Postuar më: 15 Dhjetor 2017

Zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Artemis Dralo, merr pjesë në Ministerialin e BSEC

Më 15 dhjetor 2017, zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Artemis Dralo mori pjesë në takimin e 37-të të Këshillit të Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi (BSEC), që u mbajt në Kiev të Ukrainës.

Takimi analizoi programin dhe arritjet e shënuara gjatë kryesisë gjashtë mujore të Ukrainës në këtë  organizatë dhe zhvillimet e fundit në rajonin e Detit të Zi.

Gjatë fjalës së saj në këtë takim, Zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, nënvizoi angazhimin maksimal të Shqipërisë në bashkëpunimin rajonal dhe në këtë kuadër dhe në rajonin e Detit të Zi, në mënyrë që të ketë një realitet më të prekshëm në të gjithë fushat e bashkëpunimit që përbëjnë interes për vendet dhe popujt e këtij rajoni.

Zëvendësministrja Dralo theksoi nevojën e reformave të mëtejshme dhe rritjen e vizibilitetit të organizatës si dhe promovimin e projekteve të përbashkëta, sidomos në fushat e turizmit, infrastrukturës dhe energjisë si dhe nevojën e rritjes së efektivitetit dhe bashkëpunimit me partnerët e tjerë në mënyrë të vecantë me BE-në.

Gjatë qëndrimit në Kiev, zëvendësministrja Dralo u prit në Ministrinë e Jashtme të Ukrainës nga homologu i saj, z. Vasyl Bodnar, me të cilin bisedoi rreth aktualitetit të marrëdhënieve dypalëshe dhe nevojës së konkretizimit të tyre në një të ardhme të afërt, nëpërmjet shkëmbimit të vizitave të nivelit të lartë dhe nënshkrimit të kuadrit ligjor.

Këshilli i Ministrave të Jashtëm, gjatë Takimit të Kievit, emëroi Ambasadorin Llesh Kola, për një mandat 3 vjeçar, në pozicionin e Drejtuesit Ekzekutiv në Sekretariatin e Përhershëm të BSEC, me seli në Stamboll.