Postuar më: 22 Shkurt 2018

Xhafaj - Balogh: Bashkëpunim i ngushtë midis dy vendeve në fushën e diplomacisë ekonomike

Zëvendësministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Etjen Xhafaj, priti sot në një takim Sekretarin e Shtetit për Administratën Publike në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë të Hungarisë, Csaba Balogh.

Në fokus të këtij takimi ishte diplomacia ekonomike, si edhe shkëmbimi i përvojës hungareze në këtë fushë, por edhe thellimi i bashkëpunimit të dy vendeve në fushën politike dhe në kuadër të pritjes për çeljen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, si edhe mbështetja hungareze për Kosovën.

Zëvendësministri Xhafaj kërkoi të njihej në detaje mbi mënyrën e organizimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë hungareze, e cila ka inkorporuar dimensionin e diplomacisë ekonomike si pjesë integrale dhe parësore e punës së saj, në funksion të përmirësimit të efiçencës të vendit tonë në këtë fushë thelbësore të diplomacisë shqiptare. 

Z. Balogh ri-siguroi mbështetjen e plotë të vendit të tij për procesin e integrimit të Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, konfirmoi angazhimin e shtetit të tij për Kosovën, ndërsa ndau eksperiencën e Hungarisë në drejtim të ri-dimensionimit të diplomacisë ekonomike si pjesë e pandarë dhe parësore gjatë punës së diplomacisë hungareze.