Postuar më: 04 Qershor 2018

Thellimi i marrëdhënieve ekonomike, në fokus të vizitës së ministrit Bushati në Japoni

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati ka nisur sot një vizitë në Japoni, gjatë së cilës, do të takohet me homologun e tij, ministrin për Punët e Jashtme të Japonisë, Taro Kono.

Në fokus të kësaj vizite është bashkëpunimi dypalësh dhe thellimi i marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve.

Në këtë optikë, gjatë ditës së sotme, ministri Bushati zhvilloi takime me ministrin japonez të Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë, Hiroshige Seko, Presidentin e Federatës japoneze të Biznesit, Yoshio Sato si edhe mori pjesë në aktivitetin  e organizuar me këtë rast nga ambasada e Shqipërisë në Tokio, "Një ditë shqiptare në Tokio", për promovimin e fushave dhe veprimtarisë së biznesit shqiptar në tregun japonez dhe të Shqipërisë si një destinacion potencial për investitorë japonezë.

Në takimin me ministrin e Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë, Hiroshige Seko u diskutua në lidhje me stadin aktual të marrëdhënieve ekonomike, intensifikimin e mëtejshëm të tyre dhe përqendrimin në fusha specifike si infrastruktura, turizmi dhe bujqësia. Ministri Bushati falënderoi për ndihmën e deritanishme japoneze me projekte për zhvillim, duke theksuar se ka ardhur momenti që marrëdhëniet ekonomike të marrin një hov të ri edhe në kontekstin e “Nismës Japoneze të Bashkëpunimit me Ballkanin Perëndimor”.

Ai e njohu ministrin Seko me progresin e Shqipërisë në rrugën e integrimit në BE dhe ftoi përmes tij, qeverinë dhe sipërmarrjet japoneze të mbështesin projektet e iniciuara përmes nismave të tjera në rajon, në kuadër edhe të Procesit të Berlinit dhe të partneritetit strategjik që Japonia ka me BE.

Ministri Seko ftoi sipërmarrjet shqiptare që të marrin pjesë në panairin “Expo Osaka 2025” si një mundësi e mirë e prezantimit të produkteve shqiptare në tregun japonez.  

Në fjalën e tij në aktivitetin, "Një ditë shqiptare në Tokio", ministri Bushati nënvizoi se, "Shqipëria është një vend me potencial të lartë për të investuar dhe një platformë solide për zgjerimin e investimeve japoneze në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Gjatë kësaj vizite, ministri Bushati shoqërohet nga një delegacion parlamentar dhe nga komuniteti i biznesit në Shqipëri.

Në përfundim të ditës së parë të vizitës, ministri Bushati dhe përfaqësuesit e biznesit shqiptar, zhvilluan një takim të frytshëm me Federatën Japoneze të Biznesit, ku u diskutua mbi mundësitë dhe fushat konkrete për të investuar në Shqipëri si energji, turizëm dhe infrastrukturë dhe mënyrat për të rritur shkëmbimet tregtare me Japoninë. “Ne vlerësojmë vëmendjen e shtuar të Japonisë ndaj rajonit tonë dhe “Iniciativa e Ballkanit Perëndimor” përbën një instrument të rëndësishëm për promovimin e marrëdhënieve më të ngushta midis vendeve tona”, u shpreh ministri Bushati.

Ministri Bushati siguroi interlokutorët japonezë që Shqipëria, falë pozicionit të saj gjeografik dhe reformave të ndërmarra për zhvillim dhe në përafrimin e saj me BE-në, aktualisht përbën një portë hyrëse shumë të favorshme për investime të huaja për një treg edhe më të madh përfshirë gjithë rajonin e Ballkanit.

Vizita e ministrit Bushati në Japoni do të vijojë edhe gjatë ditës së nesërme me takimin me homologun Komo, në parlamentin japonez, JICA dhe JETRO.