Postuar më: 01 Nëntor 2017

Zv. Ministrja Dralo mori pjesë në Konferencën e II mbi “Pluralizmin fetar dhe kulturor dhe bashkekzistencën paqësore në Lindjen e Mesme”

Zv. Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Artemis Dralo, mori pjesë në Konferencën e II mbi “Pluralizmin fetar dhe kulturor dhe bashkekzistencën paqësore në Lindjen e Mesme”, që u zhvillua më 29-31 Tetor 2017, në Athinë.

Konferenca është fokusuar në shqyrtimin e të gjitha dimensioneve dhe aspekteve të konflikteve në vazhdimësi në rajonin e Lindjes së Mesme, si dhe në elaborimin e mënyrave më të mira për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të komuniteteve të ndryshme fetare dhe kulturore dhe promovimit të bashkëjetesës paqësore e mirëkuptimit të ndërsjelltë.

Konferenca ofroi mundësinë e dialogut gjithëpërfshirës midis të gjithë aktorëve rajonalë dhe ndërkombëtarë, me theks të veçantë në mbrojtjen e jetës njerëzore, tolerancës, pluralizmit, bashkëjetesës paqësore, multikulturalizmit dhe multi-fetarizmit në vendet e rajonit të Lindjes së Mesme.

Presidenti i Republikës Greke, Prokopis Pavlopulos, përfaqësues të lartë të vendeve të ndryshme dhe organizatave ndërkombëtare, dhe krerë fetarë të krishterë, muslimanë dhe hebrenj nderuan Konferencën, me praninë e tyre.

Në fjalën e saj, Zv.Ministrja Dralo, përcolli eksperiencën tonë në zhvillimin e dialogut që nxit afrimin, respektin e ndërsjelltë dhe bashkëjetesën paqësore midis bashkësive të ndryshme fetare dhe kulturore në vendin tonë.