Postuar më: 21 Mars 2018

Ministri Bushati takon anëtarët e Komitetit të Çështjeve Politike dhe të Sigurisë së Bashkimit Evropian

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, priti sot në Tiranë anëtarët e Komitetit të Çështjeve Politike dhe të Sigurisë së Bashkimit Evropian, të cilët janë për vizitë në Shqipëri.

Ministri Bushati informoi dhe iu përgjigj pyetjeve dhe komenteve të përfaqësuesve të vendeve anëtare të BE-së mbi aspektet kryesore të politikës së Jashtme të Shqipërisë, bashkëpunimin dhe kontributin e vendit në operacione civile dhe ushtarake të Bashkimit Evropian, por edhe në NATO, mbi marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet e rajonit, bashkëpunimin rajonal, çështje të sigurisë rajonale, asaj evropiane e më gjerë.

Ministri Bushati vlerësoi lart mbështetjen e vendeve anëtare të BE-së për proceset transformuese demokratike në vendin tonë dhe në procesin e integrimit evropian dhe evidentoi impaktin transformues që ka politika e zgjerimit në vendet e rajonit të Ballkanit.

Ai theksoi rëndësinë e reformave në fushën e drejtësisë dhe forcimit të shtetit ligjor në Shqipëri dhe lidhjen e drejtpërdrejtë e ndikimin e tyre në sigurinë e vendit.

Përfaqësuesit e vendeve anëtare vlerësuan ndër të tjera ecurinë e reformave si dhe kontributin e Shqipërisë në forcimin e bashkëpunimit rajonal. Ata nënvizuan rëndësinë e forcimit të perspektivës evropiane të rajonit të Ballkanit dhe vunë theksin në nevojën e zgjidhjes sa më parë të të gjitha mosmarrëveshjeve dypalëshe si kontribut i rëndësishëm në përshpejtimin e procesit të integrimit evropian të të gjithë rajonit.