Postuar më: 15 Shkurt 2017

Në Ministrinë e Punëve të Jashtme inaugurohet platforma e Shërbimit Konsullor Online

Në një aktivitet të posaçëm të organizuar në ambientet e Ministrisë së Punëve të Jashtme ku morën pjesë Kryeministri Edi Rama, Ministra të kabinetit qeveritar dhe trupi diplomatik i akredituar në Tiranë, u inaugurua fillimi i zbatimit të platformës së Shërbimit Konsullor Online (SHKO). Kjo platformë përmbush prioritetin e Qeverisë shqiptare për rritjen e transparencës dhe modernizimit të shërbimit konsullor dhe të shërbimeve në administratën publike. 

Shërbimi Konsullor Online krahas rritjes së aksesit të publikut për informacion, modernizimit, zgjerimit të gamës së shërbimeve, përmirësimit të cilësisë, lehtësimit të procedurave, shkurton kohën, rrit transparencën dhe redukton abuzimet e mundshme. Projekti reformon rrënjësisht shërbimin konsullor për shqiptarët në botë, duke krijuar 36 shërbime të posaçme, sipas praktikave më të mira e më moderne europiane nga të cilat 23 shërbime do të mund të kryhen tërësisht online, ndërsa 13 shërbime të tjera duke u paraqitur njëherë të vetme pranë Përfaqësive diplomatike dhe konsullore.

Dixhitalizimi i shërbimeve konsullore mundëson që procesi administrativ i brendshëm dhe puna e konsujve të monitorohet në të gjitha nivelet duke garantuar shpejtësi, cilësi dhe llogaridhënie. Para kësaj reforme ekzistonin rreth njëmijë formate të ndryshme në sportelet konsullore që dallonin që nga gjuha e përdorur e firma e konsullit, e deri te vendosja e vulave, shkrimi e përmbajtja e tekstit. Tashmë, me anë të Platformës së Shërbimeve Konsullore Online (SHKO) janë përpiluar dhe standardizuar mbi njëqind formularë dhe dokumente, me specifikimet dhe kodifikimet e regjistrimit të tyre elektronik. 

Në fjalën e tij Kryeministri Rama u ndal në rëndësinë që ka ofrimi shërbimeve online për qytetarët, si dhe transformimin rrënjësor në këtë drejtim, ku vetëm tre vjet më parë ofroheshin vetëm tre shërbime të tilla ndërsa sot kemi njëmijë shërbime që ofrohen online. Duke evidentuar rëndësinë që ka ky shërbim edhe në procesin e regjistrimit të qytetarëve shqiptarë jashtë vendit si dhe me ofrimin e mundësisë për ta për të votuar, Kryeministri Rama u shpreh se: “Dua të theksoj se për ne mbetet sfida e sfidave që të sigurojmë pjesëmarrjen në procesin më të rëndësishëm që janë zgjedhjet e të gjithë qytetarëve që banojnë jashtë vendit. Për të garantuar pjesëmarrjen në votime duhet të regjistrojnë shqiptarët jashtë vendit. Jemi i vetmi shtet në Europë që nuk ka të regjistruar njerëzit e vet. Nuk di as sa janë, as ku janë, as çfarë nevojash kanë dhe pa bërë këtë regjistrim e kemi të pamundur t’i përfshijmë të gjithë shqiptarët në procesin e votimit. Procesi ka filluar. Ky regjistrim i përgjithshëm që ka nisur e që do të shtrihet në të gjithë territoret ku jetojnë shqiptarët përmes aplikimeve online do të na japë mundësi që më herët se sa vonë të mund t’i përfshijmë shqiptarët jashtë vendit në procesin demokratik duke i dhënë mundësi të votojnë nga aty ku janë e mos të jenë të detyruar të vijnë në Shqipëri për të votuar. Kuptohet që dhe kjo do të kërkojë kohën e vet”.

Ministri  Bushati u ndal në risitë e reformës konsullore duke u shprehur se: “Për herë të parë që prej vitit 1998, kemi rishikuar plotësisht tarifat e shërbimeve konsullore. Disa shërbime ofrohen falas dhe disa të tjera ofrohen me tarifë të reduktuar. Kemi përgjysmuar tarifën e dublikimit të certifikatave dhe kemi ulur me 25% tarifat e legalizimeve. Nga ana tjetër, shtuam gamën e shërbimeve konsullore në shtete me prani të madhe shqiptarësh, duke mundësuar për herë të parë lëshimin e certifikatave të gjendjes civile në Itali”.

Duke u ndalur në shtrirjen e shërbimeve konsullore online dhe në vende te tjera, Ministri Bushati u shpreh se: “Vende anëtare të BE-së si Belgjika, Gjermania dhe Spanja tërhoqën rezervat e tyre për vulën apostille. Çka përkthehet në më shumë lehtësi dhe më pak shpenzime për qytetarët. Mezi presim që edhe Greqia, vendi i vetëm i BE-së që nuk i është bashkuar kësaj praktike, të ndjek shembullin e vendeve të tjera, si një sinjal i qartë i përkushtimit ndaj së drejtës ndërkombëtare dhe standardeve të gjithpranuara në këtë fushë”.

Ministrja e Inovacionit dhe Administratës Publike Milena Harito e vlerësoi si tepër të rëndësishme platformën SHKO në vrazhdën e reformimit dhe shtimit të gamës së shërbimeve që ofron administrata publike për qytetarët.