Postuar më: 21 Mars 2014

Ministri Bushati në Kroaci: "Shqipëria-Kroacia: një e ardhme e përbashkët"

Në kuadër të vizitës zyrtare që po zhvillon në Kroaci në datat 20-21 mars, Ministri Bushati mori pjesë në hapjen e ekspozitës fotografike me titull "Shqipëria-Kroacia: një e ardhme e përbashkët".

Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, pasi vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe, ministri Bushati u shpreh se : "Mesazhi i kësaj ekspozite fotografike - Shqipëri/Kroaci një e ardhme e përbashkët - është njëherazi mesazhi kryesor i vizitës time në Kroaci".

Fotografitë e paraqitura në ekspozitë nga artistët Alket Islami dhe Nenad Rebersak, sjellin më pranë publikut Shqipërinë dhe Kroacinë si dy vende atraktive në hapësirën mesdhetare.

Në vijim Ministri Bushati pati një takim me përfaqësues të komunitetit shqiptar në Kroaci. Ministri Bushati i njohu të pranishmit me zhvillimet më të fundit në Shqipëri si dhe mbi vizionin dhe rolin e politikës së jashtme të Shqipërisë në rajon.

Pasi përshëndetën rolin e çmuar të këtij komuniteti të vjetër dhe të konsoliduar në Kroaci, Ministri Bushati dhe të pranishmit shkëmbyen mendime lidhur me arritjet dhe sfidat e proceseve integruese të Shqipërisë dhe Shqiptarëve.