Postuar më: 10 Prill 2017

Ministri Bushati pret në takim Ministrin hungarez të Shtetit për Diplomacinë Ekonomike Levente Magyar

Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati priti sot në MPJ Ministrin e Shtetit për Diplomacinë Ekonomike të Hungarisë, Levente Magyar, i cili gjendet për një vizitë pune në Tiranë, në kuadrin e takimit mes bizneseve hungareze dhe atyre shqiptare.

Gjatë takimit, ministrat diskutuan mbi bashkëpunimin dypalësh dhe intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve që ekzistojnë midis dy vendeve tona. Marrëdhëniet shumë të mira politike reflektohen edhe në bashkëpunimin ekonomik ndërmjet dy vendeve, tregues i të cilit është trendi pozitiv i shkëmbimeve tregtare, si edhe prania në rritje të investimeve hungareze në tregun shqiptar.

Gjithashtu, vendosja e linjës ajrore Tiranë-Budapest, e cila filloi fluturimet e saj më 5 prill 2017, do t’i shërbejë edhe më shumë forcimit të kontakteve mes njerëzve dhe bizneseve, duke rritur në të njëjtën kohë numrin e turistëve hungarezë në Shqipëri. Hungaria është e gatshme të ketë një zyrë të përfaqësimit të turizmit shqiptar në Budapest, e cila do të shërbejë në promovimin e brigjeve më të bukura dhe ende të paeksploruara të Europës.

Ministrat diskutuan edhe mbi mundësinë që Qeveria hungareze ofron për sipërmarrjet shqiptaro-hungareze nëpërmjet linjës së kredisë së butë Credit Line (ofruar përmes Exim Bank) për investime në fushën e energjisë, infrastrukturës, menaxhimit të ujërave e fusha të tjera me interes të përbashkët.

Në vijim, Ministri Levente i prezantoi Ministrit Bushati diplomaten hungareze që do të atashohet pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe do të ofrojë ekspertizë për procesin para përgatitor për çeljen e negociatave, çka është një tjetër tregues i mbështetjes së vazhdueshme të Hungarisë në rrugëtimin europian të Shqipërisë në BE.

Duke vlerësuar progresin e bërë dhe përpjekjet e qeverisë shqiptare në përmbushjen e reformave, Ministri Levente garantoi se Hungaria do të vazhdojë të jetë një avokate e integrimit të vendit tonë në BE.

Lidhur me zhvillimet e fundit në rajon, dy Ministrat theksuan nevojën e një roli më proaktiv të BE-së në Ballkanin Perëndimore dhe riafirmimin e perspektivës së tyre europiane. Më tej, Ministri Bushati vlerësoi si tepër të rëndësishëm rolin e Hungarisë në mbështetjen që i ka dhënë vendeve të Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimit në BE.

Ministri Levente, i cili është edhe bashkë-kryetar i Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar të Bashkëpunimit Ekonomik, gjendet në Shqipëri për të marrë pjesë në konferencën “Shqipëri-Hungari: Sjellim së bashku profesionistët e biznesit dhe ujit”, në të cilën marrin pjesë sipërmarrje hungareze dhe shqiptare. Gjatë kësaj konference, e cila po zhvillon punimet në Tiranë gjatë ditës së sotme, u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit “Për Ndihmën Reciproke në Fushën e Mbrojtjes së Konsumatorit dhe Mbikëqyrjes së Tregut”.