Postuar më: 26 Tetor 2017

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme mbylli edicionin e tretë të nismës “Ngjyrat e Shqipërisë” (Colours of Albania)

Nisma “Ngjyrat e Shqipërisë” është kthyer në një traditë të përvitshme, si një formë e re për të promovuar Shqipërinë, duke ndërthurur diplomacinë me digjitalizimin, rininë me promovimin e vendit, risinë me të vjetrën. Në eventin përmbyllës të tij në mjediset e MEPJ ishin të pranishëm Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi, Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, ambasadori norvegjez në Kosovë Per Strand Sjaastad, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në vendin tonë, si dhe dashamirës të fotografisë.

Në fjalën e tij, Ministri Bushati u ndal tek rëndësia e kësaj nisme, e cila sipas tij, sjell një Shqipëri reale dhe plot jetë. “Po të shohësh rubrikat e lajmeve nëpër media, ligjëratat në Kuvend, morinë e emisioneve me fjalë kuturu dhe po ta vendosësh atë çka përcillet nëpërmjet tyre përballë fotografive të “Ngjyrave të Shqipërisë”, duket sikur jeton në dy realitete përjashtuese”, nënvizoi Bushati. Për Ministrin Bushati, një imazh flet sa një mijë fjalë, ndaj dhe “Fotografitë e shkrepura nga njerëzit e zakonshëm, shqiptarë apo të huaj, flasin më qartë se sa sherrnajat për efikasitetin e programit të Rilindjes Urbane”.

Për ambasadorin norvegjez, “Perceptimet kanë shumë rëndësi dhe ky është thelbi i #ColoursofAlbania. Diplomacia sot nuk është vetëm betejë për të përmirësuar gjendjen tonë materiale dhe zhvillimin, por shpesh është të ndryshojmë perceptimet, narrativat dhe idetë tona, të cilat mund të krijojnë mundësi, rritje ekonomike, bashkëpunim dhe progres”.

Për Ministren Kumbaro, #ColoursofAlbania është një aktivitet për pasaportën diplomatike më të rëndësishme që ka Shqipëria, atë që ka pasur dhe do të ketë e që nuk ia prek dot askush, që është diplomacia kulturore.

Ministri i Turizmit Klosi nënvizoi se ngjyrat e logos  janë ngjyrat e një Shqipërie të gatshme të zhvillohet në fusha të ndryshme në mënyrë të qëndrueshme, për turizëm të qëndrueshëm e gjithëpërfshirës dhe një mjedis që shkon së bashku me bukuritë e pamatshme të Shqipërisë.

Në këtë edicion krahas fotografive nga vende të njohura si Thethi, Dhërmiu, Valbona gjejmë edhe fotografi nga vende më pak të njohura, por me bukuri po aq mahnitëse si Vermoshi, Kanionet e Erzenit, fushat e Mallakastrës, Banjat e Bënjës, apo Shkopeti.

Deri tani  hashtagu #ColoursofAlbania është përdorur 23 mijë herë.

Ministria për Evropën e Punët e Jashtme ka organizuar çdo vit ekspozitën shëtitëse me fotot më të mira nga “Ngjyrat e Shqipërisë”. Deri tani këto ekspozita janë mbajtur në SHBA (Uashington, Boston,  Nju Jork), Belgjikë, Francë, Gjermani, Kinë, Hungari, Holandë, Poloni dhe do të vazhdojnë me shtrirjen e ekspozitave shoqëruese edhe në vende të tjera që përbëjnë interes për vendin tonë.

Motoja e këtij edicioni “Guxo e zgjidh shtegun më pak të rrahur” është një varg i huazuar nga një poemë e Robert Frost-it dhe u zgjodh për t’iu referuar, ndër të tjera, edhe rritjes së interesit të të huajve për vendin tonë.