Postuar më: 28 Shkurt 2018

Fjala e Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati në Komisionin e Jashtëm

28 shkurt 2018

Mirëmëngjesi zonja Kryetare!

Të nderuar kolegë deputetë!

Faleminderit për ftesën që më keni bërë për të ardhur sërish në këtë Komision të nderuar dhe për të dhënë disa shpjegime mbi ecurinë e dosjes sonë me Greqinë dhe gjithashtu, në mënyrë më të posaçme të ecurisë së progresit përsa i përket çështjes së delimitimit të zonave detare.

Fillimisht do të doja të ndaja me ju një lajm të gëzuar, pjesë në fakt të paketës së diskutimeve me Greqinë të cilën unë e kam shtjelluar disa herë para këtij komisioni, qoftë mandatin e kaluar, qoftë këtë mandat. Herën e fundit, ishte para një muaji, ku një prej çështjeve të diskutimeve ishte heqja e rezervës ndaj vulës apostile, e cila ka hyrë në fuqi dje me tërheqjen që i ka bërë Greqia dhe siç dihet, ky është një lajm shumë i mirë për bashkatdhetarët tanë që jetojnë e punojnë në Greqi, sepse kostoja e aplikimit për çdo dokument që lëshohej nga autoritetet në Shqipëri, ishte rreth 20 euro, çka sipas përllogaritjeve vetëm për 2017-ën, shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në Greqi, kanë paguar 6.7 milionë euro.

Duke hequr këtë rezervë ndaj apostiles, Greqia si vend i fundit i BE-së që mbante këtë rezervë ndaj nesh, vendet para saj, Spanja, Belgjika, Gjermania i kanë hequr gjatë 4 viteve të fundit, na krijohet një mundësi e mirë për të shkuar drejt një pakete më shtjelluese të ofrimit të shërbimeve konsullore, sikundër Shqipëria sot për sot, e ofron për të gjithë bashkatdhetarët që jetojnë në Itali. Është një moment pozitiv që vjen si pasojë e një procesi që ka nisur disa vite më parë për të sistemuar të gjitha çështjet e hapura me Greqinë në një paketë, duke i kategorizuar me tre shporta: Shporta e çështjeve që mbartin një peshë të caktuar historike që kanë origjinën tek Ligji i Luftës, shporta e çështjeve të aktualitetit që ka të bëjë me shërbimet konsullore, njohjen e patentave, një sërë çështjesh që kanë lidhje me shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në Greqi, me minoritetin grek në Shqipëri, apo siç quhen ndryshe çështje të përditshmërisë dhe shporta e tretë, çështje të një karakteri strategjik, ku pikënisja natyrisht është përfundimi i të gjithë regjimit kufitar, qoftë përmes përcaktimit të zonave detare, në përputhje me konventën mbi të drejtën e detit, ashtu edhe përfundimi i pjesës tokësore me marrëveshjen për menaxhimin e incidenteve kufitare dhe piramidave në kufi.

Këto janë tre shportat të cilat siç e kam theksuar disa herë të tjera në këtë komision, por edhe në parlament, ne i kemi renditur përmes shkëmbimit të notave me palën greke në 2016-ën. Dhe shkëmbimi i notave është pasuar me ngritjen e një mekanizmi diplomatik, në nivelin më të lartë të diplomatëve të të dy vendeve, që ishte i përqendruar ekskluzivisht në këto çështje, ekskluzivisht në çështjet që përcaktonte shkëmbimi i notave ndërmjet dy ministrive. Një mekanizëm diplomatik që duhet ta shpjegoj sot prapë këtu, ka ecur paralelisht dhe ka qenë komplementar në të gjitha takimet që janë kryer, të paktën që nga vjeshta e 2013-ës e deri më sot.

Rreth 39 takime në nivel ministrash të Jashtëm, qoftë dypalësh apo në kuadër të platformave shumëpalëshe, 4 takime të mekanizmit diplomatik, ku ka pasur diskutime të shtjelluara për këtë çështje, një takim i posaçëm në nivelin e sekretarëve të përgjithshëm të dy institucioneve respektive. Sikundër ju kam thënë, pas takimit të kryeministrit Rama dhe kryeministrit Tzipras në samitin e NATO-s në qershorin e vitit të kaluar, u ra dakord që krahas mekanizimit diplomatik, ministrat e Punëve të Jashtme të të dy vendeve respektive, së bashku me ekipe nga institucione të ndryshme të shteteve në fjalë, pra të Shqipërisë dhe Greqisë, të uleshin dhe të diskutonin në një mënyrë edhe më intensive, siç ishin takimet e Kretës dhe të Korçës, për çështjet që kishin lidhje me këtë paketë.

Dhe frytet e këtyre diskutimeve, ne kemi mundësi, sot për sot, t’i prekim dhe t’i demonstrojmë. Dhe ne kemi mundësi që krahas fryteve të kësaj pakete, të cilat do të jenë në proces dhe lajme pozitive do të ketë edhe në ditët në vijim që impaktojnë drejtpërdrejtë jetën e qytetarëve tanë, të kishim mundësi që të fillonim nga puna për një marrëveshje të re për delimitimin e zonave detare. Më duhet t’a theksoj: Një marrëveshje të re, sepse një pjesë e mirë e kolegëve që sot janë këtu në të majtën time, deri në shtatorin e vitit të kaluar, kanë qenë të ulur së bashku me ne, në të njëjtat karrige qeveritare, sikundër Presidenti i Republikës ka qenë Kryetari i Kuvendit dhe është zgjedhur me votat e mazhorancës së kaluar dhe ka qenë natyrisht pjesë apo në dijeni të këtyre diskutimeve dhe zhvillimeve që janë bërë me palën greke. Shpresoj shumë që në të njëjtën kohë kanë qenë edhe pjesë e vizionit të qeverisë, të reflektuar në programin 2013 – 2017 dhe natyrisht në vijim të programit 2017 – 2021 që kjo qeveri ka prezantuar dhe është votë-besuar, për politikën e Jashtme.

Them një marrëveshje e re sepse dihen qëndrimet për këtë çështje. Qëndrimi dhe faktet besoj janë të njohura për opinionin publik, por meqë solemniteti i kësaj seance mund ta kërkojë, është e qartë që gjykata Kushtetuese në vitin 2010 e rrëzoi marrëveshjen e arritur nga Shqipëria me Greqinë për detin, për ta thënë me fjalë më të thjeshta, duke i çuar palët në pozicione diametralisht të ndryshme. Qëndrimi i palës greke ka qenë thuajse konstant për të respektuar marrëveshjen e arritur me Shqipërinë. Qëndrimi ynë ka qenë gjithashtu konstant sipas të cilit vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i padiskutueshëm dhe përbën vijën e kuqe të çdo lloj qeverie në Shqipëri që kërkon t’i jap një zgjidhje në të ardhmen kësaj çështje.

Natyrisht, Shqipëria dhe Greqia janë pjesë dhe kanë detyrime nga korpusi i të drejtës ndërkombëtare dhe kur i referohem korpusit të së drejtës ndërkombëtare në fushën e detit, pika kryesore është, Konventa mbi të Drejtën e Detit apo Konventa e “Montego Bay-t”, e cila përcakton parime dhe ofron një metodologji për mënyrën se si palët, shtete të ndryshme mund t’i japin zgjidhje këtyre çështjeve. Natyrisht, qëndrimet e palëve, për sa i përket marrëveshjes së 2009 dihen. Dihet qëndrimi i qeverisë së asokohe. Ne kemi qenë në atë kohë në  opozitë, ishim forca politike që kërkuam pranë Gjykatës Kushtetuese shfuqizimin e kësaj marrëveshjeje, për arsye të cilat i kemi bërë me dije, dhe publike, figurojnë në pjesën përshkruese të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Dihet qëndrimi i qeverisë nga periudha 2009 – 2013 por nuk besoj se e ka njeri mundësinë për të vënë në diskutim faktin që jemi përballë një vendimi që e bën nul atë marrëveshje nga ana e Shqipërisë.

Gjatë katër vitesh e gjysmë që janë bërë diskutime të ndryshme për këtë çështje, siç i’a kam shpjeguar me maturi dhe institucionalizëm Presidentit të Republikës, janë bërë gjithashtu diskutime që në 2014, ajo që quhet në anglisht “brainstorming” po që mund të jetë stuhi mendimi, gjimnastikë truri, si duam t’a përkthejmë, për të kuptuar shqetësimet apo kufizimet që kanë palët për sa i përket këtij procesi. Është bërë leximi i qëndrimeve të palëve në nivel teknik në 2014 dhe 2017 krahas të gjitha mekanizmave dhe rrugëve të tjera diplomatike të cilat unë i përshkrova natyrisht, me vendosjen e mekanizmit diplomatik, me sistemimin e të gjitha çështjeve që ne ende i kemi të hapura me Greqinë, me ulje ngritjet që ka pësuar marrëdhënia jonë me fqinjët.

Rruga për të ardhur në një marrëveshje të re nuk ka qenë aspak e lehtë. As nuk kemi pritur as nuk kemi kërkuar mbështetje për këtë proces, por kemi kërkuar më e pakta reflektim, përgjegjshmëri dhe institucionalizëm sepse është bërë një punë shumë e madhe përpara për të hapur një faqe të re. Dhe po ju them shembujt, jo shumë kilometra larg nesh janë të ndryshme. Kemi dy shtete fqinje ku njëra palë ka vrapuar dhe një marrëveshje për demarkacionin e ka ratifikuar në kuvend, duke ju imponuar nga pikëpamja ligjore palës tjetër, për të respektuar një marrëveshje për të cilën ka rënë dakord. Kemi pak kilometra më larg, dy palë të tjera të Bashkimit Evropian që nuk e kanë gjetur gjuhën e përbashkët me njëra tjetrën, sot nuk e gjejnë dot gjuhën as në vendimin e arbitrazhit. Pavarësisht që duhet t’ua them që në fillim, në mënyrë që t’jua kursej minutat, në arbitrazh ndërkombëtar, meqë ju kam dëgjuar shumë nëpër media, në bazë të statutit të gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë, që është i detyrueshëm për të gjithë ne, shkohet vetëm kur dy palët:

  1. E kanë ezauruar ciklin e negocimit mes tyre dhe nuk kanë arritur në një marrëveshje;
  2. Kur bien dakord të dyja palët për të shkuar drejt një arbitrazhi ndërkombëtar.

Këtu keni folur për kuvendin, keni folur për opozitën dhe keni folur për shoqërinë civile. Opozitën unë e di që është pjesë e kuvendit. Keni qenë, jeni këtu dhe unë jam në dispozicionin tuaj sepse unë ju respektoj si opozitë për të ardhur dhe për t’iu dhënë përgjigje për të gjitha çështjet që ngrihen. Kur të shkojmë drejt një marrëveshjeje, do të krijojmë dhe platformën për shoqërinë civile, por po ju them që gjatë 4 apo 5 viteve që ne përgatitemi në mënyrë sistematike për këtë proces, ekspertë të fushave të ndryshme, të cilët i kemi të identifikuar në realitetin shqiptar, i kemi konsultuar të gjithë.

Marrëveshje nuk ka sepse e keni shkruar këtu, marrëveshje etj. etj.

Pyetje: Pas deklarimeve nga ana e Presidentit për mosdhënien e asnjë plotfuqishmërie për çeljen e të tilla negociatave, ne kërkojmë të dimë edhe përgjigjen tuaj për këtë çështje thelbësore?

- E para, të nderuar kolegë deputetë të opozitës, Presidenti i Republikës, në bazë të ligjit nuk jep plotfuqishmëri. Ligji që keni miratuar ju 43/2016 përcakton qartë kush e jep plotfuqishmërinë. Presidenti i Republikës jep autorizimin, për dhënien e plotfuqishmërisë është kompetencë e Ministrit të Punëve të Jashtme. Për këtë lloj negocimi është shumë e vërtetë që unë si Ministër i Punëve të Jashtme, i kam kërkuar Presidentit të Republikës dhënien e autorizimit për plotfuqishmërinë, për fillimin e bisedimeve me Greqinë. Për t’a kuptuar fare thjeshtë: I kam kërkuar Presidentit të Republikës për të na dhënë autorizim për të filluar punën konkrete, me dëshirën dhe synimin për të arritur një marrëveshje me Greqinë për këtë çështje. Besoj se nuk është normale që këtu unë të them se cila ka qenë përgjigja ime apo cila ka qenë përgjigja e Presidentit të Republikës për këtë çështje sepse me Presidentin e Republikës, përveç se në kuptimin njerëzor të fjalës, unë kam komunikuar në rrugë institucionale dhe do të vazhdoj që të dy këto komponentë t’i shfrytëzoj përsa kohë unë do të jem në këtë detyrë dhe përsa kohë ai do të jetë në detyrën e Presidentit të Republikës, sepse na imponon ligji dhe Kushtetuta që të kemi bashkëpunim. Por për të shuar çdo lloj kërshërie, Presidentit të Republikës i është bërë kërkesa nga ana ime para se të procedohej me kërkesën për autorizim. Unë kam bërë një konsultë me Presidentin e Republikës. Më vjen mirë që mbrëmë, Presidenti i Republikës ka deklaruar se është takuar, është një ndryshim pozitiv nga deklarimi që bëri në konferencën për shtyp para pak ditësh, sipas të cilit nuk kishte pasur asnjë informacion. Më vjen mirë që direkt është detyruar pas letrës sime të dytë, ku i përcakton dhe se kur jam takuar, pasi për hir të së vërtetës ju duhet ta dini që Presidenca dhe Ministria e Jashtme janë dy institucione që ruhen nga Garda e Republikës dhe hyrje-daljet e njerëzve janë të monitorueshme dhe çfarëdo që të them unë, apo Presidenti i Republikës, për fat të mirë shteti ka rregulla dhe këto rregulla janë të sanksionuara aty dhe janë për secilin prej nesh të detyruara për t’u ndjekur, para se të procedoj me kërkesën, kam bërë konsultën me Presidentin e Republikës ku natyrisht si dhe në rastet e kaluara, më vjen mirë që edhe mbrëmë te Eni Vasili, Presidenti i Republikës ka pranuar në dallim nga konferenca e shtypit që edhe përpara Korçës, unë jam takuar me të dhe e kam informuar gjithashtu që kërkesa do të vijë në rrugë shkresore.

E vërtetë është, më duhet t’a them që institucionet kërkojnë autorizim për dhënie plotfuqishmërie nga Presidenti i Republikës për marrëveshje ndërshtetërore apo nga Kryeministri për marrëveshje ndërqeveritare, për të cilat, më pas, plotfuqishmëria lëshohet nga Ministri i Jashtëm për shumë çështje. Në asnjërën prej këtyre çështjeve nuk ka pasur asnjëherë ndonjë konsultim paraprak. Për këdo që është i interesuar për të kuptuar se si zhvillohet ky proces, kam një dosje të tërë, të paktën që kur ka hyrë ky ligj në fuqi, ku i ka të dy praktikat, edhe praktikën e Bujar Nishanit, edhe praktikën e Ilir Metës, të cilat ngjajnë si dy pika uji me ç’ka është bërë dhe brenda këtyre ditëve. Por, për shkak të rëndësisë që ka çështja, i kam paraprirë kërkesës për autorizim me këtë konsultë.

Pyetje:  Cili është grupi negociator, çfarë përbërje ka, cili është niveli i përfaqësimit në këtë grup i ekspertëve të fushave, i ekspertëve nga opozita dhe shoqëria civile, në mënyrë që ky grup të jetë i pakontestueshëm dhe të përfaqësojë në mënyrë të drejtë të gjithë interesat kombëtare?

-Në radhë të parë t’iu shpjegoj konceptin e ligjit sepse e keni të gjithë këtu para. Në rast se i qëndrojmë strikt kërkesave që përcakton ligji, neni 6 pika c, “Plotfuqinë për marrëveshjet ndërkombëtare, thotë në rastet e përmendura në shkronjat a dhe b të kësaj pike, kërkesa për lëshimin e plotfuqisë i drejtohet autoritetit kompetent për lëshimin e autorizimit nga institucioni që ka iniciativën për lidhjen e marrëveshjes, të shoqëruar nga teksti i marrëveshjes dhe një relacion shpjegues”. Meqenëse është bërë tema e parë e diskutimit, ishin emrat, a duhet të dalin emrat, pse mbahen sekret emrat etj, etj. Këto janë kërkesat formale të ligjit. Më pas vijmë te çështja e emrave, a janë emrat nominal apo ex officio, sepse dhe në pyetjen që bëhet këtu, ka një kundër sens logjik, nga njëra anë thoni emrat nga ana tjetër thoni ekspertë të fushave që duhet të përfshijnë të gjitha fushat. Madje dhe opozitën e quani fushë dhe shoqëri civile. Atëherë po ju them: Në asnjë vend të botës nuk ka ekspertë nga shoqëria civile apo ekspertë nga opozita që të negociojnë një çështje të tillë. Ka dy koncepte e drejta ndërkombëtare. Koncepti i plotfuqishmërisë, i cili i jep garanci dhe besim palës tjetër në negociata, në rastin në fjalë Greqisë, që lista e këtyre njerëzve që janë përballë tyre ka mbështetjen e instancës shtetërore. B) Lista e njerëzve mbi bazën e këtij ligji është e rëndësishme që të jetë mbi bazën e parimit të përfaqësimit institucional. Pra, në qoftë se është një çështje që lidhet me flotën detare, normalisht që në tryezë të bisedimeve duhet të jetë personi përgjegjës nga flota detare. Në qoftë se është një çështje që lidhet me menaxhimin e pasurive të mundshme natyrore, personi përgjegjës duhet të jetë nga institucioni përkatës që është AKBN-ja e kështu me radhë.

Presidenti i Republikës ka kërkuar emrat. Natyrisht ka kërkuar CV e këtyre emrave dhe natyrisht ne ja kemi vënë në dispozicion emrat, funksionet përkatëse, CV e tyre. E ka bërë publik faktin që për këta emra ka kërkuar një verifikim nga instancat shtetërore përkatëse. Po ju them. Para se të procedonim për këta emra, ne kemi bërë verifikimin tonë. Institucionet do të përgjigjen për këtë çështje, por nuk është absolutisht normale për një shtet që të diskutojë emrat në publik dhe të fillojë linçimi i tyre. Përgjegjësia për këtë proces është një përgjegjësi politike dhe kush ka vërejtje për emrat individualë, i drejtohet instancave shtetërore, jo në daljen para parlamentit. Nuk është parlamenti as Shërbimi Informativ Shtetëror, as DSIK-ja, as Shërbimi Informativ i Ushtrisë. Parlamenti ushtron kontroll mbi mënyrën se si operohet me një proces. Kush ka interes për të ditur historikun e x dhe y, le t’i drejtohet mbi bazën e rregullave që kemi miratuar të gjithë së bashku, instancave përkatëse. Sepse po ju them, bëni një gabim jashtëzakonisht të madh që merreni me individët. E para, tentojmë t’i intimidojnë. E dyta, u japim një mësim dhe një sinjal shumë të keq edhe fqinjëve me të cilët ne duam që të negociojmë një marrëveshje të re.

Pyetje: Nëse është ngritur ky grup ekspertësh për të negociuar, cili është tagri që ka ky grup? Cilat zona do të delimitohen dhe a janë të përcaktuara në aktin e plotfuqishmërisë së Presidentit të Republikës ?

-Në qoftë se ju zotëroni një të tillë, sërish i njëjti gabim. Ju lutem shumë, kur doni të bëni një kërkesë nuk është konflikt interesi, na thërrisni t’ju ndihmojmë për të bërë kërkesën siç duhet. Nuk është turp të mos dish diçka. Është më mirë të pyesësh. Nuk lëshon plotfuqishmëri Presidenti. Edhe ai i shkreti e dinte gabim dhe sot thotë që, “po, kam autorizimin”. Njerëzit rreth e përqark tij ia kanë thënë gabim. Presidenti ka autorizim dhe në kërkesën që ne i kemi nisur Presidentit të Republikës janë të përcaktuara shumë qartë objekti, titulli, projekt – marrëveshja, relacioni, ekipi negociator, CV e tyre, si në asnjë rast tjetër. Në momentin që Presidenti i Republikës do të japë autorizimin për këtë gjë, më pas në aktin e plotfuqishmërisë që lëshohet nga ministri i Punëve të Jashtme do të figurojnë të gjitha këto çështje që shtrohen.

Pyetje: Nëse është arritur marrëveshja në nivel politik, sikurse është deklaruar nga ana e ministrit të Jashtëm të Republikës së Greqisë, a është kjo një shkelje e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, në qoftë së mungon edhe plotfuqishmëria e Presidentit?

-Tani këtu unë po i referohem shkresës që më ka ardhur nga ju. Ruani të gjithë qetësinë, zërin mos e ngrini. Zonja kryetare, ju kërkoj që të mbani qëndrim për epitetet që u përdorën. Unë jam shumë i qetë. Tre gjërave nuk kam çfarë t’i bëj në këtë proces, egos, paranojës dhe Saliut. Këtyre tre gjërave nuk kam çfarë t’i bëj. Gjithë gjërave të tjera jam i gatshëm që t’i përgjigjem. Tre gjërave dhe e kuptoni shumë mirë se kujt po i drejtohem, egos, paranojës dhe Saliut. Këto janë tre halle të mëdha.

Por, po ju them, ministri i Jashtëm grek, homologu Kotzias, në dy intervista të tij, meqenëse thoni se ka deklaruar që kemi arritur marrëveshjen. E para, në përgjigje të opozitës greke, flet shumë qartë dhe thotë “nuk ka një marrëveshje me palën shqiptare” sepse edhe ai akuzohet në Greqi që po i shet detin Shqipërisë, siç ju po na akuzoni ne.

E dyta, kjo është intervista e Kotzias dhënë televizionit grek, dhënë radios greke e transkriptuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë. E para thotë, pala shqiptare pret autorizimin e Presidentit të Republikës për të nisur punën për një marrëveshje të re. E dyta, më akuzoni i thotë opozitës greke, por nuk ka një marrëveshje ende me Shqipërinë.

Unë nuk e di se çfarë do të thotë marrëveshje në nivel politik, unë di sa çfarë do të thotë marrëveshje në kuptimin e së drejtës ndërkombëtare. Marrëveshje në kuptimin e së drejtës ndërkombëtare është kjo që sapo ju thash. Në qoftë se ju quani marrëveshje politike faktin qe ne duam të nisim punën për të përfunduar me shpresë me synim një marrëveshje, ky është interpretimi juaj të cilin unë veçse e respektoj.

Thoni, nëse marrëveshja është arritur në nivel politik - çfarë u ngelet ekspertëve të bëjnë? – Thjesht certifikimin e marrëveshjes politike në një kohë që duhet të jetë e kundërta. Bëhen negociata në nivel eksperti dhe më pas nënshkruhet marrëveshja politikisht?

Po ju them dhe njëherë tjetër që cilat janë hapat për t’u arritur një marrëveshje.

Cilat janë hapat për t’u arritur një marrëveshje në të drejtën ndërkombëtare. ABC-ja e Kushtetutës shqiptare. ABC-ja e ligjit për marrëveshjet ndërkombëtare. ABC-ja e reformës të domosdoshme në sistemin arsimor që të mos prodhojë letra të tilla. Do të thotë, së pari, nis puna mbi autorizimin. Lëshohet plotfuqishmëria, fillojnë diskutimet. Në rast se ka një marrëveshje sërish duhet të shkohet tek rasti në fjalë, tek Presidenti i Republikës për të lëshuar autorizimin që më pas të lëshohet plotfuqishmëria për firmosjen e kësaj marrëveshjeje.

Kjo marrëveshje duhet që të ratifikohet më pas nga ana e Parlamentit në të dyja vendet, qoftë në Shqipëri, qoftë në Greqi, dhe në rastin tonë, të paktën e di shumë mirë që, duhet të dekretohet nga ana e Presidentit të Republikës dhe më pas për t’u publikuar në Fletoren Zyrtare.

Këto janë pyetjet të cilat janë shtruar nga ana e deputetëve të opozitës. Pyetje të cilave unë në respekt të solemnitetit të kësaj seance dhe faktit që këtu minutat mbahen me rigorozitet, ju referova siç janë nënshkruar dhe siç kanë ardhur zyrtarisht pranë institucionit të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Dhe këtu ka media dhe mund ta verifikojnë në rast se unë deformova në një nga këto çështje që u thanë.

Por, duke përfunduar sqarimin mbi pyetjet që u ngritën, mund t’ju them si më poshtë. Ne jemi të vendosur për të ecur përpara në këtë proces. Çdo lloj interesimi për këtë çështje, jemi të vendosur që t’i japim përgjigjen në mënyrë që të ketë sa më shumë qartësi, qoftë për ju të nderuar deputetë që më kërkoni informacion shtesë, qoftë institucioneve të tjera. Është shumë e rëndësishme që të ndajmë pjesën institucionale të këtij procesi nga pjesa politike. Nuk e mirëkuptoj dot, por në fund të ditës, pjesë e lojës politike është, e pranoj që ju që e shpërfillët totalisht Presidentin e Republikës në 2009, që i thonit “horrë bulevardi”. Sot jeni kthyer në avoketërit më të mëdhenj të Presidentit të Republikës. Mund t’ju them që qëndrimi ynë ka qenë shumë i qartë në përputhje me atë vendim të Gjykatës Kushtetuese. Kemi bërë një ligj të ri, sesi lidhen marrëveshjet ndërkombëtare, ku e kemi sanksionuar shumë qartë çështjen e autorizimit dhe plotfuqishmërisë si për rastet kur marrëveshjet janë ndërshtetërore kërkohet autorizimi nga Presidenti, ashtu edhe për rastet kur janë ndërqeveritare dhe kërkohet nga ana e Kryeministrit. Mund t’ju them gjithashtu që nuk i heq asnjë presje që ushtrimi i politikës së Jashtme kështu ka qenë, kështu do të jetë në çdo lloj libri që ka dalë deri më sot eksluzivitet i ekzekutivit, por është shumë e rëndësishme që ky eksluzivitet i ekzekutivit të ketë një mbikëqyrje shpresoj si kjo e sotmja nga legjislativi që të ketë dhe një bashkëpunim sa më të mirë ndërinstitucional, sa më mirëkuptues, në funksion të jetësimit të objektivave të politikës së Jashtme.

Mund t’ju garantoj, siç ju kam garantuar para një muaji që, çdo marrëveshje e re me Greqinë, për sa i përket delimitimit të zonave detare, bazuar mbi konventën e të drejtës së detit, vendimmarrjen e gjykatës Kushtetuese, legjislacionin e brendshëm, parimet dhe metodologjitë e shpërfillura totalisht në marrëveshjen e 2009-së, të cilat për ne janë udhërrëfyes për arritjen e një marrëveshje të re, ne jemi plotësisht të bindur që do të kemi një marrëveshje më të mirë, më të drejtë dhe të zbatueshme për të dyja palët.

Në 2009, kush ka dashur që të flasë këtu dhe të debatojë për konsistencën mund t’jua them, qëndrimet e Sali Berishës pasi firmosi këtë marrëveshje me Karamanlis që thotë,  “s’kemi asnjë çështje më të hapur me Greqinë, të gjitha çështjet i kemi mbyllur, i thash mikut tim e mikut tim” etj. etj. nga ato frazat shabllon.

Ministri i Jashtëm i vitit 2010, Ilir Meta që thotë: I bëj thirrje Edi Ramës mos t’i bëjë shantazh gjykatës se kjo është një marrëveshje e shkëlqyer. Sot, unë me gjithë maturinë institucionale, i shoh aktorë të ndryshëm që nuk e di pse dhe çfarë kauze i ka bërë së bashku. Janë bërë flamurtarët më të mëdhenj të vendimit të gjykatës Kushtetuese të cilin e kanë akuzuar si një vendim të korruptuar, si një vendim që ishte nxitur nga turqit, nga doktrinat e Davutoglu etj. etj.

Të gjitha këto i injoroj dhe i marr për lajthitje politike. Por, po ju them dhe njëherë tjetër, për ne udhërrëfyes mbetet konventa, vendimi i gjykatës dhe ligji. Kemi bërë një metodologji që nuk është bërë asnjëherë për një proces rigoroz duke njohur rëndësinë e çështjes. Është marrë çdo aspekt i kësaj çështjeje në shqyrtim nga të gjitha institucionet shqiptare. Nuk është një punë kjo e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Kjo është një punë e qeverisë dhe institucioneve të shtetit shqiptar. Punë e cila duhet të bëjë krenar çdo njëri. Unë e vlerësova Presidentin e Republikës kur nuk i kurseu komplimentet për kryeministrin grek në konferencën e shtypit para një jave por, do të kishte qenë në dinjitetin e Presidentit të Republikës të mos kursente komplimentet edhe për punën e mirë që është bërë deri tani, duke shoqëruar me dyshimin që kjo punë duhet të vazhdojë deri në fund dhe duhet të verifikohet deri në fund si e tillë.

Faleminderit.