Postuar më: 25 Tetor 2017

Shqipëria merr pjesë në Konferencën Mesdhetare të OSBE-së në Palermo

Me ftesë të Ministrit të Punëve të Jashtme të Italisë, Angelino Alfano, në cilësinë e Kryetarit të Grupit të Kontaktit të OSBE-së për Mesdheun, për vitin 2017, në datat 24-25 tetor, u mbajt në Palermo të Italisë, Konferenca Mesdhetare e OSBE-së, në të cilën mori pjesë edhe delegacioni shqiptar, i kryesuar nga zv. Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Artemis Dralo.

Konferenca Mesdhetare e OSBE-së 2017 dhe në veçanti Segmenti Politik i Nivelit të Lartë, u fokusuan në temën e migracionit në Mesdhe dhe në sfidat për përballimin e krizave migratore në pellgun e Mesdheut dhe më gjerë. Konferenca i ofroi shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së dhe partnerëve të Mesdheut, bashkëpunimin për një mundësi në shkëmbimin e pikëpamjeve, përvojave e praktikave më të mira si dhe mësimeve të nxjerra me qëllim eksplorimin e qasjeve bashkëpunuese për çështjet që paraqet rritja e lëvizjes njerëzore, si në vendet e tranzitit, ashtu edhe në ato të pranimit.

Zv. Ministrja Dralo, theksoi në fjalën e saj se, OSBE dhe vendet mesdhetare mund të luajnë një rol të rëndësishëm për sa i përket bashkëpunimit në nivel rajonal, si një platformë e vlefshme për dialog dhe bashkëpunim midis vendeve të origjinës, tranzitit dhe destinacionit, për të ndaluar, përballuar, integruar dhe riatdhesuar emigrantët që u drejtohen brigjeve të Mesdheut. Shqipëria, u shpreh zv. Ministrja Dralo, ka qenë dhe i mbetet qëndrimit se përballja me këtë fenomen kërkon një bashkëpunim të gjerë, konkret dhe me solidaritet. Fenomeni i emigrimit, theksoi znj. Dralo, duhet atakuar që në fillesat e tij, për të eliminuar sa më parë shkaqet që e krijojnë si dhe duhet trajtuar në bazë të ligjeve dhe normave ndërkombëtare, në përputhje të plotë me respektimin e të drejtave të njeriut.