Postuar më: 08 Maj 2018

Fjala e Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati në Komisionin për Politikën e Jashtme

 

Faleminderit znj. Kryetare,

Të nderuar kolegë deputetë,

Shkurtimisht më lejoni që të ofroj një panoramë ose një vështrim tonin për sa i përket raportit të Komisionit Evropian dhe përgjithësisht Paketës së Zgjerimit në lidhje me Shqipërinë dhe me hapat që synohen të hidhen në këtë proces.

Siç dihet, në 2016-n, Komisioni Evropian i rekomandoi Këshillit hapjen e bisedimeve për anëtarësim duke shoqëruar këtë rekomandim me mirëkuptimin që Shqipëria do të zbatonte Reformën në Drejtësi, më posaçërisht, ligjin për Vettingun apo siç njihet ndryshe, vlerësimi i figurave të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe në të njëjtën kohë do të siguronte progres në zbatimin e pesë prioriteteve kyçe për anëtarësim.

16 muaj më vonë, në 17 prill, Komisioni Evropian rekomandoi hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë në mënyrë të qartë apo siç thuhet në mënyrë të përditshme të pakushtëzuar.

Paketa e Zgjerimit e 2016-s, para 16 muajsh, shtoi për herë të parë edhe disa kritere të reja për vlerësimin e vendit, përfshirë këtu jo vetëm progresin e vendeve krahasuar me vitet e mëparshme por, edhe nivelin e përgatitjes së tyre për të qenë vend anëtar. Të njëjtën metodologji ne e shohim edhe në raportin që u publikua më 17 prill dhe gjithashtu edhe në Paketën e Zgjerimit.

Risi kësaj radhe përbën fakti që Komisioni Evropian për herë të parë që nga 2000-2001 publikoi Strategjinë e Zgjerimit që i parapriu Paketës së Zgjerimit dhe raporteve të Komisionit Evropian. Kjo strategji u publikua në 6 shkurt. Për sa i përket mënyrës sesi e vlerëson Komisioni Evropian vendin tonë me lejoni të bëj një pasqyrë shumë të shkurtër.

Reforma në Drejtësi duke qenë se ishte edhe kushti lidhës i 2016-s i rekomandimit të 2016-s, vlerësohet me tone mjaft pozitive qoftë për sa i përket kompletimit të gjithë paketës ligjore, pra që i jep frymë ndryshimeve kushtetuese, procesit të Vettingut që ka filluar kryesisht në institucionet më të larta të drejtësisë, ndërkohë që Paketa e Zgjerimit që shoqëron raportin e Komisionit Evropian e veçon si shembull procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Shqipëri duke theksuar se ky proces pritet të përforcojë profesionalizmin, pavarësinë dhe integritetin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri.

Për sa i përket luftës kundër korrupsionit, përmendet rritje në vlerësimin e Komisionit për luftën kundër korrupsionit. Në qoftë se në 2016-n, vlerësimi i Komisionit kishte progres, në 2018-n Komisioni e vlerëson me progres të mirë. Ka një bazë metodologjike Komisioni se çfarë do të thotë progres dhe çfarë do të thotë progres i mirë. Sikundër nënvizon apo liston edhe gjithë veprimet që janë ndërmarrë në fushën e antikorrupsionit.

Për luftën kundër krimit të organizuar, vetë raporti shënon progres për sa i përket identifikimit dhe shkatërrimit të lëndëve narkotike, legjislacionit dhe efekteve të legjislacionit antimafia dhe amendimeve ne Kodin Penal, intensifikimit të bashkëpunimit të policisë me homologë të vendeve anëtare të BE-së, ndërkohë që nënvizon edhe operacionet e suksesshme të cilat janë ndërmarrë së bashku me agjenci partnere. Shqipëria sipas raportit të Komisionit Evropian njeh progres në dallim me 2016-ën edhe përsa i përket lirive dhe të drejtave themelore të njeriut. Kjo fushë, sipas Komisionit, vlerësoi pa progres 2016-ën, ndërkohë që në 2018-ën klasifikohet si një fushë me progres. Kryesisht progresi lidhet qoftë me paketën e re në fushën e të drejtës së pakicave, ashtu edhe përsa i përket masave që janë ndërmarrë për kthimin dhe kompensimin e pronave.

Gjithashtu, në lidhje me funksionimin e institucioneve demokratike ku parlamenti zë një rol të rëndësishëm, Komisioni vlerëson marrëveshjen ndërpartiake të majit të 2017-ës që i krijoi mundësinë gjithë aktorëve politikë për të garuar në zgjedhjet e qershorit të vitit të kaluar, sikundër nënvizon faktin që bojkoti i opozitës e vonoi procesin e zbatimit të reformës në drejtësi.

Sa i përket politikës së Jashtme dhe rolit tonë në rajon, duke qenë se kjo temë ka qenë shpesh objekt diskutimi dhe kritikash kryesisht që vijnë nga kolegë të Partisë Demokratike, raporti konfirmon qasjen dinamike dhe konstruktive të Shqipërisë në rajon, linjëzimin 100% me qëndrimet e Bashkimit Evropian, sikundër hapat e rëndësishme që janë hedhur përsa i përket trajtimit të çështjeve ende të hapura me Greqinë. Natyrisht që ne kemi bërë edhe një analizë përsa i përket krahasimit se ku e shohim Shqipërinë në raport me vendet e tjera të rajonit, qoftë me vende si Mali i Zi dhe Serbia që janë në tryezën e bisedimeve për anëtarësim, ashtu edhe me vende si Maqedonia për të cilën Komisioni gjithashtu ka propozuar nisjen e bisedimeve për anëtarësim dhe me vende si Bosnja e Kosova, të cilat janë pak më mbrapa në këtë proces. Mund të thuhet që për çështjet e demokratizimit dhe për çështje që kanë të bëjnë me demokracinë dhe sundimin e së drejtës, Shqipëria për shkak të hapave që ka ndërmarrë sidomos me reformën në drejtësi dhe në elementet ku përmendet, është nga vendet pararojë në këtë proces, bazuar e theksoj, bazuar në vlerësimin metodologjik të Komisionit Evropian.

Cila do të jetë rruga e mëtejshme? E para, në të gjithë skanimin që i ka bërë ky Komision Evropian përsa i përket Shqipërisë, bazuar mbi kriteret e Kopenhagenit, të cilat nuk janë vetëm kritere politike, por flasin edhe për kriterin ekonomik dhe për ato standarde që burojnë nga e drejta evropiane, nuk ka asnjë fushë të raportit dhe vlerësimit që ofron Bashkimi Evropian ku Shqipëria mos të ketë shënuar progres. Nuk ka asnjë fushë ku Shqipëria të ketë kthim mbrapa. Këtu nuk flasim, e theksoj edhe një here tjetër vetëm për kritere politike apo për sundimin e së drejtës që janë përgjithësisht pesë prioritetet kyçe, por flasim për tërësinë e normave që përbëjnë tharmin e Kritereve të Kopenhagenit.

Së dyti, ka dy fusha ku qartësisht Shqipëria ka bërë hapa vendimtare përpara, krahas reformës në fushën e drejtësisë, sipas vlerësimit, e para lufta kundër korrupsionit dhe e dyta, liritë dhe të drejtat themelore të njeriut dhe gjithashtu liria e medias.

Së treti dhe më e rëndësishmja, besoj, puna që është para nesh. Dihet që vendet anëtare do të shqyrtojnë raportin e Komisionit Evropian sikundër të gjithë paketën e zgjerimit dhe gjithashtu do të shqyrtojnë strategjinë e zgjerimit që është publikuar nga ana e Komisionit Evropian. Ne jemi në kontakte të vazhdueshme me të gjitha vendet anëtare. Nuk besojmë që ky do të jetë një proces i lehtë. Nuk diskutohet që para nesh, e kemi thënë dhe gjatë këtyre ditëve, është një e përpjetë sidomos për sa i përket gamës së të drejtave dhe detyrimeve që shtrohen para nesh por mbroj pikëpamjen që jemi në kushte kur do të nisim një kapitull të ri.

Për sa i përket procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, një kapitull i ri që do t’i japë Shqipërisë mundësinë të bëjë më shumë reforma, të bëjë më shumë standarde dhe nga ana tjetër, do t’i japë mundësi vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, Komisionit Evropian për të influencuar pozitivisht zhvillimet e brendshme në Shqipëri. Siç kemi parë dhe nga vende të tjera, por siç shohim për më tepër rastin tonë, ky proces ka marrë një kohë jashtëzakonisht të madhe në disa raste të pa arsyeshme për shkaqe të cilat ne i dimë mirë. Mund t’ju them se Shqipëria ka aplikuar në prill të 2009 për tu anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe vetëm pas kaq vitesh,  pra pas 9 vitesh, Shqipëria ka marrë rekomandimin e parë të pakushtëzuar për të filluar bisedimet për anëtarësim.  Në ketë pikëpamje, më lejoni të theksoj që është shumë e rëndësishme që jo vetëm dy fjalët kyçe që ka rekomandimi për Shqipërinë dhe Maqedoninë t’i kemi mirë në konsideratë. Pra, vijueshmëria e reformave dhe thellësia e tyre,  por nga ana tjetër duhet të kemi parasysh klimën politike që është sot për sot. Në fakt jo sot për sot, por ka vite që është brenda radhëve të Bashkimit Evropian.

Për sa i përket procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, siç dihet vendimi i Bashkimit Evropian fillimisht në nivel ministrash e më pas kryetarësh të qeverive duhet të jetë një vendim me unanimitet ku çdo vend ka peshën e tij. Ne kemi punuar që në fillim të vitit me vendet anëtare. Ka vende të cilat që në këto momente e kanë shprehur hapur mbështetjen e tyre për fillimin e bisedimeve për anëtarësim, madje, ka vende që shkojnë edhe më larg, siç ishte rasti i djeshëm i Polonisë ku kërkojnë një datë për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ka vende të cilat kërkojnë më shumë informacion, kërkojnë më shumë kohë dhe më shumë bindje për të marrë një vendim në lidhje me Shqipërinë.

Dy fjalë për sa i përket dy-tre zhvillimeve të tjera që mund të ndihmojnë edhe në diskutimin këtu sot. Për pak ditë ne do të jemi në Sofje dhe ky do të jetë Samiti i parë për vendet e Ballkanit Perëndimor, pas samitit të Selanikut të 2003, frytet e të cilit i gëzojmë dhe sot e kësaj dite, qoftë liberalizimin e vizave, qoftë partneritetin evropian, programet komunitare, asistencën teknike nëpërmjet TAEX, IPA, e kështu me radhë.

Në Samitin e Sofjes natyrisht që fokusi kryesor do të jetë konektiviteti apo ndërlidhshmëria dhe gjithashtu do të diskutohet edhe për 6 fushat ku do të ketë një bashkëpunim më të përforcuar të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve anëtare të BE-së, fusha të cilat pikë së pari do të ndihmojnë në ndër lidhshmërinë e rajonit mes detit dhe rajonit me vendet anëtare të BE-së. Së dyti, shpresohet që mes këtyre projekteve të kemi një klimë më të përmirësuar politike rajonale, E kam fjalën këtu për të gjitha ato pengesa që shfaqen në procesin e integrimit që janë për shkak të mosmarrëveshjeve dypalëshe. Ka çështje që mbeten pezull ende dhe së treti, janë çështjet që kanë të bëjnë me zbutjen e hendeqeve që ekzistojnë sot për sot jo vetëm mes veriut dhe jugut të Bashkimit Evropian, por edhe mes vendeve që janë anëtarësuar që nga 2004 e më tej në BE e vendeve tona që synojnë anëtarësimin për shkak të pabarazisë në aksesimin e fondeve strukturore,  fondeve të konvergjencës apo fondeve të solidaritetit që BE ka në dispozicion. Nuk do te jetë një samit për zgjerimin, por do të jetë një samit i cili besojmë që do të arrijë konkluzione politike të rëndësishme për ketë proces, për shkak të instrumenteve që do të vendosen në dispozicion të vendeve tona.

Për sa i përket kalendarit të vendimmarrjes dhe ky është një apel dhe për komisionin e politikës së Jashtme, për shkak të rolit qendror që ky komision luan në formësimin e politikës së Jashtme apo dhe në kontrollin që ushtron ndaj ekzekutivit në ketë proces parlamenti gjerman. Siç dihet, në bazë të ligjit që ka kaluar para disa vitesh për rolin e Bundestagut në ketë proces, ka një zë më të posaçëm krahasuar në këtë kapitull në parlamentet e tjera të vendeve anëtare. Në disa vende është thjesht qeveria që e merr vendimin. Në vende si Gjermania në këtë proces ka një përfshirje të drejtpërdrejtë të Bundestagut dhe qeveria duhet të argumentojë qëndrimin e saj që më pas të marrë edhe mbështetjen në Bundestag. Besoj se është shumë e rëndësishme që edhe komiteti juaj të luaj një rol edhe në këtë proces. Të intensifikojë dialogun qoftë me parlamentet që kanë një peshë edhe më specifike, qoftë me parlamentet e tjera të cilat edhe pse nuk kanë një peshë në vendimmarrje, kanë publikuar zyrtarisht qëndrimin e tyre mbështetës ndaj Shqipërisë. Ne besojmë se ky nuk është një proces që ka të bëjë thjesht dhe vetëm me qeverinë Rama apo me mazhorancën. Po ne besojmë se ky është një proces që ka lidhje drejtpërdrejtë me shqiptarët, prandaj duke e përfunduar dhe duke shprehur keqardhje që nuk shoh asnjë përfaqësues të Partisë Demokratike sot  se nuk besoj se ka ndonjë gjë më të rëndësishme sesa të këmbejmë pikëpamjet për këtë çështje. Ftesa jonë mbetet e hapur për bashkëpunim dhe gjithashtu çdo lloj materiali apo informacioni që mund ti duhet secilit prej kolegëve nëpër takime të ndryshme ndërkombëtare apo vizita të ndryshme ndërkombëtare, pavarësisht ndarjeve politike. Ne mbetemi në dispozicion.    

Faleminderit.