Postuar më: 06 Tetor 2017

Zhvillohet në Bruksel Takimi i 8-të i Komitetit të Stabilizim- Asociimit, Shqipëri-BE

Në Bruksel u zhvillua Takimi i 8-të i Komitetit të Stabilizim - Asociimit (SA) midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian.

Takimi u bashkë-kryesua nga Genoveva Ruiz Calavera, Drejtore për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Politikat e Fqinjësisë Evropiane dhe Negociatat e Zgjerimit në Komisionin Evropian dhe Eralda Cani, Zëvendësministre për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë.

Komiteti i Stabilizim-Asociimit mori në konsideratë zhvillimet më të rëndësishme të vitit të kaluar në fushat e sundimit të ligjit, reformës së administratës publike, tregtisë, zhvillimit ekonomik, bujqësisë dhe peshkimit, industrisë, tregut të brendshëm, shoqërisë së informacionit, politikave sociale, transportit, energjisë dhe mjedisit. Gjithashtu, u rishikua edhe gjendja aktuale në lidhje me zbatimin e ndihmës financiare të BE.

Komisioni Evropian përshëndeti përparimin pozitiv në të gjitha fushat dhe theksoi nevojën për të parë rezultate të prekshme, veçanërisht në Reformën e Drejtësisë dhe në verifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe për të vazhduar progresin në të gjitha prioritetet kyçe, duke përfshirë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, kultivimin dhe trafikimin e kanabisit, reformën e administratës publike dhe të drejtat themelore.

Përtej pesë prioriteteve kryesore, Komisioni Evropian theksoi se ka çështje të tjera të rëndësishme që duhet të trajtohen. Në veçanti, Komisioni pranoi angazhimin e autoriteteve shqiptare në trajtimin e fenomenit të aplikimeve të pabazuara për azil në shtetet anëtare të BE-së dhe u kërkoi atyre të vazhdojnë përpjekjet për të adresuar këtë çështje.

Komisioni Evropian rikujtoi se bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë një pjesë thelbësore e progresit të Shqipërisë në rrugën drejt integrimit evropian. U theksua roli i Shqipërisë si një partner strategjik për BE dhe u vlerësua pozitivisht përafrimi i plotë i vazhdueshëm me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së.