Postuar më: 04 Gusht 2017

Ministri Bushati takon Ministrin Përgjegjës për Investimet e Huaja të Maqedonisë Ramiz Merko

Në një atmosferë pozitive, Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati ka takuar Ministrin Përgjegjës për Investimet e Huaja të Maqedonisë dhe mikun Ramiz Merko.

Gjatë takimit u vlerësua roli konstruktiv i faktorit politik shqiptar në qeverinë e re, si edhe kontributi i vazhdueshëm europianizues i popullsisë shqiptare ndaj interesave të vendit.

Në këtë kontekst, dy ministrat theksuan njëkohësisht se përshpejtimi i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve dhe i të gjitha hapave të tjerë ligjorë brenda Planit 3-6-9 për forcimin e kohezionit social dhe arritjen e barazisë ndëretnike janë parakusht për avancimin e perspektivës euro-atlantike të Maqedonisë.

Gjithashtu, rritja e bashkëpunimit ekonomik dhe mënyrat për të shfrytëzuar maksimalisht potencialin ekzistues ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë ishin në fokus të takimit. Nxitja e projekteve infrastrukturore dhe energjitike, përforcimi i bashkëpunimit ndërkufitar, me impakt në aksin zhvillimor mes dy vendeve dhe ndërlidhjen e rajonit, mbeten përparësi dhe objektiv kryesor në Mbledhjen e ardhshme mes dy qeverive.