Postuar më: 10 Maj 2017

Ministri Bushati takon delegacionin e Kongresit amerikan: reforma në drejtësi thelbësore për zhvillimin ekonomik

Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati priti sot në takim delegacionin e Kongresit Amerikan të kryesuar nga Kryetari i Komitetit mbi Çështjet e Drejtësisë, Bob Goodlatte, i cili po viziton Shqipërinë në kuadër të një turi të gjerë rajonal.

Ministri iu përgjigj interesit të anëtarëve të Kongresit amerikan dhe informoi gjerësisht mbi ecurinë e procesit të reformave në vend duke u ndalur në mënyrë të veçantë në rëndësinë e reformës në drejtësi si një nga aspektet më thelbësore për forcimin e shtetit ligjor në vend dhe avancimin në plotësimin e përparësive në kuadër të integrimit Europian. Ai shpjegoi ritmin e ecurisë së zbatimit të reformës e cila, theksoi ai, është ngadalësuar aktualisht për shkak të bojkotit të Kuvendit nga opozita. Bushati bëri gjithashtu një panoramë të situatës dhe zhvillimeve në rajon, evidentoi rolin dhe kontributin e Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit, masat e marra nga qeveria në bashkëpunim me vende dhe organizata partnere në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, evidentoi bashkëpunimin dhe kontributin e Shqipërisë në kuadër të NATO-s, si dhe situatën e të drejtëve të njeriut në vend.

Në emër të delegacionit, Kryetari Goodlatte vuri në dukje dhe përgëzoi për progresin që kishte konstatuar në Shqipëri dhe theksoi rëndësinë madhore të zbatimit të reformës së gjyqësorit si për krijimin e besimit të qytetarëve shqiptarë tek drejtësia dhe ligjshmëria ashtu edhe besimin e operatorëve ekonomikë e tregtarë që duan të investojnë apo bëjnë biznes në Shqipëri.

Ministri Bushati dhe anëtarët e Kongresit amerikan theksuan rëndësinë e thellimit të mëtejshëm të marrëdhënieve të ngushta, partneritetit strategjik dhe miqësisë mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.