Postuar më: 18 Mars 2017

Shqipëria dhe Lidhja e Kombeve mbi mbrojtjen e minoriteteve

Në vazhdën e njohjes së historisë së politikës së jashtme shqiptare gjatë shekullit të kaluar nëpërmjet rekordeve diplomatike arkivore, Drejtoria e Arkivit Historik dhe Dokumentacionit bën publik dy materiale arkivore nga marrëdhëniet e shtetit shqiptar me Lidhjen e Kombeve dhe standartet e kërkuara prej saj menjëherë pas pranimit të Shqipërisë si shtet anëtar në këtë organizatë, 17 dhjetor 1920.
 
Sapo Shqipëria u bë anëtare e Lidhjes së Kombeve, Sekretari i Përgjithshëm i saj, më 20 dhjetor 1920 e më 11 janar 1921 e njoftoi qeverinë shqiptare se i duhej të deklarohej nëse do të respektonte parimet e përgjithshme në lidhje me minoritetet, duke i kërkuar në të njëjtën kohë edhe një raportim për situatën e tyre në vend. Pas një korrespondence të gjatë midis qeverisë shqiptare dhe Lidhjes së Kombeve, në seancën e 2 tetorit 1921 të Këshillit të Lidhjes së Kombeve, Fan S. Noli në emër të qeverisë shqiptare nënshkroi Deklaratën për mbrojtjen e minoriteteve në Shqipëri. Po në këtë seancë ai ngriti para Këshillit nevojën e mbrojtjes së minoriteteve shqiptare në Greqi e Serbi. Këshilli miratoi një resolutë të posaçme për Deklaratën e bërë nga delegacioni shqiptar për mbrojtjen e minoriteteve në Shqipëri. Teksti i Deklaratës, për kohën kur është nënshkruar, paraqet shumë interes për t'u njohur nga një rreth i gjërë studiuesish dhe diplomatësh shqiptare, e jo vetëm.