Postuar më: 04 Prill 2017

Promovohet projekti “Dixhitalizimi i konventave dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”

Sot në Ministrinë e Punëve të Jashtme u zhvillua aktiviteti për promovimin e projektit “Dixhitalizimi i konventave dhe marrëveshjeve ndërkombëtare ku Republika e Shqipërisë është palë”. Në këtë aktivitet ishin të pranishëm përfaqësues të trupit diplomatik, të institucioneve shtetërore dhe akademike.

Në fjalën përshëndetëse Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati theksoi se realizimi i këtij projekti është përmbushje e një prej objektivave të Ministrisë së Punëve të Jashtme për të zgjeruar rrjetin shërbimet e saj online, ashtu siç u prezantua dhe pak kohë më parë platforma e Shërbimit Konsullor Online. Përmes këtij shërbimi do të ofrohet i gjithë informacioni në lidhje me konventat dhe marrëveshjet ndërkombëtare ku Shqipëria është palë. Ai falënderoi Kanadanë dhe Australinë për mbështetjen që dhanë për realizimin e këtij projekti, duke shprehur njëkohësisht angazhimin e qeverisë shqiptare për të nxitur më tej marrëdhëniet me këto dy vende mike.

Nga ana tyre, Ambasadorët e Kanadasë dhe Australisë shprehën kënaqësinë për pjesëmarrjen në këtë aktivitet dhe për rezultatet e projektit duke nënvizuar njëkohësisht vullnetin e qeverive respektive për forcimin e bashkëpunimit me qeverinë shqiptare dhe mbështetjen e projekteve me interes për Shqipërinë.     

Projekti “Dixhitalizimi i konventave dhe marrëveshjeve ndërkombëtare” është realizuar nga strukturat e Ministrisë së Punëve të Jashtme: Drejtoria e Traktateve dhe së Drejtës Ndërkombëtare, Drejtoria së Arkivit Historik dhe Dokumentacionit  dhe Sektori i Teknologjisë së Informacionit në bashkëpunim me Institutin Shqiptar për Studime Ligjore dhe Territoriale (A.L.T.R.I.) dhe me mbështetjen financiare të Fondit Kanadez për Iniciativa Lokale dhe të Ambasadës së Australisë.