Postuar më: 26 Mars 2018

Fjala e Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati në Këshillin Kombëtar të Integrimit

Faleminderit zoti kryetar,

Zonja ambasadore,

Të nderuar kolegë deputetë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe të institucioneve të ndryshme publike që jeni sot këtu.

Shkurtimisht dua ti bashkohem fjalëve të Kryetarit të Këshillit e Ambasadores së Bashkimit Evropian mbi rëndësinë e Strategjisë së Zgjerimit dhe transformimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke qenë se është një dokument i parë politik nga ana e Komisionit Evropian, i cili i prezantohet vendeve anëtarë në radhë të parë të Bashkimit Evropian dhe një dokument të tillë, vendet dhe Komisioni nuk e kanë pasur të paktën që prej Samitit të Selanikut të vitit 2003, frytet e të cilit ne i gëzojmë dhe sot e kësaj dite si vende në proces të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.   

Së dyti, është e rëndësishme të theksohet qasja gjithëpërfshirëse në këtë strategji për të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, në kushtet kur situata politike brenda Bashkimit Evropian nuk është gjithmonë në favor të konceptimit të Ballkanit Perëndimor, me gjasë vende si një i tërë. Prandaj e kemi vlerësuar dhe përshëndesim qasjen kurajoze të Komisionit Evropian në këtë drejtim për ti prezantuar një udhërrëfyes të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, pavarësisht subjektivitetit juridiko-ndërkombëtar që ato kanë. Një dhe së dyti, pavarësisht stadit në të cilin ato ndodhen, gjithashtu është e rëndësishme sepse Strategjia e Zgjerimit dhe transformimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor ofron një horizont, që është horizonti i 2025 dhe siç e dimë shumë mirë ne këtu, për një pjesë të mirë të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian horizontet, përcaktimi i afateve dhe datave, jo gjithmonë tingëllojnë pozitivisht për to. Pavarësisht se sa na përket ne, besojmë fuqimisht që qasja e kalendarëve veçse mund ti motivojë vendet e Ballkanit Perëndimor për të ecur përpara me ritmin e reformave.   

Pikë tjetër e rëndësishme është çështja, në rast se në këtë strategji ka vende të cilat mund të mos kenë një perspektivë imediate anëtarësimi. Besoj se me këtë strategji, Komisioni vë kapakun mbi të gjitha llojet e diskutimeve, në disa rasteve dhe spekulimeve për sa i përket këtij procesi ku në disa raste merr si shembull pozitiv vendet që janë në tryezën e negociatave për anëtarësim. Në raste të tjera, merr vende të cilat edhe pse nuk kanë nisur ende procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, kanë shënuar hapa konkretë siç është rasti i Shqipërisë për Reformën e Sundimit të së Drejtës në Ekonomi e më posaçërisht, Reformës në Drejtësi.

Është shumë që gjithashtu strategjia e zgjerimit vë gishtin mbi plagët të cilat konsiderohen të tilla për të gjitha vendet që janë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Kjo është edhe arsyeja pse i gjithë procesi i zgjerimit në vendet tona orientohet për nga përparësia që ka të bëjë me reformat në fushën e sundimit të së drejtës, lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar, liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, liria e medias e kështu me radhë. Por është po aq i vërtetë fakti që Komisioni, për herë të parë parashikon që brenda Tetorit te 2018- ës të ketë një katalog për sa i përket sundimit të së drejtës dhe për sa i përket reformave në fushën e sundimit të së drejtës që të jete i detyrueshëm edhe për vendet anëtare të Bashkimit Evropian.

Leximi ynë është që kjo nxitje e Komisionit Evropian që vjen edhe nga një situatë pak a shumë diverse që ekziston brenda vetë Bashkimit Evropian përsa i përket reformave në fushën e sundimit të së drejtës, bashkëpunimit të institucioneve prestigjioze, siç është rasti i Komisionit të Venecias. Bashkëpunimi me shërbimet e Komisionit në fushën e së drejtës e kështu me radhë. Gjashtë nismat janë nisma apo iniciativa të rëndësishme për të cilat ne kemi shprehur angazhimin për të punuar me komisionin dhe me vendet anëtare. Sundimi i së drejtës, forcimi i sigurisë, mbështetja e zhvillimit ekonomik e shoqëror, rritja e ndërlidhjes, mbështetja e një agjende digjitale për rajonin dhe së fundi, por jo më pak e rëndësishme, marrëdhëniet e fqinjëve e zgjidhja e mosmarrëveshjeve dhe ecja drejt pajtimit.

Të gjitha këto iniciativa madhore pritet që të konkretizohen në periudhën në vijim. Cila është koreografia me të cilën ne do të përballemi gjatë 2018-së?

Fillimisht presim raportin e Komisionit Evropian për të gjitha vendet që janë në proces zgjerimi. Natyrisht, interesi ynë kryesor është Shqipëria. Në rast se do t’i përmbahemi vetë strategjisë së zgjerimit në faqen e 7-të të saj kur i referohet progresit domethënës të Shqipërisë dhe Maqedonisë dhe gatishmërisë së Komisionit për të rekomanduar fillimin e bisedimeve për anëtarësim, ne mbetemi shpresëplotë që në prill Komisioni do të rekomandojë nisjen e këtij procesi. Do të rekomandojë nisjen e këtij procesi bazuar edhe mbi logjikën e rekomandimit të 2016-së ku vetë Komisioni paraqiti një rekomandim të kushtëzuar duke e shoqëruar atë me zbatimin e reformës në drejtësi, më posaçërisht me zbatimin e ligjit të Vettingut dhe natyrisht, me progresin e vazhdueshëm që duhet të demonstronte vendi për sa i përket reformave të tjera.

Kjo përqasje e 2016-së siç dihet është mbështetur me deklaratën e Presidencës në 2016-n në mungesë të konkluzioneve të përbashkëta të Bashkimit Evropian që nuk kishin në fakt lidhje me ne por me një vend tjetër dhe bazuar edhe mbi progresin në dy vitet e fundit, ne besojmë që Komisioni Evropian në mënyrë të besueshme, do të paraqesë para vendeve anëtare jo thjesht rekomandimin për fillimin e bisedimeve për anëtarësim, por edhe do të përshkruajë reformat e ndërmarra gjatë këtyre dy viteve duke skicuar natyrisht edhe disa sfida dhe probleme të cilat do të duhet të vijojnë që të përballohen nga ana e vendit tonë.

Ne besojmë që kemi bërë një progres të qenësishëm për sa i përket reformës në administratën publike duke i marrë një e nga një prioritetet e evidentuara edhe nga raporti i fundit i Sigmës për sa i përket kësaj reforme dhe ecurisë së kësaj reforme. Besojmë gjithashtu që në një fazë të hershme të këtij procesi, Shqipëria po vendos një precedent duke adresuar një pjesë të mirë të detyrimeve që burojnë nga kapitujt 23 dhe 24, një fazë të hershme të këtij procesi para se të nisë në fakt procesi.  

Në rast se do ti referohemi strategjisë, strategjia bën thirrje për pasjen e një reforme, për pasjen e një strategjie sesi të reformohet sistemi i drejtësisë. Ndërkohë, Shqipëria ka kohë që e ka një strategji, i ka kryer të gjitha hapat dhe tanimë është në fazën e zbatimit të reformës në drejtësi dhe besimi dhe i interlokutorëve evropianë është që shumë shpejt kjo reformë do të vendosë një standard të ri edhe për fqinjët, qofshin këto në tryezën e bisedimeve apo në pritje të fillimit të bisedimeve për anëtarësim.  

Po kështu, rezultatet në luftën kundër krimit të organizuar, kundër trafiqeve, bashkëpunimit policor ndërkombëtar, janë impresionuese dhe e kanë pozicionuar Shqipërinë gjithashtu, në dallim nga një pjesë e mirë e vendeve që kanë probleme në bashkëpunimin ndërkombëtar në luftimin e fenomeneve të tilla, në një pozicion  i cili i krijon mundësi Komisionit Evropian për të propozuar fillimin e bisedimeve për anëtarësim. 

Po kështu, reforma në fushën  e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, miratimi i përbashkët i ligjit në lidhje me të drejtat e pakicave por jo vetëm, janë dëshmi e angazhimeve që ka marrë Shqipëria në këtë proces. Në maj, për herë të parë  që nga Samiti i Selanikut, gjithashtu do të bëhet Samiti i fokusuar për vendet e Ballkanit Perëndimor,  vetëm për vendet e Ballkanit Perëndimor, jo për të gjitha vendet që janë në proces zgjerimi   dhe në këtë Samit do të diskutohet edhe për nismat e atyre për të cilën folëm dhe për mënyrën sesi vendet e Ballkanit Perëndimor do të procedojnë më tej në procesin e anëtarësimit.

E kemi konsideruar 2018 së bashku me partnerët evropianë si një dritare e artë e mundësisë. Le të mos harrojmë që 4 vite më parë, kur shkojmë te fillesat e Komisionit aktual Evropian, kemi një ndryshim të klimës në mënyrë pozitive drejt procesit të zgjerimit. Pra, fillimisht klima drejt procesit të zgjerimit ishte që nuk do të kishte zgjerim brenda mandatit të këtij Komisioni. Tanimë ka një lëvizje më përqafuese drejt domosdoshmërisë së procesit të zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor, në funksion të eksportimit të stabilitetit demokratik në hapësirën tonë dhe duket që kjo lloj klime reflektohet jo vetëm në fjalimin e Presidentit të Komisionit Evropian, Juncker, në vizitat që ai bëri në  6 kryeqytetet e vendeve të Ballkanit Perëndimor, por edhe në këtë dokument që është paraqitur për shqyrtim para vendeve anëtare.

Në qershor, do të jetë takimi i Këshillit Evropian ku do të jetë një mundësi e mirë  për vendet anëtare për të marrë gjithashtu në shqyrtim paketën e zgjerimit, propozimit dhe rekomandimit që do të bëjnë Komisioni Evropian në këtë drejtim.

Një fjalë të fundit dua të them përsa i përket përpjekjeve tona dhe mënyrës se si ne e konsiderojmë këtë proces. E pra, nuk e di se nga del konkluzioni por mund t’ju them që në çdo takim ndërkombëtar, ne flasim në emër të Shqipërisë. E dyta, duke qenë se flasim në emër të Shqipërisë, konsiderojmë edhe arritjet në këtë proces si arritje të përbashkëta. E treta, besojmë që ky proces dhe fillimi i bisedimit për anëtarësim do të jetë hapi i parë drejtë një etape tjetër, drejtë një rruge e cila do të jetë e gjatë me plot sfida ndaj kërkon kontributin e secilit prej nesh. E treta, edhe pse kemi ndërmarrë disa reforma kurajoze, një pjesë e këtyre reformave kanë prodhuar efektet e tyre në praktikë. Besojmë se nuk ka vend për vetëkënaqësi. Klima politike brenda Bashkimit Evropian, duhet ta themi, nuk besoj se përbën ndonjë sekret të madh nëse e themi këtu, nuk është një klimë veçanërisht përqafuese drejtë  procesit të zgjerimit. Ka kohe që nuk ka një shpirt politik të investuar tek ky proces edhe si pasojë e zhvillimeve politike në shumë prej vendeve anëtare të Bashkimit Evropian apo vendeve me peshë në vendimmarrje, prandaj çdo punë e përbashkët në këtë drejtim, çdo komunikim i përbashkët në këtë drejtim, në funksion të arritjeve të Shqipërisë, është veçse i mirëpritur.

E fundit, por jo më pak e rëndësishme. Ne kemi bërë një punë paraprake me Komisionin Evropian gjatë gjithë këtyre dy viteve, që kur Komisioni Evropian bëri rekomandimin e kushtëzuar ku për dy prej kapitujve më të rëndësishëm, kapitulli 23 dhe 24 ka filluar puna paraprake edhe në nivel teknik, pra është bërë një ushtrim paraprak mes ekspertëve tanë dhe ekspertëve të Komisionit Evropian. Kjo punë, e kombinuar dhe më punën që po bëhet për kapitujt 23 dhe 24, na krijojnë ne bindjen e plotë që në momentin që Shqipëria ulet në tryezën e bisedimeve për anëtarësim, do të fitojë një pjesë të kohës së humbur për shkak të punës paraprake që është bërë në këtë drejtim.

Faleminderit.