Postuar më: 13 Dhjetor 2017

Zhvillohet takimi i Komisionit të Partneritetit të Ministrave të Punëve të Jashtme të Kartës SHBA-Adriatike

Në kuadër të Kartës SHBA-Adriatike, u zhvillua më 13 dhjetor 2017, në Shkup të Maqedonisë, takimi i Komisionit të Partneritetit në nivel ministrash të Punëve të Jashtme.

Në këtë takim, ku morën pjesë përkatësisht ministra dhe zv/ministra të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të Kartës SHBA-Adriatike, Bosnje-Hercegovina, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia, si dhe vendeve vëzhguese të saj, Kosovës, Serbisë dhe Sllovenisë, vendi ynë u përfaqësua nga një delegacion i kryesuar nga znj. Artemis Dralo, zëvendës Ministre e Punëve të Jashtme.

Çështje kryesore të trajtuara në takim kishin të bënin me situatën aktuale politike dhe të sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, forcimin e bashkëpunimit rajonal mes vendeve anëtare dhe vëzhguese të A-5 në funksion të integrimit euro-atlantik të rajonit si dhe mbi rrugët e një bashkëpunimi të shtuar rajonal dhe rëndësinë e zgjerimit të Kartës në përballimin e sfidave të përbashkëta të sigurisë.

Duke theksuar progresin e arritur në kuadër të rritjes së kapaciteteve të sigurisë në Evropën Juglindore, vendet shprehën aspiratën e tyre për anëtarësim të shpejtë në Aleancë, ndërsa vlerësuan kontributin e  rëndësishëm që japin në këtë drejtim vendet aleate të rajonit Shqipëria, Kroacia, Mali i Zi, si dhe SHBA-të, në mbështetje të vazhdueshme për aspiratat për anëtarësim në strukturat euro-atlantike të Maqedonisë dhe Bosnje-Hercegovinës.

Në fjalën e saj, zëvendës ministrja Dralo, pasi ilustroi sfidat aktuale për sigurinë evropiane dhe rajonale, si dhe kontributin e Shqipërisë në përballimin e tyre, theksoi  gjithashtu edhe domosdoshmërinë e forcimit të bashkëpunimit rajonal në funksion të përballimit të përbashkët të sfidave të sigurisë, jo vetëm për rajonet tona, por edhe më gjerë.

Krahas vlerësimit të kontributeve të vendeve pjesëmarrëse në operacionet e drejtuara nga NATO, veçanërisht në Afganistan, ajo theksoi edhe domosdoshmërinë e zgjerimit të Kartës me vendet e tjera të rajonit, gjë që do t’i shërbejë integrimit të plotë euro-atlantik të tij, në funksion të konsolidimit të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit të rajonit.