Postuar më: 03 Maj 2018

Fjala e ministrit Bushati, sot në Parlament

Faleminderit Kryetar,

Doja vetëm të sqaroja disa të pavërteta që u thanë këtu, për fat të keq nga parafolësit. Ka disa fakte që janë të vërteta absolute dhe që mund të verifikohen lehtësisht.

Fakt! Komisioni Evropian ka rekomanduar nisjen e bisedimeve për anëtarësim, për Shqipërinë, në Bashkimin Evropian.

Fakt! Nga e gjithë analiza që ka bërë Komisioni Evropian për të gjitha kushtet, përfshirë luftën kundër korrupsionit, luftën kundër krimit të organizuar, luftën kundër trafiqeve të ndryshme të lëndëve narkotike, e deri tek çështjet e bujqësisë, peshkimit, mjedisit, lëvizjes së lirë të mallrave, të kapitaleve, të shërbimeve e kështu me radhë, nuk ka asnjë fushë, që sipas Komisionit Evropian, Shqipëria të mos ketë bërë progres. Që do të thotë se, ky rekomandim i Komisionit Evropian, i pakushtëzuar, i qartë, drejtuar vendeve anëtare për vendimmarrjen finale, të cilat bëjnë edhe një gjykim politik, jo thjesht vlerësimin teknik që bën Komisioni Evropian, është tregues i reformave që ka ndërmarrë Shqipëria, sidomos gjatë dy viteve të fundit.

Në qoftë se ka një fushë ku Shqipëria bën qartësisht diferencë me vendet e tjera është:

Procesi i Vettingut dhe e gjithë reforma që është kryer në sistemin e drejtësisë është nga më shembullorët që Shqipëria ka ndërmarrë që në gjenezë me vendet partnere dhe me institucionet e Bashkimit Evropian, qoftë në procesin e Vettingut, ku bashkëpronësinë në këtë reformë e ka Bashkimi Evropian, e kanë vendet anëtare, e kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ashtu edhe në operacione të ndryshme, në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve ndërkombëtare, ku qartësisht Shqipëria bën diferencën, jo vetëm me vendet e tjera të Rajonit, por edhe me  disa vende anëtare të Bashkimit Evropian.

 

Këto janë fakte!

Më pas, a kemi bërë, për të thënë që i kemi larë hesapet me krimin e organizuar, me korrupsionin dhe me transformimin më të madh që duhet të vazhdojë shoqëria shqiptare dhe institucionet shqiptare? Natyrisht që jo.

U tha këtu që do merret një grup ekspertësh dhe do të bëhet një verifikim tjetër për këto procese. Totalisht e pavërtetë! Totalisht e pavërtetë! Shqipëria është vendi i vetëm, në Rajon që e ka hapur derën për ekspertizën, jo vetëm të Komisionit Evropian, por edhe për misionet monitoruese që vende të ndryshme anëtare të Bashkimit Evropian dëshirojnë të bëjnë dhe që synojnë anëtarësimin në BE. Reformat dhe cilësia e tyre maten natyrisht me vullnetin që dëshmojnë shtetet në këtë proces.

E patë, Kryeministri foli shumë qartë.  Flasim për vullnetin politik. Krahasojmë pak raportin e Departamentit Amerikanë të Shtetit kur Lulzim Basha i lëshonte drejtësisë, dhe çfarë konstatonte ky raport.

Krahasojmë pak raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit në momentin kur ish Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu ia hidhte fajin e Gwrdecit, Gardës sw Republikës, çfarë thoshte Departamenti Amerikan i Shtetit.

Marrim raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit, raportin e Komisionit Evropian dhe të gjitha llojet e raporteve po të doni, se çfarë thonin për kulturën e pandëshkueshmërisë dhe për qasjen e ndryshme që ekziston sot, kur për një zyrtar të lartë të shtetit shqiptar ka një akuzë të ngritur nga organet e prokurorisë. Këto janë mëse të qarta, jo thjesht etike dhe politike. Këto janë vëllime shumë më të rëndësishme sesa historitë e lavdishme apo jo për ndërtimin e partive politike në Shqipëri.

Eshtë është për të ardhur keq që sot këtu, asnjë nga dy partitë e opozitës nuk u angazhuan për të bllokuar disa procese të cilat nuk janë pra jo thjesht për Brukselin apo Parisin e Berlinin por, edhe për qytetarët e zakonshëm. Doni më për raportin? Ju jap unë. Doni raportin e Komisionit Evropian këtë vit? Procesi i vetingut i gjyqtarëve dhe prokuroreve u vonua për shkak të bllokimit të opozitës. Procesi i zbatimit të reformave në drejtësi që ishte kurth që shoqëron rekomandimin e 2016-ës për hapjen e negociatave për Shqipërinë, nga bojkoti parlamentar i Partisë Demokratike. Këto janë të shkruara shumë qartë.

Është shumë e rëndësishme që nga ky moment, deri në qershor apo kurdo të jetë vendimmarrja për negociatat, dialogun politik të cilin e kemi këtu në parlament t’a kthejmë në një dialog substancial për të vazhduar procesin e reformave shtet-konsoliduese te cilat janë në një proces të pakthyeshëm.

Faleminderit.