Postuar më: 30 Maj 2018

Ministri Bushati merr pjesë në Forumin Rajonal të Krerëve të Misioneve të OSBE-së të Evropës Juglindore

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, mori pjesë në punimet e Forumit Rajonal të Krerëve të Misioneve të OSBE-së të Evropës Juglindore, i cili u organizua nën kujdesin e Sekretarit të Përgjithshëm të OSBE-së, Thomas Greminger, në Durrës, më datë 30 maj 2018.

Organizimi i këtij takimi kishte në fokus trajtimin e sfidave me të cilat përballet OSBE-ja në strukturën e sigurisë rajonale dhe përmirësimi i kapaciteteve të organizatës për përmbushjen e rolit dhe mandatit të saj në Ballkanin Perëndimor, si dhe forcimin e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit në fushat e sigurisë.

Në fjalën e tij, ministri Bushati përgëzoi rolin që OSBE-ja ka luajtur në Shqipëri, nëpërmjet Pranisë së saj, për mbështetjen dhe nxitjen e një sërë reformash në vend, si në fushën e drejtësisë, administratës publike, mirëqeverisjes, reformës zgjedhore, luftës kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe mbrojtjes së të drejtave themelore, etj.

Sa i përket procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, ministri Bushati tha se mbas marrjes së rekomandimit të pakushtëzuar të Komisionit Evropian për hapjen e negociatave me Shqipërisë dhe vendimmarrjes së Këshillit, Shqipëria do të vijojë me procesin e thellimit të reformave dhe përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Evropian. Shqipëria dhe vendet e tjera të rajonit që janë në proces anëtarësimi në BE, kanë nevojë për mbështetjen dhe kontributin e OSBE-së. Strategjia e Zgjerimit të BE-së e para pak muajve, si dhe Samiti i Sofjes i kushtuan vëmendjen e duhur rajonit të Ballkanit, ndaj dhe OSBE-ja mund të luajë rolin e saj, tha ministri Bushati.

Ministri shqiptar theksoi gjithashtu kontributin e Shqipërisë në sfida të rëndësishme me të cilat përballet OSBE, si lufta kundër terrorizmit, ekstremizmit të dhunshëm, krimit kibernetik, ndërlidhjes dhe bashkëpunimit, me ndikim të ndjeshëm në forcimin e paqes dhe sigurisë në rajon. Nuk mund të ketë një rajon të qëndrueshëm pa kontributin e të gjithëve, tha Ministri Bushati, ndaj Kosova duhet të jetë pjesë e kontributeve në kuadër të politikave të OSBE dhe pjesë e forumeve të saj. Ministri Bushati solli në vëmendje praktikat pozitive rajonale për shkëmbim e bashkëpunim në fushën ekonomiko-tregtare, në infrastrukture, midis të rinjve, grave në vendimmarrje, gazetarëve, etj.

Sekretari i Përgjithshëm i OSBE, i pranishëm në këtë forum rajonal, Thomas Greminger, falënderoi ministrin Bushati për fjalën e tij, duke trajtuar çështje me rëndësi për rajonin, por edhe për vetë Misionet e OSBE në këto vende. Ai tha se partneriteti dhe dialogu janë shtyllat ku duhet të mbështet bashkëpunimi rajonal midis vendeve të Evropës Juglindore dhe vetëm nëpërmjet bashkëpunimit, ndërlidhjes, shkëmbimit të ekspertizës midis vendeve të rajonit, në kuadër të OSBE, mund të përballet çdo sfidë me të cilat ndeshen, ashtu si vendet e tjera të organizatës, për të siguruar paqen dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Greminger tha se OSBE do të mbështesë aspiratat e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit të tyre në BE.