Postuar më: 13 Qershor 2018

Zhvillohet takimi i Koordinatorëve Kombëtare të Ministrive të Brendshme në kuadër të Presidencës shqiptare të Nismës së Azil-Migrimit dhe Refugjatëve

Më 11-12 qershor 2018, në kuadër të Presidencës shqiptare të Nismës së Azil-Migrimit dhe Refugjatëve (MARRI) u zhvilluan në Tiranë, takimi i Koordinatorëve Kombëtarë dhe Forumi i Ministrave të Brendshëm.

Pjesëmarrës në këto aktivitete ishin Zv/Ministrat e Brendshëm të Kosovës dhe Maqedonisë, Ambasadori serb në Tiranë, zyrtarë të lartë nga 6 vendet pjesëmarrëse të MARRI-t, si dhe përfaqësues të Organizatave Ndërkombëtare GIZ, IOM, UNHCR, FRONTEX, Swiss Cooperation etj.

Shqipëria u përfaqësua nga znj. Rovena Voda, Zëvendësministre e Brendshme, njëherazi dhe Koordinatore Kombëtare për MARRI-n, e cila mbajti fjalën në emër të Ministrit Fatmir Xhafaj.

Gjatë punimeve të Forumit, Drejtorja e MARRI-t Tamara Mugosa, përgëzoi rolin aktiv të Shqipërisë gjatë periudhës së Presidencës së MARRI-t (qershor 2017- qershor 2019), duke veçuar arritjet e  rëndësishme në reformimin e MARRI-t, si dhe rritjen e bashkëpunimit rajonal për vendet e Ballkanit Perëndimor për sa i përket migracionit, azilit dhe çështjeve që lidhen me refugjatët.

Në përfundim, pasi u bë kalimi i Presidencës së radhës tek Bosnja-Hercegovina u procedua me përzgjedhjen e Drejtorit të ri të kësaj nisme,  ku u përzgjodh kandidatura maqedonase Sasko Kocev.