Postuar më: 03 Mars 2017

Ministri Bushati zhvillon takim me përfaqësues të shoqatave shqiptare në Athinë

Gjatë qëndrimit në Athinë, Ministri Bushati u takua dhe bashkëbisedoi me përfaqësues të shoqatave të bashkatdhetarëve tanë që jetojnë e punojnë në vendin fqinj.

Në këtë kuadër, Ministri Bushati ishte i pranishëm në prezantimin e platformës së Shërbimit Konsullor Online (SHKO), si pjesë e angazhimit diplomatik për t’iu përgjigjur me një shërbim konsullor modern nevojave të numrit të madh të shqiptarëve të Greqisë dhe kudo ku ata janë në botë. Kjo platformë përmbush prioritetin e qeverisë shqiptare për rritjen e transparencës dhe modernizimit të shërbimit konsullor dhe të shërbimeve në administratën publike.

Shërbimi Konsullor Online krahas rritjes së aksesit të publikut për informacion, modernizimit, zgjerimit të gamës së shërbimeve, përmirësimit të cilësisë, lehtësimit të procedurave, shkurton kohën, rrit transparencën dhe redukton abuzimet e mundshme. SHKO reformon rrënjësisht shërbimin konsullor për shqiptarët në botë, duke krijuar 36 shërbime të posaçme, sipas praktikave më të mira e më moderne europiane nga të cilat 23 shërbime do të mund të kryhen tërësisht online, ndërsa 13 shërbime të tjera duke u paraqitur njëherë të vetme pranë Përfaqësive diplomatike dhe konsullore.

Për herë të parë që prej vitit 1998, janë rishikuar plotësisht tarifat e shërbimeve konsullore ku disa shërbime ofrohen falas dhe disa të tjera ofrohen me tarifë të reduktuar. Gjithashtu,  është përgjysmuar tarifa e dublikimit të certifikatave dhe janë ulur me 25% tarifat e legalizimeve.

Duke u ndalur në shtrirjen e reformës konsullore dhe sidomos te vendosjes së regjimit të Apostille-s dhe në vende te tjera, Ministri Bushati u shpreh se: "Presim që edhe Greqia, vendi i vetëm i BE-së që nuk i është bashkuar kësaj praktike, të ndjekë shembullin e vendeve të tjera, si një sinjal i qartë i përkushtimit ndaj së drejtës ndërkombëtare dhe standardeve të gjithpranuara në këtë fushë”. Gjithashtu, 

Ministri Bushati evidentoi edhe rëndësinë e Shërbimit Konsullor Online edhe në procesin e regjistrimit të qytetarëve shqiptarë jashtë vendit si dhe në ofrimin e mundësisë për ta për të votuar.