Postuar më: 12 Janar 2018

Ministri Bushati, vizitë në Suedi

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati ndodhet në Suedi në kuadër të një vizite dy ditore. Gjatë qëndrimit të tij në Suedi, Ministri Bushati do të takohet me homologen suedeze, Margot Wallström.

Një tjetër takim i parashikuar në axhendën e Ministrit Bushati është ai me Sekretarin e Shtetit në Ministrinë e Bashkimit Evropian dhe Tregtisë, Oscar Stenstrom. Ai do të takohet gjithashtu me Sekretaren e Shtetit në Ministrinë e Bashkëpunimit dhe Zhvillimit Ndërkombëtar, Ulrika Modeer si dhe me Sekretarin e Shtetit në Ministrinë e Migracionit dhe Drejtësisë, Lars Westbratt.

Vizita në Suedi nisi me takimin e Ministrit Bushati me Këshillin e Biznesit me të cilët diskutoi mbi potencialet që ofron Shqipëria për zhvillimin e investimeve dhe nxitjen e kompanive suedeze për të konsideruar tregun shqiptar.

Gjithashtu, ai u takua me drejtuesit e një prej kompanive më të mëdha suedeze dhe nordike, Apollo, e cila operon edhe në tregun tonë turistik. Kjo kompani ka nisur aktivitetin turistik tek ne në vitin 2014, në rreth 5 mijë netë turistike dhe e mbylli sezonin e kaluar me mbi 40 mijë netë. Sezonin e ardhshëm do të nisin dhe fluturimet direkte nga vendet e Evropës nordike.