Postuar më: 24 Maj 2018

Fjala e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati në Parlament

24 maj 2018

Zoti Kryetar,

Kolegë deputetë,

Në zbatim të ligjit për rolin e Kuvendit në procesin e Integrimit Evropian, Këshilli i Ministrave duhet t’i dorëzojë Kuvendit një raport në lidhje me raportin vjetor të Komisionit Evropian me gjetjet e rekomandimet e tij dhe qëndrimin që ka Këshilli i Ministrave rreth raportit dhe rrugës që duhet ndjekur për të zbatuar gjetjet dhe rekomandimet e këtij raporti.

Më lejoni që në emër të qeverisë të konstatojmë se për herë të parë kemi një rekomandim të qartë, pa asnjë ekuivok, pa asnjë kushtëzim nga ana e Komisionit Evropian, që në 2009 kur Shqipëria ka aplikuar për të qenë vend anëtar i BE. Kanë kaluar 9 vjet nga aplikimi i Shqipërisë për anëtarësim në BE, pra shihet qartë se koha nuk punon për ne, jemi ne që duhet të punojmë për kohën e te mos humbasim asnjë moment më shumë në rrugën drejt transformimit të mëtejshëm, për t’u bërë pjesë organike e Evropës së Bashkuar.

Siç jeni në dijeni, në 2016, Komisioni Europian rekomandoi nisjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë me mirëkuptimin që Shqipëria do të zbatonte ligjin për vettingun.

16 muaj më vonë, më 17 prill, Komisioni Evropian rekomandon qartazi nisjen e bisedimeve për anëtarësim, bazuar jo vetëm në zbatimin e ligjit për vettigun por, dhe ecurinë e përmbushjes së pesë prioriteteve kyçe që BE vendosi si prioritete për anëtarësimin e Shqipërisë.

Paketa e Zgjerimit e 2016-ës, shtoi për herë të parë kriteret e reja të vlerësimit të vendeve të paketës, përfshi këtu jo vetëm progresin e vendeve krahasuar me vitet e mëparshme, por dhe nivelin e përgatitjes së tyre për të qenë vend anëtar, të shtrirë në të gjithë kriteret e Kopenhagenit, përfshirë të gjitha kapitujt e acquis.

Një metodologji e tillë është më e ndryshme, më strikte sesa ajo e përdorur për raportimin e Komisionit për vendet e anëtarësuara më rishtazi, si Rumania, Bullgaria e Kroacia dhe e bën monitorimin e procesit të integrimit evropian më të detajuar, më të gjithanshëm, më ambicioz, e për  rrjedhojë dhe më sfidues për vendin tonë.

Po ashtu, ky Raport vjen pas Publikimit të Strategjisë së Komisionit Evropian për transformimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor të 6 shkurtit të këtij viti, ku Komisioni propozon 6 iniciativa pararojë për zhvillimin, transformimin dhe evropianizimin e mëtejshëm të rajonit, përfshirë këtu: forcimin e sundimit të ligjit në rajon, përmirësimin e ndërlidhjes në fushën e transportit dhe energjisë, zhvillimin ekonomiko-social të rajonit, zgjidhjen e çështjeve dypalëshe, angazhimin e përbashkët dhe forcimin e ndërveprimit mes BE dhe rajonit në fushën e sigurisë dhe emigracionit, ndërlidhjen më të mirë dixhitale.

Kjo është Strategjia e parë e Komisionit pas asaj të 2002, në prag të anëtarësimit të 10 vendeve të Evropës qendrore e Lindore, çka tregon qartazi vëmendjen e shtuar të Bashkimit Evropian ndaj rajonit tonë, e kryesisht ndaj forcimit të shtetit të së drejtës, perspektivës zhvillimore dhe kapërcimit të problematikës dypalëshe në të gjithë rajonin tonë.

Kjo qasje holistike e Komisionit, e cila kombinon fokusin në kriteret politike dhe në ato socio-ekonomike si dhe dinamikën ndër-shtetërore, në funksion të përgatitjes së vendeve të rajonit për anëtarësim në BE, përbën dhe busullën orientuese për punën tonë në drejtim të thellimit të reformave e ndërtimit të shtetit të së drejtës.

Në këtë kontekst, duam të ndajmë vlerësimin që Komisioni bën për aspektet politike dhe ekonomike.

Në lidhje me funksionimin e institucioneve demokratike, Paketa e Zgjerimit përmend si pozitive marrëveshjen ndërpartiake të muajit maj 2017-ës, e cila jo vetëm lejoi rifillimin e aktivitetit të Kuvendit të Shqipërisë përpara mbylljes së legjislaturës dhe zhvillimin e rregullt të zgjedhjeve, por dhe miratimin e shumë akteve që lidhen me zbatimin e reformave në 5 fushat kyçe me konsensus politik.

Në lidhje me kriterin ekonomik, vlerësimi i Komisionit Evropian është se Shqipëria “ka bërë progres të vazhdueshëm dhe është e përgatitur në nivel mesatar” për zhvillimin funksional të ekonomisë së tregut.

Vlerësohet rritja e aftësisë së ekonomisë shqiptare për të përballuar konkurrencën, veçanërisht përparimi në fushën e infrastrukturës, energjisë dhe transportit.

Në lidhje me përmbushjen e 5 Prioriteteve, dëshirojmë të veçojmë disa prej vlerësimeve të Komisionit, duke iu referuar progresit të shënuar në krahasim me vitin 2016, ose raportin e mëparshëm të Komisionit.

Përsa i përket Reformës në Drejtësi, Raporti përmend specifikisht që Shqipëria mund të konsiderohet një shembull për t’u ndjekur dhe nga vendet e tjera të rajonit, përsa i përket procesit të vlerësimit të figurës së gjyqtarit dhe prokurorit, ngritjes së institucioneve në fushën e drejtësisë, apo thënë ndryshe, arkitekturën e re në sistemin e drejtësisë.

Lufta kundër korrupsionit, ku përmendet rritje në vlerësimin e Komisionit për luftën kundër korrupsionit nga “progres” në raportin e fundit (2016) në “progres të mirë” në 2018.

Lufta kundër krimit të organizuar, ku shënohet progres në identifikimin dhe shkatërrimin e mbjelljeve të cannabis. Ligji antimafia dhe kodi penal të cilat krijuan kushtet për rritjen e efiçencës në hetime, intensifikim të bashkëpunimit të policisë me vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Po ashtu, raporti i referohet operacioneve ndërkombëtare, ku roli i institucioneve ligjzbatuese në Shqipëri përsa i përket trafiqeve të ndryshme, u konsiderua vendimtar.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për politikat e azilit, jo vetëm përputhshmëri e plotë përsa i përket kuadrit ligjor e institucional, por dhe angazhime të qarta të autoriteteve shqiptare me vendet partnere të BE që u prekën nga fenomeni i migracionit të paligjshëm.

Po kështu përsa i përket Lirive e të Drejtave Themelore të Njeriut. Sipas raportit të Komisionit Evropian, liria e shprehjes njeh përmirësim nga vlerësimi që ishte në 2016 ‘pa progres’ në vlerësimin ‘progres’ në 2018. Përmenden masat për kthimin dhe kompensimin e pronave që janë ndërmarrë nga autoritetet shqiptare, në linjë me jurisprudencën e gjykatës së Strasburgut, sikundër përmendet miratimi i kuadrit të ri ligjor për pakicat kombëtare dhe puna që po bëhet në këtë drejtim për aktet dytësore.

Në mesataren e vlerësimit të përparimit të Shqipërisë në të gjithë kapitujt gjatë periudhës së raportimit, mund të thuhet se Shqipëria ze vendin e dytë pas Malit të Zi, që është vendi më i avancuar në këtë proces, për shkak se ka hapur rreth 30 kapituj të negociatave për anëtarësim. Kjo tregon që kemi bërë progres edhe në përafrimin me legjislacionin e standardet e BE. Shqipëria vlerësohet si mesatarisht e përgatitur në shumë sektorë si kontrolli financiar, arsimi, kultura dhe me një farë niveli përgatitjeje në sektorë të tjerë vendimtarë, si prokurimet publike dhe statistikat.

Raporti vlerëson se kemi arritur shkallën e plotësimit të kritereve që kërkohen për këtë fazë të procesit të integrimit evropian që është hapja e negociatave për anëtarësim.

Të nderuar kolegë. Rruga që nga aplikimi ynë e deri më sot, siç shihet nuk ka qenë një rrugë e shkurtër. Rruga që na pret përpara është edhe më sfiduese me hapjen e negociatave që do të shënonin një gur kilometrik në këtë proces.

Për qeverinë shqiptare, përparimi i njohur nga Komisioni Evropian është nxitje e mëtejshme për të përshpejtuar ritmin e reformave të ndërmarra. Qeveria shqiptare ka vullnet të plotë për të ecur në rrugën e reformave në frymën e mirëkuptimit ndërpartiak në Kuvend dhe në bashkëpunim të plotë me shoqërinë civile e grupet e interesit.

Hapat e mëtejshëm të procesit të anëtarësimit do të kërkojnë përkushtim dhe profesionalizëm të rritur të administratës dhe institucioneve të tjera publike. Ne synojmë forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve institucionale dhe të bashkëpunimit e mirëkuptimit ndërinstitucional, si parakusht për përballjen me negociatat e anëtarësimit, që do të jenë në fakt, procesi më intensiv i reformave transformuese që ka përjetuar ndonjëherë vendi.

Ndaj ne përshëndesim nismën e sotme të Kuvendit të Shqipërisë për rezolutën që i bën thirrje të gjitha vendeve anëtare të BE për të mbështetur rekomandimin e KE për nisjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë. E mbështesim sepse ne besojmë se procesi i integrimit europian është mundësi unike e papërsërtishme për të gjithë ne, për emancipim politik. Sa më shumë afrohemi në procesin e integrimit evropian, aq më shumë rritet dhe presioni pozitiv dhe kërkesat e Komisionit dhe vendeve anëtare për zbatimin e reformave shtetkonsoliduese e shërimin e plagëve të dy dekadave të fundit.

Por ky presion është dhe test për të gjithë. Disa prej nesh kanë zgjedhur t’i përgjigjen këtij presioni pozitiv me frikë, paranojë dhe bllokim e nxirje të imazhit të Shqipërisë me çdokush e në çdo rast, e të përdorin çdo platformë e tryezë ndërkombëtare ku i ka çuar vota e shqiptarëve, për të nxirë perspektivën evropiane të vetë shqiptarëve.

Kjo shumicë ka zgjedhur një tjetër rrugë, atë të ndryshimit, transformimit e shtetkonsolidimit, duke marrë parasysh edhe të gjitha kostot për të gjithë vendin, për të gjithë institucionet e deri dhe për familjen tonë politike.

Nuk mund të ketë mes nesh vend për shterpësi të imagjinatës politike, sepse projekti i integrimit evropian është një projekt ndërtimi të institucioneve dhe të kulturës demokratike e të lidhjes se një kontrate të mirëfilltë me qytetarët e shoqërinë shqiptare.

Mesazhi i dytë që duam të japim sot këtu është se kostoja e çdo vonese, bllokimi apo pengimi të procesit, nga mosdija apo mosdashja, është kosto dhe për të gjithë shqiptarët.

Reformat tona, kryesisht në fushën e sundimit të së drejtës, thellimi i bashkëpunimit me vendet anëtarë në fusha të tilla si lufta kundër krimit të organizuar, përbën një shembull e një faktor kontribuues për sigurinë në të gjithë Ballkanin Perëndimor e si rrjedhojë, ndikon drejtë për drejtë tek shqiptarët, kudo ku ata jetojnë në rajon. Kur flitet për shqiptarët e lidhur me krimin në Evropë, nuk jemi ne këtu në këtë sallë që ndikohemi drejtë për drejtë nga perceptimet negative, por të gjithë shqiptarët jashtë kësaj salle e të gjithë shqiptarët në rajon.

Vendimi pozitiv për çeljen e negociatave për Shqipërinë është një lajm i mirë për të gjithë rajonin dhe humbja e këtij rasti, do të na ekspozonte ne, rajonin dhe vetë BE-në, ndaj rrymave destabilizuese dhe pasigurisë.

Mesazhi i tretë ka lidhje me orientimin e qartë dhe të paekuivok pro-evropian, pro-atlantist të kësaj shumice. Politika jonë e linjëzimit 100% me politikën e Jashtme e të sigurisë së Bashkimit Evropian, ka krijuar një standard të ri, i cili në mënyrë të vazhdueshme e konsistente vlerësohet nga BE si partneri ynë strategjik, si një nga asetet më të çmueshme të politikës sonë të Jashtme e kontributet kryesore në paqen e sigurinë në rajon.

Natyrisht, klima në disa prej vendeve anëtare të BE përsa i përket ecurisë së procesit të zgjerimit, nuk është klima më e mirë e mundshme ku zhvillohet ky proces, por ne besojmë se me komunikim intensiv, qoftë në nivel qeveritar, por dhe nivel parlamentar, do të jemi në gjendje për të bërë edhe hapat e fundit në procesin drejt nisjes së bisedimeve për anëtarësim.

Ndaj, duke përfunduar, dua në emër të qeverisë shqiptare, të falënderoj për kontributin të gjithë deputetët që kanë dhënë në këtë proces.

Faleminderit!