti i Bashkëpunimit dhe Zhvillimit).

Forumi i Shoqërisë Civile, i cili është një iniciativë e rëndësishme në kuadër të Procesit të Berlinit, mbledh bashkë mbi 100 pjesëmarrës nga vende të rajonit dhe të Bashkimit Evropian, duke synuar kështu nxitjen e dialogut midis qytetarëve dhe vendimmarrësve, si dhe rritjen e bashkëpunimit ndërmjet organizatave të shoqërisë civile të vendeve të Ballkanit Perëndimor. 

Forumi nisi punimet e tij me vlerësimin dhe prezantimin e rezultateve të deritanishme të Procesit të Berlinit, dhe do të vijojë me diskutimin mbi çështje të rëndësishme të bashkëpunimit rajonal, si bashkëpunimi rinor në vendet e Ballkanit Perëndimor, shteti ligjor dhe lufta kundër korrupsionit, çështjet bilaterale në rajon, për të konkluduar me prezantimin e rekomandimeve që do të paraqiten në Samitin e Triestes. 

Në fjalën e tij Ministri i Punëve të Jashtme Bushati u shpreh se “Procesi i Berlinit ka potencialin për të ofruar një vizion të zhvillimit strategjik afatgjatë për rajonin që shkon përtej mandatit tonë politik.”, duke vënë në dukje “përpjekjet për të përmirësuar klimën e dialogut politik në rajon” dhe faktin se “një ndër komponentët e rëndësishëm të këtij procesi është dimensioni human – marrëdhëniet e kontaktet njerëzore”. 

Ai u ndal gjithashtu edhe në rolin e Shqipërisë, si një ndër aktorët kyç të bashkëpunimit rajonal, duke u shprehur se “ky angazhim politik po materializohet në projekte dhe nisma konkrete. Në Tiranë ndodhen selitë e dy nismave rajonale: ajo e Zyrës Rajonale për Bashkëpunimin Rinor (RYCO) dhe e Fondit të Ballkanit Perëndimor (WBF). Të gjithë ata që janë të familjarizuar me këto dy organizata e dinë mirë se sa energji dhe përpjekje të pandërprera janë investuar për t’i bërë plotësisht funksionale këto organizma.  Në këto kohë të trazuara, lufta kundër paragjykimeve dhe gjuhës së urrejtjes nuk mjafton. Kjo është dhe arsyeja se pse është kaq i rëndësishëm forcimi i shoqërisë civile rajonale dhe angazhimi në projekte për rininë, që mundësojnë promovimin e vlerave demokratike, shtetit të së drejtës, dhe të drejtave të njeriut’"

‘Procesi i Berlinit, nënvizoi Ministri Bushati nuk është vetëm një plan i zhvillimit rajonal. Ai përbën udhërrëfyesin tonë në rrugën drejt integrimit evropian."

Konkluzionet e Forumit dhe rekomandimet t’u paraqiten krerëve të shteteve dhe qeverive që do të marrin pjesë në Samitin e Triestes më 12 korrik 2017. Ky takim shënon një hap tepër të rëndësishëm në frocimin e shoqërisë civile të vendeve të Ballkanit Perëndimor, nëpërmjet përfshirjes së saj në vendimmarrjen rajonale.