Postuar më: 05 Tetor 2017

Ministri Bushati në takimin e dytë ndërminstror të Selanikut mes Greqisë, Shqipërisë, Bullgarisë dhe Maqedonisë

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati mori pjesë  në Takimin e Dytë Ndërministror mes Greqisë, Shqipërisë, Bullgarisë dhe Maqedonisë, i cili u mbajt në Selanik.

Ministri Bushati e vlerësoi këtë si takim të rëndësishëm për të forcuar e thelluar më tej marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit.

Vendet tona kanë përballuar disa momente të vështira në fushën e sigurisë, luftës kundër trafiqeve të paligjshme dhe ekstremizmit të dhunshëm: "Në ketë moment po skicojmë disa fusha për të shtyrë me tej bashkëpunimin, që shpresojmë do na ndihmojë në procesin e integrimit si Shqipërinë, ashtu edhe Maqedoninë", theksoi ministri Bushati.

Në këtë takim u diskutua mbi implikimet strategjike të situatës dhe sfidave aktuale të sigurisë në rajonin tonë, nevojën për të adresuar kushtet e reja politiko-ekonomike, adresimin e sfidave të përbashkëta, si dhe çështjet të cilat lidhen me sektorin e energjetikës.