Postuar më: 04 Maj 2018

Ministri Bushati takon homologun grek Kotzias gjatë Ministerialit të Selanikut

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati ndodhet në Selanik për takimin e Tretë Ndërministror mes Greqisë, Shqipërisë, Bullgarisë dhe Maqedonisë, i cili u mbajt më 3 dhe 4 maj 2018, me pjesëmarrjen e Ministrave të Jashtëm, të Brendshëm dhe tëInfrastrukturës të katër vendeve. Në këtë kontekst, Ministri Bushati zhvilloi një takim me homologun e tij Grek Nikos Kotzias, me të cilin morën në shqyrtim ecurinë e paketës së dakordësuar mes palëve në Kretë dhe Korçë duke vlerësuar përmbylljen me sukses të një pjese të elementëve përbërës të saj dhe shprehën angazhimin për të vijuar me të njëjtin ritëm për të jetësuar zgjidhje të qëndrueshme për çështjet e rëna dakord.

Ministri Bushati vlerësoi progresin e arritur në takimin e ekipeve negociatore javën e shkuar ndërsa u shpreh optimist për takimin e radhës që do të zhvillohet në Athinë.   

Kreu i diplomacisë shqiptare nënvizoi se disa çështje për të cilat palët kanë dakordësi finale janë në zbatim tashmë dhe po punohet për pjesën tjetër të paketës siç është njohja e patentave apo çështjet e kufirit detar dhe tokësor.

Ministri Bushati bëri me dije se do të ketë një tjetër takim me homologun Kotzias për të diskutuar ecurinë e punës edhe pse Greqia është një vend i rëndësishëm strategjik për Shqipërinë dhe ka një rol të veçantë në rajon.