Postuar më: 07 Prill 2017

Shqyrtimi i progresit nga Ministria e Punëve të Jashtme, Bashkimi Europian dhe Këshilli për Europën në zbatimin e programit “Horizontal Facility”

Të premten më 7 prill 2017, Zëvendësministrja për Punët e Jashtme znj. Odeta Barbullushi priti takimin e parë të institucioneve përfituese shqiptare me përfaqësues të Bashkimit Europian dhe të Këshillit të Europës për të shqyrtuar përparimin e arritur në lidhje me programin e përbashkët të Bashkimit Europian dhe Këshillit të Europës “ Horizontal Facility për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë” (Horizontal Facility).

Programi 3 vjeçar Horizontal Facility  (Maj 2016-Maj 2019) ka si qëllim ardhjen në ndihmë ndaj autoriteteve në Europën Jug-Lindore për të arritur përputhshmëri më të lartë me standardet evropiane  në 3 fusha kryesore: garantimi i drejtësisë, luftimi i krimit ekonomik si dhe luftimi i diskriminimit dhe mbrojtja e të drejtave të grupeve të marxhinalizuara. Horizontal Facility ka një buxhet prej 25 milion euro, nga të cilat 20 milion janë ofruar nga Bashkimi Europian dhe 5 milion nga Këshilli i Europës.

Gjatë diskutimit mbi vitin e parë të zbatimit të programit, Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, znj. Odeta Barbullushi theksoi rëndësinë politike që qeveria e Shqipërisë u kushton tematikave të Horizontal Facility, në kuadër të angazhimeve për konsolidimin e shtetit të së drejtës, qeverisjen demokratike si dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut në vend.

Shefi i Bashkëpunimit të Delegacionit të Bashkimit Europian, z. Ygve Engstroem, shpjegoi se iniciativa së bashku me shumë projekte të tjera në këtë fushë, do të ndihmojë vendin të trajtojë mangësitë e mbetura. “Horizontal Facility do ta sjellë Shqipërinë më afër me Bashkimin Europian, ku shteti i së drejtës dhe respekti për të drejtat themelore përbëjnë vlerat bazike”- përfundoi Engstroem.

Kreu i Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, z. Claus Neukirch theksoi se qëllimi kryesor i Horizontal Facility është rritja e kapaciteteve të institucioneve shqiptare për të zbatuar rekomandimet kyçe të Këshillit të Europës në fushat e garantimit të drejtësisë, luftës kundër korrupsionit, krimit ekonomik dhe të organizuar si dhe mbrojtjes së pakicave dhe grupeve të marxhinalizuara. “Si e tillë, ai përbën një mekanizëm që i shërben jo vetëm autoriteteve por edhe përfitimeve të qytetarëve shqiptarë”- tha Neukirch.

Në takim morën pjesë zyrtarë nga Ministria e Drejtësisë, Ministria e Punëve të  Brendshme, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Pushtetit Vendor, Ministria e Integrimit Europian, Gjykata e Lartë, Kushtetuese si dhe e Apelit, Njësia e Inteligjencës Financiare si dhe përfaqësues nga Ministria e Punëve të Jashtme, Delegacioni i  Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Europës të cilët shqyrtuan dhe ofruan udhëzime për zbatimin e shtatë Veprimeve në bazë të Horizontal Facility: Forcimi i Cilësisë dhe Efiçencës së Sistemit të Drejtësisë, Luftimi i bulizmit dhe Ekstremizmit në Sistemin Arsimor, Aksioni kundër Krimit Ekonomik, Zgjerimi i mbrojtjes së drejtave të njeriut për të burgosurit në Shqipëri, Mbështetja e kompensimeve  efektive të brendshme  dhe lehtësimi i ekzekutimit të vendimeve të GJEDNJ (Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut); Parandalimi dhe luftimi i diskriminimit në bazë të orientimit seksual dhe identitetit gjinor, Forcimi i mbrojtjes së pakicave kombëtare.

Vlera totale e financimit për implementimin e shtatë Aksioneve në vend, kap shifrën e 4.5 milion Euro.