Postuar më: 17 Mars 2017

Pas Tiranës, MPJ dhe ambasadat e huaja paraqesin mundësitë për të studiuar jashtë vendit për të rinjtë në Qarkun e Shkodrës

Nën kujdesin e Ministrit Ditmir Bushati, Ministria e Punëve të Jashtme në bashkëpunim me ambasadat e vendeve të ndryshme të akredituara në Shqipëri, zhvilloi sot në Shkodër aktivitetin "Dita e hapur: Mundësitë për të studiuar jashtë vendit për studentët dhe të rinjtë në Qarkun e Shkodrës".

Ky aktivitet vjen në Shkodër menjëherë pas kryeqytetit dhe shënoi një pjesëmarrje më të lartë sepse ashtu siç u shpreh Ministri Bushati "Shkodra është qyteti i dijes, e cila ka nxjerrë shumë pena të mprehta të vendit. Në këtë kontekst, dua të çmoj figurën e Luigj Gurakuqit si figura e cila ka dhënë një kontribut të çmuar për arsimin".

"Ky event ofron një mundësi për çdo student dhe nxënës të talentuar po ashtu dhe për prindërit të cilët bëjnë sakrifica për t'i dhënë një mundësi edukimi femijëve të tyre" - vijoi Ministri Bushati. "Duam të ndërtojmë një bazë solide të dhënash për të gjithë studentët që studiojnë jashtë, për të jetësuar edukimin e tyre në funksion të përmirësimit dhe zhvillimit të vendit. Kësaj nisme do t'i shtohet dhe një nismë tjetër siç është wiki academy e cila do të jetë në funksion të përmirësimit të imazhit të vendit. Dua të falenderoj Ambasadorin Lu që përfaqëson sot këtu SHBA-në, si dhe mundësitë qē ofron ky vend dhe vendet e tjera për edukimin e brezave të rinj" - përfundoi Ministri Bushati.