Postuar më: 02 Tetor 2017

Fjala e Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati në Komisionin e Jashtëm mbi Projektligjin “Për njohjen dhe të drejtat e Pakicave Kombëtare”

2 tetor 2017

Të nderuar deputetë,

Me qenë se është prania ime e parë në këtë komision për parlamentin që sapo ka filluar mandatin dhe duke qenë se  ky është komisioni me të cilin institucioni që përfaqësoj në ekzekutiv e lidh më shumë puna, doja të shprehja fillimisht angazhimin dhe disponibilitetin tim dhe të ekipit të institucionit që drejtoj, për të pasur një bashkëpunim sa më të mirë, qoftë në nivel ekspertësh për ato çështje që prekin punën e komisionit, por nuk diskutohet edhe në nivelin e lidershipit politik.

Projektet që do vijnë do të shqyrtohen këtu dhe sidomos seancat e ndryshme, qofshin këto për kërkesë llogarie apo konsultuese për çështje që prekim politikën e jashtme dhe natyrisht, çështje që prekin integrimin evropian. Sikundër nga eksperienca e shkuar, anëtarët e nderuar të këtij komisioni janë kryesisht njerëz me eksperiencë politike dhe Ministria e Punëve të Jashtme mbetet në gatishmëri për t’ju ndihmuar në ato raste kur çmohet e nevojshme nga ana juaj sidomos për aktivitete të ndryshme ndërkombëtare ku dëshironi që të mbani qëndrime në lidhje me politikën e Jashtme apo në fusha të tjera të veprimtarisë së institucionit që përfaqësoj. Natyrisht që mbetemi në dispozicionin tuaj. Për të ardhur tek tema e sotme, tek prezantimi i projekt-ligjit, “Për mbrojtën e pakicave kombëtare në Republikën e Shqipërisë”. Siç e thatë edhe ju zonja kryetare, javës që shkoi ne kemi bërë një diskutim në parim në Komisionin e Ligjeve dhe shpreh mirënjohjen për diskutimin konstruktiv dhe për votimin njëzëri nga të gjithë aktorët politikë të këtij projekt ligji i cili, duhet thënë, është një angazhim i hershëm i shtetit shqiptar, një angazhim që buron kryesisht nga përkatësia që ka në instanca ndërkombëtare, nga anëtarësia jonë në Këshillin e Evropës, nga aderimi i Shqipërisë në Konventën Kuadër  për minoritetet e Këshillit të Evropës që ndoshta është edhe dokumenti më i plotë, më gjithëpërfshirës që merret apo trajton të drejtat e pakicave kombëtare. Pa dashur për t’u futur shumë gjatë në historikun pse erdhëm në këtë ligj, mund t’ju them që mekanizmat e Konventës Kuadër të Këshillit të Evropës erdhën me një opinion këshillimor përsa i përket Shqipërisë, ku vlerësoj që duhej ndërmarrë një rishikim tërësor i kuadrit ligjor dhe institucional në mënyrë që Shqipëria të kishte një legjislacion modern dhe institucione moderne që do t’i përgjigjeshin sfidave të kohës, kryesisht në fushën e pakicave.

Më pas, vetë Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës konfirmon pak a shumë këtë projeksion, këtë trend të iniciuar nga opinioni i Këshillit të Evropës dhe më pas, siç dihet, këto çështje u morën në referencë edhe nga ana e Komisionit Evropian, nga ana e Bashkimit Evropian dhe u lidhën me një nga prioritetet që mbulon liritë dhe të drejtat themelore të njeriut. Dhe vijimësisht që nga raporti i Komisionit Evropian në 2013 e deri te raporti i fundit i 2016, ne kemi një ekzaminim nga ana e Komisionit Evropian, duke i’u referuar ekspertizës së Këshillit të Evropës për sa i përket zhvillimeve në këtë fushë. Pse them zhvillime në këtë fushë? Sepse, ndonëse ishte një angazhim i vjetër i Shqipërisë, kujtoj këtu planin kombëtar për zbatimin e marrëveshjes së Stabilizim Asoccimit në vitin 2006-2007 vetëm pak momente pas firmosjes së këtij dokumenti apo të kontratës kryesore që Shqipëria kishte me BE-në, ne kemi një vullnet të shprehur nga qeveria shqiptare në atë kohë, por që nuk u materializua dot asnjëherë. Nuk është momenti këtu për t’ju referuar arsyeve përse nuk u materializua, por në vitin 2014, pra disa vite më vonë, përmes urdhrit të Kryeministrit u ngrit një grup ndër-institucional nën drejtimin e Zëvendësministrit të Punëve të Jashtme që udhëhoqi të gjithë procesin që na ka sjellë në fakt sot këtu. Dhe gjatë gjithë këtij procesi, janë angazhuar dhe janë përfshirë jo thjesht institucione brenda suazës së ekzekutivit apo institucione të shtetit shqiptar, qofshin këto Avokati i Popullit, Komisioneri Kundër Diskriminimit, Komiteti Shtetëror për Minoritetet, por në ketë proces u përfshinë edhe shoqata të cilat preken apo do të përfitojnë nga zbatimi i këtij ligji.

Nga ana tjetër, është e rëndësishme të theksoj faktin që ky është një proces disa vjeçar. Për vetë rëndësinë dhe specifikën që paraqet projektligji në fjalë, i është nënshtruar ekspertizës më cilësore ndërkombëtare. Dihet që ekspertiza më cilësore ndërkombëtare në këtë fushë është Këshilli i Evropës, është Komisioneri mbi të drejtën e pakicave të OSBE-së , por jemi përpjekur për të shkuar edhe më tej duke përfshirë në procesin e konsultimit dhe në procesin e dëgjesave që janë bërë gjithë kësaj periudhe edhe pedagogë, ekspertë vendas që kanë një ndjeshmëri, përveç ekspertizës për këtë çështje.

Mund t’ju them që vetëm nga ekspertiza e huaj ne kemi pasur tre opinione për stade të ndryshme në të cilat ka kaluar projektligji dhe ekspertiza i është ballafaquar mendimit të institucioneve përgjegjëse, pra atyre katër institucioneve që ju përmendët në fillim të seancës, të cilët kanë firmosur projektligjin në momentin para se të miratohej në Këshillin e Ministrave. Dhe çdo gjë është bërë në përputhje me ligjin për konsultimin publik nga pikëpamja e procedurës dhe në rast se ligji imponon autoritetet që duhet ta publikojnë draftin, projektin dhe ta mbajnë të publikuar 20 ditë në faqen online të institucionit, në rastin e këtij ligji ne kemi preferuar të marrim dyfishin e kohës, 40 ditë në mënyrë që t’i jepnim mundësi ç’do shoqate, ç’do institucioni, që të sillte apo të kanalizonte përmes këtij mekanizmi pikëpamjet për sa i përket ligjit dhe nga ana tjetër, në dokumentacionin që i është përcjellë Kuvendit dhe Komisionit përgjegjës dhe kam përshtypjen edhe Komisionit të Politikës së Jashtme, keni tabelën e grupeve të konsultuara, qëndrimet që janë mbajtur për çdo takim dhe linjat mbi të cilat është vepruar. Natyrisht që ligji është në përputhje të plotë me Konventën Kuadër. Konventa Kuadër edhe në konceptin e së drejtës ndërkombëtare, përcakton një lloj dyshemeje dhe përcakton disa parime. Në një pjesë të mirë të rasteve, këto parime janë thuajse të trupëzuara me legjislacionet kombëtare të vendeve anëtare në Konventë.

Është e rëndësishme gjithashtu për të theksuar që jo të gjitha vendet e rajonit, jo të gjitha vendet e Bashkimit Evropian janë pjesë e Konventës. Pra, kur flasim për praktikat më të mira ndërkombëtare, kur flasim për frymën evropiane, duhet t’i kemi parasysh këto çështje. Por kjo nuk e ka penguar Shqipërinë, dhe kur marr periudhat e ndryshme që u referova në vite, e bëj me qëllim për të theksuar që gjatë gjithë kësaj periudhe tek trajtimi i pakicave kombëtare ka dominuar një frymë konsensusi politik për mënyrën sesi Shqipëria i trajton pakicat dhe mënyrën se si ne mendojmë për të përmirësuar dhe modernizuar jo thjesht kuadrin ligjor, por edhe atë institucional.

Për sa i përket hartimit dhe përmbajtjes së këtij projekt- ligji, në vija të përgjithshme mund të them që, për herë të parë me një projekt ligj, ne do të parashikojmë përkufizimin e pakicave kombëtare. Pra, deri më sot kemi pasur një situatë ku aplikimi i Konventës Kuadër apo angazhime të tjera që ka ndërmarrë shteti shqiptar në një mënyrë apo një tjetër, janë si të mirëqena për sa i përket përkufizimit të pakicave kombëtare. Në disa raste ka pasur edhe dallime për sa i përket pakicave kombëtare dhe pakicave etno-gjuhësore. Dallime në trajtim, dallime këto më pas të verifikuara edhe në mënyrën se si janë përfaqësuar këto pakica në institucionet përfaqësuese të shtetit shqiptar dhe këtu e kam fjalën për Komitetin e Pakicave.

Për herë të parë ne kemi gjithashtu listimin e pakicave kombëtare. Pra, në këtë ligj ne kemi një listim të pakicave kombëtare. Këtu ne jemi përballur me dy ide. Nuk ka një praktikë të uniformizuar apo nuk ka një acquis të BE-së le të themi, për sa i përket kësaj çështjeje. Ka vende të cilat nuk i kanë të listuar minoritetet që i njohin si të tilla në një ligj. Ka vende të tjera të cilat e bëjnë këtë. Ne kemi preferuar për t’i dhënë ligjvënësit një tagër më të madh, duke qenë se është përfaqësuesi apo shprehësi i drejtpërdrejtë i vullnetit të sovranit, ndërkohë siç përcaktohet edhe në ligj, njohja e një minoriteti do të duhet që të kalojë në një proces filtri i cili natyrisht kryhet nga organet e ekzekutivit.

Dhe kemi shkuar për këtë model i cili është një model më i avancuar sepse e kufizon në maksimum mundësinë për abuzim nga ana e ekzekutivit, sidomos për arsye elektorale. Sepse njohja e minoriteteve, duke qenë tagër i ligjvënësit, garanton më shumë ndershmëri dhe më shumë drejtësi në këtë proces.

Për sa i përket minoriteteve apo pakicave kombëtare mund të them që në ligj përcaktohen qartë dy elementë që janë thelbësorë dhe që janë udhërrëfyes apo udhëpërshkrues dhe pse ne kemi arritur tek listimi i këtyre minoriteteve që ju keni në ligj.

Është kriteri subjektiv, pra vetë-deklarimi që bën secili prej nesh kudo që ai ndodhet dhe normalisht vetë-deklarimi bëhet përmes procesit të censusit.

Shqipëria ka pasur disa procese të tilla, pas përfundimit të luftës së Dytë Botërore e deri tek procesi i fundit që është kryer në 2011.

Bie fjala, në rast se marr një rast spekulativ, unë mund ta deklaroj veten nga mëngjesi deri në darkë japonez apo kinez dhe kjo është e drejta e vetë-deklarimit dhe është ana subjektive për të cilën flet Konventa Kuadër e Këshillit të Evropës. Por, në fund të ditës janë institucionet të cilat janë përgjegjëse për verifikimin e kësaj gjëje ç’ka unë po them. Verifikim që ka të bëjë në radhë të parë me traditën, me kulturën, me arkivat e shtetit dhe me proceset me të cilat është zhvilluar censusi. Në rast se i referohemi pakicave të cilat listohen në ligj, mund të thuhet me kompetencë që këto janë pakica që kanë dalë nga kombinimi i dy kritereve apo i dy aspekteve që unë sapo përmenda. Pra, i vetë-deklarimit, i aspektit subjektiv dhe i anës objektive të punës që bëjnë institucionet për verifikimin e asaj ç’ka deklarohet.

Ne kemi një rregullim tërësor në këtë drejtim dhe dua të sqaroj një çështje tjetër e cila shpesh keqkuptohet, keqinterpretohet. Në Shqipëri nuk ka një koncept për sa i përket të ashtuquajturave zona ku jetojnë pakicat dhe jo më kot ky ligj përfshin edhe ato pakica të cilat deri para pak kohësh, janë konsideruar etno-gjuhësore dhe për të cilat shteti shqiptar ka qenë nën detyrimin ndërkombëtar për të raportuar. Ka një mekanizëm raportimi ku të gjitha shtetet që janë palë e Konventës Kuadër raportojnë për sa i përket të drejtave, mbrojtjes, por natyrisht promovimit të të drejtave të pakicave. Për njerëz për shembull që këtu kanë një background në çështje sociale, mund të them dhe palën rome, pra pavarësisht në rast se kishim apo nuk kishim këtë ligj, ne kemi qenë në një lloj raportimi dhe në një lloj detyrimi si vendet e tjera palë për të raportuar. Në këtë kontekst, ligji në momente të caktuara mund të thuhet që është edhe një fotografim i realitetit ekzistues, plus akumulim i të gjithë kësaj praktike, që nga njohjet formale që shteti shqiptar që nga krijimi i tij mund të ketë bërë për minoritete të caktuara, e deri tek njohje që vijnë sot me këtë ligj por që në fakt kanë ardhur si pasojë e praktikës së raportimit që shteti shqiptar ka bërë kryesisht pas rënies së regjimit komunist.

Për sa i përket zonës, apo të ashtuquajturave zona të pakicave, mund të themi që me këtë ligj ne synojmë për të garantuar mbrojtjen e të drejtave të pakicave kudo ato ndodhen, kudo ato jetojnë. Natyrisht që ligji ka disa specifika, kryesisht në ato zona ku ne kemi një përqendrim më të madh të pakicave dhe në ligj ne kemi përcaktuar dyshemenë apo kriterin dysheme prej njëzet përqind në mënyrë që në ato zona ku ka një përqendrim më të madh që e kalon njëzet përqindëshin, autoritetet vendore do të duhet që të komunikojnë me banorët në gjuhën e tyre, krahas gjuhës zyrtare që është gjuha shqipe. Po e njëjta logjikë është dhe për sa i përket mbrojtjes së traditave, dokeve, zakoneve, sidomos komunikimit në gjuhën e pakicës në ato raste kur kalohet kjo shifër për të cilën përmendet. Shifra nuk ka rënë nga qielli, natyrisht ka modele e modele, Konventa Kuadër më duhet ta them, nuk ka një përcaktim, pra nuk përcakton një dysheme, nuk ka një përqindje që e vendos. Praktika e shteteve të ndryshme është e ndryshme. Kushdo prej jush mund të konsultohet dhe mund të shohë që vende fqinje me ne, nuk kanë rënë fare në këtë konventë, nuk njohin fare konceptin e pakicës kombëtare, sikundër ka vende që e njohin pak a shumë dhe kanë këtë standard që flasim. Ka një përcaktim dysheme në disa raste prej 30%, në raste të tjera më pak se 20%. Në bashkëpunim edhe me ekspertët ndërkombëtarë ne kemi rënë në një mendje që 20% është diçka e logjikshme për kushtet e Shqipërisë dhe më tej sigurisht Ministria e Brendshme, së bashku me autoritetet e pushtetit vendor do të duhet që ta detajojnë më tepër këtë lloj kriteri përmes akteve nënligjore, në mënyrë që çdo gjë të jetë e normuar në përputhje me frymën dhe parimet që përçon ligji.

Elementi i fundit në parashtrimin tim ka të bëjë me kuadrin institucional që krijohet. Do të ketë një komitet shtetëror për pakicat. Në këtë komitet shtetëror do të jenë të përfaqësuar të gjithë përfaqësuesit e pakicave që liston e që ligji njeh si të tillë dhe përmes akteve nënligjore do të bëhet e mundur edhe procedura që do të ndiqet për përzgjedhjen e këtyre personave në Komitetin Shtetëror, sepse në të kaluarën, duhet thënë ka pasur ngërçe, p.sh, fillimisht kemi pasur minoritetin serbo-malazez dhe pas shpërbërjes së federatës Serbi-Mali Zi dhe krijimit të Malit Zi si një shtet i pavarur, ka pasur pretendime legjitime për të pasur një përfaqësim në përputhje me realitetin e ri që ishte krijuar.

Me këtë ligj, ne krijojmë mundësinë që ç’do pakicë që njihet dhe që është e listuar të këtë përfaqësinë e saj në këtë komitet që do të jetë komiteti përgjegjës për politikat shtetërore që do të ndiqen në funksion jo vetëm të mbrojtjes por edhe promovimit të të drejtave të pakicave, sikundër për herë të parë ne krijojmë me këtë ligj fondin e posaçëm për pakicat. Fondi i posaçëm për pakicat do të jetë një fond i cili do të shkojë përtej lojës tradicionale apo sëmundjes tradicionale që në fakt, nuk prek vetëm shoqatat që mbrojnë pakicat e ndryshme kombëtare në këtë fushë. Pra, shtrihet edhe tek ata individë, pjesë të pakicave kombëtare, pavarësisht se ku jetojnë, të cilët janë të deklaruar dhe janë të njohur si pakicë kombëtare, në funksion të ideve dhe projekteve që mund të kenë për të promovuar sa më mirë të drejtat e tyre.

Ky fond shtetëror do të vihet në dispozicion të zbatimit të projekteve të tyre të ndryshme në këtë fushë. Kjo nuk e lë në hije punën e bashkive apo punën e autoriteteve vendore, punën e qeverisë dhe instancave të ndryshme që mund ta kenë fokusin në këtë drejtim. Është një fond komplementar i cili pritet që të ndihmojë dhe të lehtësojë zbatimin e këtij ligji në praktikë. E fundit, përpara se ta mbyll, në komisionin e Ligjeve, e them edhe për ta racionalizuar ndoshta kohën e debatit këtu, me të drejtë lindi pyetja për sa i përket akteve nënligjore që do të duhet të dalin në zbatimin e këtij ligji.

Natyrisht do të duhet teknika legjislative që është përpjekur të gjej një kompromis mes asaj ç’ka është logjike për ligj-kuadër, siç është ky dhe elementët e “detyrat e shtëpisë” që do të duhet të krijojnë të gjitha institucionet e tjera për t’a zbatuar në praktikë këtë ligj.

Këtu kam parasysh faktin që shpesh lind pyetja: Çfarë ndodh nëse kemi një realitet të ri? Sepse ligjet bëhen dhe siç shihet, ky është ligji i parë në këtë fushë ku ne kemi aderuar në kuadër të Konventës së Minoriteteve në ’99 dhe jemi pothuaj pas 20 vitesh që po vijmë me këtë ligj.

Pra, çfarë ndodh kur kemi një kuadër të ri? Natyrisht, kur kemi pretendim apo një kërkesë për t’u njohur si pakicë kombëtare, automatikisht është institucioni përkatës, është Ministria e Brendshme dhe institucionet e pushtetit vendor të cilat do të bëjnë verifikimet në bazën e kritereve objektive që imponon standardi ndërkombëtar, në rastin në fjalë konventa dhe vetë ky ligj. Tani nuk diskutohet që në periudhën 6 mujore nga miratimi i këtij ligji në parlament, Ministria e Brendshme do të ndërmarrë disa hapa në funksion të zbatimit të këtij ligji. Ka detyrime specifike në këtë projekt-ligj për Ministrinë e Arsimit apo për Ministrinë e Përkujdesjes Shoqërore dhe Shëndetësisë. Pra, për të gjitha këto institucione dhe për të gjitha këto të drejta që lidhen në një mënyrë a në një tjetër në fushën e veprimit të institucioneve që unë përmenda, do të kenë një punë voluminoze në konsultë me ekspertizën ndërkombëtare, në mënyrë që ne të kemi një kuadër ligjor dhe nënligjor sa më adekuat e sa më modern në këtë fushë. Unë ju falënderoj e shpresoj që t’i kem prekur të gjitha çështjet por natyrisht unë dhe i gjithë ekipi këtu jemi në dispozicionin tuaj sidomos për çështje që mund të mos kem qenë i qartë.

Faleminderit!