Postuar më: 18 Nëntor 2017

Pse Shqipëria tani? – Dita e dytë e takimit të Ambasadorëve të R.Sh në botë mbi ridimensionimin e diplomacisë ekonomike shqiptare

Takimi me Ambasadorët e Republikës së Shqipërisë në botë  “Ridimensionimi i Diplomacisë Ekonomike Shqiptare: Sfida dhe Mundësi” përfundoi punimet e ditës së dytë, e cila u hap me përshëndetjen e Presidentit të Republikës, zotin Ilir Meta.

Duke theksuar rolin e konsolidimit të politikë së jashtme si faktor stabiliteti në rajon, Presidenti Meta u ndal ndër të tjera edhe në rolin e diasporës së re dhe të vjetër në raport me investimet në Shqipëri dhe në tërheqjen e investitorëve të huaj në vendin tonë. Ai nënvizoi se “ shqiptarët jashtë janë potencial po aq i madh sa shqiptarët brenda sepse për fat të keq pjesa më vitale dhe më e kualifikuar e shoqërisë sonë sot ndodhet jashtë vendit. Kësisoj, një marrëdhënie më e mirë me ta do të ndikonte pozitivisht në promovimin e vendit jashtë për të nxitur investimet e huaja.

Në takimin e sotëm panelet e diskutimit u fokusuan në prezantimin e angazhimeve dhe reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare për ndryshimet legjislative dhe qasjen e re ndaj bashkërendimit të punës me biznesin si dhe formësimin e imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë. Në këtë kontekst, Ministri i Ekonomisë dhe Financës Arben Ahmetaj tha se është e rëndësishme kalimi në një fazë të re të diplomacisë ekonomike, e cila lidhet me promovimin e Shqipërisë për përfitimin e sa më shumë investitorëve të huaj. Sipas tij, statistikat tregojnë se investimet e huaja kanë kapur vlerën e 1.1 miliard euro. 

Më tej, Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri u shpreh se vendi ynë ka potencial të madh në sektorin energjetik dhe atë minerar. Vepra të mëdha energjetike po ndërtohen dhe të tjera janë në zhvillim. Duhet të jetë e rëndësishme thithja e investimeve në fushën e gazit duke u bazuar edhe në ndikimin që projekti TAP pati në ekonominë shqiptare. 

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi në fjalën e tij e vuri theksin në promovimin e potencialit që ofron vendi ynë sidomos sektori i bujqësisë, i cili mbulon 30% të GDP së vendit. 

Gjithashtu, panelistët diskutuan mbi shkëmbimin e informacionit mes ambasadave dhe institucioneve për të rritur rolin e lobimit në mënyrë që rezultatet të jenë të prekshme. Ridimensionimi i diplomacisë ekonomike kërkon një riorganizim për të pasur rezultate pozitive dhe definimi i prioriteteve duhet të jetë në plan afatgjatë. 

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi e vuri  në faktin se duhen ndërtuar politikat e brendshme për të thithur investime në fushën e turizmin dhe se turizmi duhet të shndërrohet në një industri prodhuese për vendin tonë. 

Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjet, Sonila Qato u ndal tek investitorët e huaj të cilët operojnë në një ambient biznesi, duke vijuar me nismat konkrete të qeverisë për derregullimin e procedurave ligjore për zhvillimin e biznesit në Shqipëri. Gjithashtu theksoi faktin se pjesë e punës së përfaqësive duhet të jenë edhe tërheqja e investuesve  apo bizneseve shqiptare të cilat operojnë në vendet jashtë Shqipërisë, të cilët mund të kontribuojnë me eksperiencën dhe kapacitetet e tyre. 

Gjatë ditës së sotme ambasadorët shqiptarë në botë patën mundësi të njihen edhe me mënyrën e zhvillimit të diplomacisë ekonomike në vende të zhvilluara si Suedia dhe Holanda, si edhe të dëgjonin mbi problematikat dhe eksperiencave pozitive të investimeve të mëdha gjermane dhe amerikane në Shqipëri.

Takimi me Ambasadorët shqiptarë në botë  do të vijojë nesër në ditën e fundit të tij në praninë e Kryeministrit Edi Rama.