Postuar më: 04 Shtator 2017

Ministri Bushati do të marrë pjesë në takimin e MPJ të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) - Bled, Slloveni 4-5 shtator 2017

Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati, do të marrë pjesë në datat 4-5 shtator 2017, në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), i cili do të mbahet në Bled të Sllovenisë.

Në këtë kontekst Ministri Bushati do të kryesojë Konferencën e Parë të Ministrave të Jashtëm të Fondit të Ballkanit Perëndimor (FBP) që përfshin Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi, Bosnjen dhe Serbinë.

Kjo konferencë pritet të marrë vendime të rëndësishme për ta kthyer Fondin plotësisht funksional. Fondi i Ballkanit Perëndimor është nisma e parë rajonale me seli në Tiranë dhe do të drejtohet nga një diplomat shqiptar.

Në kuadër të vizitës në Slloveni, Ministri Bushati do të marrë pjesë në Forumin Strategjik të Bled-it, një Konferencë e Përvitshme vendimmarrësish nga Evropa Qendrore dhe Juglindore, për të inkurajuar një debat të hapur mbi sfidat e zhvillimit ekonomik dhe sigurisë.

Në kuadër të punimeve në Bled, Ministri Bushati do të zhvillojë takime dypalëshe me homologët e tij nga vendet pjesëmarrëse dhe përfaqësues te organizatave ndërkombëtare.