Postuar më: 08 Shkurt 2018

Fjala e Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati në Parlament mbi qëndrimin e Shqipërisë në OKB për çështjen e Jerusalemit

8 shkurt 2018

Zoti kryetar,

Është për të ardhur keq, që ne sot jemi thirrur në një debat, në një mocion të prezantuar nga opozita, nga të cilët nuk dëgjova asnjërin të mbronte pikat e mocionit. Qëndrimi apo vizioni që ka opozita shqiptare në lidhje me politikën e Jashtme edhe për një çështje sensitive siç është konflikti në Lindje të Mesme, në fakt duhet thënë se për rolin modest që ka Shqipëria, ka pak të bëjë dhe shumë më pak, të bëjë me detyrat e këtij kuvendi.

Unë prisja që sot opozita të vinte e gëzuar dhe të mbështeste qeverinë, të mbështeste Shqipërinë për strategjinë e zgjerimit që konkludoi Komisioni Evropian. Unë prisja që sot, kryetari i Partisë Demokratike të kërkonte një falje ndaj përfaqësues së politikës së Jashtme të BE-së, Federicha Mogherini, që para pak kohësh i tha që je “bajgë”. Dhe ta falënderonte qëndrimin e saj konsistent në emër të Bashkimit Evropian, për rrugën evropiane të Shqipërisë dhe për hapat që po ndërmerr Shqipëria në procesin e integrimit evropian. Unë prisja gjithashtu, që sot, të paktën kur flasim për qëndrueshmërinë në politikën e Jashtme, t’i referoheshim strategjisë së zgjerimit, ku flitet qartë për linjëzimin e politikës së Jashtme dhe në çështjet e sigurisë me atë Bashkimit Evropian nga ana e Shqipërisë, duke i bërë thirrje gjithashtu vendeve të tjera të rajonit, të ndjekin të njëjtin shembull. Këto janë fakte, që janë të shkruara në dokumente të miratuara zyrtarisht. Këto nuk janë trillime. Megjithatë, për të nderuar angazhimin tonë përpara qytetarëve tanë që na kanë zgjedhur, do të flas sot shkurt, duke iu referuar vetëm fakteve për sa ç’ka ndodhur.

Me 18 dhjetor të vitit të kaluar, Këshilli i Sigurimit mori në shqyrtim një projekt-rezolutë mbi statusin e Jerusalemit. Rezultati i votimit ishte 14 pro dhe 1 kundër, në këtë Këshill Sigurimi, ku ishte SHBA.

Duke qenë se projekt-rezoluta e mësipërme nuk u miratua, çështja u transferua në Asamblenë e Përgjithshme. Më datë 21 dhjetor 2017, në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, “Mbi Statusin e Jerusalemit”, u miratua me 128 vota pro dhe 9 vota kundër, 35 abstenime. 21 vende nuk morën pjesë në votim.

Dëshiroj të theksoj se votimi nuk është aspak i veçantë në lidhje me këtë temë. Çdo vit Asambleja e Përgjithshme voton për këtë çështje. Votimi i fundit për këtë çështje është bërë më 30 nëntor 2017, pra vetëm tre javë para 21 dhjetorit. Askush në këtë sallë, as opozita e vjetër as opozita e re, nuk tha një çerek fjale, që: Pse Shqipëria votoi njëlloj, si më 30 nëntor 2017, ashtu edhe me 21 dhjetor 2017, pra tre javë më vonë.

Rezolutat për “Jerusalemin” kanë vite e vite që e kanë bazën e tyre të referencës, që nga Rezoluta 252 e vitit 1968, Rezoluta 476 e vitit 1980, Rezoluta 478 e vitit 1980 dhe më e fundit ajo e Këshillit të Sigurimit, Rezoluta 2334 e vitit 2016. Për këdo që kërkon të dijë ABC-në e të drejtës ndërkombëtare, rezolutat e Këshillit të Sigurisë kanë fuqi detyruese dhe e kanë një fuqi “Erga Omnes”.

Pra, Rezoluta e miratuar në Asamblenë e Përgjithshme më 21 dhjetor, thjesht riafirmon se, për çështjen e Jerusalemit ka një korpus normash të së drejtës ndërkombëtare që duhen respektuar, apo ajo që quhet ndryshe “konsensusi ndërkombëtar”.

Çështja e dytë që ngre opozita, është pjesëmarrja Shqipërisë në Organizatën e Bashkëpunimit Islamik. E kam thënë edhe publikisht, vendi ynë është anëtarësuar kur unë isha në gjimnaz dhe Sali Berisha ishte President. Edhe sot e kësaj dite, nuk ka një qëndrim të qartë dhe përfundimtar për përkatësinë e Shqipërisë në këtë organizatë. Por kushdo mund t’i referohet, qoftë faktit që përfaqësimi ynë gjithë këto vite është në nivel Ambasadori, pra ndonëse bëhej fjalë për Samit. Së dyti, qëndrimi i ambasadorit të Shqipërisë në këtë takim është i ngjashëm si pika uji me qëndrimin që shteti shqiptar tradicionalisht ka mbajtur për këtë çështje. Thuhet që është votuar. Po ju them që nuk ka votim në organizatën e Bashkëpunimit Islamik.

Megjithatë, dua t’ju shpjegoj 4 arsyet e qëndrimit të Shqipërisë.

Arsyeja e parë lidhet me Parimin e koherencës dhe qëndrueshmërisë konfirmuar nga të gjitha rastet e mëparshme në përputhje me të drejtën Ndërkombëtare, në përputhje me qëndrimin e Bashkimit Evropian. Sepse, përpjekjet e komuniteteve ndërkombëtare për të gjetur një zgjidhje më të qëndrueshme në Lindjen e Mesme, siç e thashë, demonstrojnë nga rezolutat e miratuara në vitin 1967 e këndej.

Ka tre tipe rezolutash. Se kam dëgjuar Sali Berishën, me kast i ngatërron.

  • Ka një për statusin e Jeruzalemit që janë të përvitshme,
  • Ka për vendmbulimet në atë territor që është bllok tjetër rezolutash, dhe
  • Ka për aktivitetin nuklear të Izraelit.

Janë tre blloqe rezolutash. Në të treja blloqet e rezolutave në OKB, Shqipëria ka një qëndrim konsistent.

 

1. Që prej 2007, jua ka thënë ministri i Jashtëm i kohës, Besnik Mustafai, kur u firmos marrëveshja e Stabilizim Asociimit. Shqipëria mban të njëjtin qëndrim për këtë çështje me Bashkimin Evropian të shprehur në votë.

2. Shqipëria ka mbajtur të njëjtin qëndrim për sa i përket vendbanimeve në territoret e pushtuara, përfshirë Jerusalemin Lindor.

 

Prandaj po ju them që, ky qëndrim i Shqipërisë është një qëndrim të cilin politika shqiptare e ka konsideruar si një qëndrim konsensual. Pse e ka konsideruar si një qëndrim konsensual?

  • Ju marr votën e Shqipërisë 2005-2009  kur Shqipërinë e drejtonte qeveria e Partisë Demokratike.
  • Ja tek e keni rezolutën e 2007-s për Jerusalemin.

 

Media që jeni prezentë, ja tek e keni. Vota e Shqipërisë, pro, vota e SHBA-së kundër, në 2007-n.

  • Vazhdojmë, rezoluta e 2008-s.
  • Vazhdojmë, Rezoluta e 2010-s.

 

Doni të vazhdoj këtu, në kohën kur ishte PD-LSI bashkë në qeverisje? I njëjti qëndrim. Sali Berisha Kryeministër, Ilir Meta ministër i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, ministër i Jashtëm, sepse ka firmosur këtu. Edmond Panariti ministër i Jashtëm. I doni qëndrimet?

  • 2013 -2017, Edi Rama në koalicion PS-LSI, i njëjti qëndrim,
  • 2017-n, Partia Socialiste, e vetme në qeverisje, i njëjti qëndrim.

 

Janë 12 rezoluta që unë i kam këtu dhe që dëshmojnë qëndrimin solid të shtetit shqiptar për këtë çështje. Edhe më 30 nëntor 2017, tre javë para se të vinte kjo rezolutë, i njëjti votim, i njëjti qëndrim.

Arsyeja e dytë e qëndrimit të Shqipërisë Pro statusit të Jeruzalemit lidhet me vetë përmbajtjen e qëndrimit tonë, me natyrën delikate të konfliktit, sepse ne vijimisht kemi mbështetur përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar për një zgjidhje që njeh dy shtetet. Arsyeja, që unë nuk e kuptova këtu, nga dy kolegët parafolës, a ka një qëndrim të ndryshëm opozita shqiptare për këtë çështje? Sepse u tha që s’kemi ardhur në parlament, s’kemi shkuar tek Presidenti etj. etj. Ishte një qëndrim i ri ky? Ky është një proces rutinor në OKB.

Arsyeja e tretë, linjëzimi me politikën e Jashtme. I dëgjova me shumë vëmendje. E kam thënë dhe në komision të Politikës së Jashtme dhe ma morët për arrogancë. Duhet të kesh dije që të mbash qëndrime. Qëndrimi është momenti pasi ke akumuluar për dijen, ke kuptuar për se, për çfarë bëhet fjalë dhe vjen tek qëndrimi. T’ju them, sepse kam folur edhe me Presidentin e Republikës për këtë çështje dhe kujtonte që edhe vendet e tjera kandidate kishin dalë nga salla.

Të gjitha vendet kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian kanë votuar si Shqipëria, Pro.  Të gjithë kandidatët, të gjithë; Serbi, Maqedoni, Mali i Zi, Turqi, Shqipëri, i keni të gjitha në rezolutë. Bosnja nuk është kandidate profesor... Por kjo është kur nuk ke informacion. Nuk është kandidate Bosnja, të lutem. Po ju them që, Shqipëria mbajti të njëjtin qëndrim me BE-në. Të nesërmen, për shkak se dy vende në minutën e fundit prishën konsensusin, të nesërmen nën presidencën  estoneze të Bashkimit Evropian, siç ndodh rëndomtë, kanë qenë këtu disa burra e gra ministra të Jashtëm, siç ndodh rëndom në praktikën ndërkombëtare, BE-ja ka bërë një deklaratë nën presidencën estoneze. Vjet nuk ka pasur konsensus nën presidencën sllovake si konkluzion për zgjerimin por ka pasur një deklaratë të presidencës sllovake. Dhe ky është dokumenti i BE-së, në kushtet kur konsensusi është prishur në minutat e fundit. Shqipëria gjithashtu, ka firmosur, si të gjitha vendet kandidate që unë i përmenda, duke u konsideruar një qëndrim i linjëzuar me politikën e Jashtme të BE-së, në qoftë se nuk do të ishte kështu, nuk ka përse të na mbajë ne “me hatër” as strategjia e zgjerimit që u tha këtu pak më parë, as qëndrimi i përfaqësuesve të politikës së Jashtme e kështu me radhë dhe në qoftë se kjo që unë po them, nuk është e vërtetë, nuk ka pse Besnik Mustafai që është demokrat, Ministër i Jashtëm në atë periudhë të thotë një gjë të ndryshme na kjo që unë sapo thashë.

Keni thënë që po prishet partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që ky është një deviacion i Shqipërisë në politikën e Jashtme dhe ju jeni ata mbrojtësit e konsistencës, stabilitetit, politikës së Jashtme të Shqipërisë. Që Shqipëria nuk qenkësh më roli i stabilitetit, nuk është shembull për bashkëpunimin rajonal siç e thotë BE-ja gjithë ditën. Me çfarë syzesh e shihni Shqipërinë ju, nuk e di. Ne mund të kemi qëndrime 100% të ndryshme për reformën në arsim, për reformën në shëndetësi, për informalitetin, për reformën në energji, mund të kemi qëndrime krejt të ndryshme. Por ne nuk mund t’ia lejojmë vetes të jemi kaq diletantë, të mos gjenerojmë një minimum konsensusi edhe në diskursin tonë publik për çështje për të cilat ka konsensus, Tritan. Për çështje të cilat që nga 2006-ta nuk janë diskutuar asnjëherë në këtë parlament, sepse ka pasur një dakordësi të plotë për këtë çështje. Ju thoni që ne po prishemi më Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Po Franca, po Gjermania, po Mbretëria e Bashkuar. Po një shumicë shtetesh të cilat kanë një qëndrim tradicionalisht të ndryshëm nga ai i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për këtë çështje. Ju thoni që ne, jemi ndikuar nga Turqia për të marrë një qëndrim të tillë. Por, i keni numëruar ndonjëherë rastet kur Shqipëria voton ndryshe nga Turqia qoftë në OKB, qoftë në Këshill të të Drejtave të Njeriut kur ishte, qoftë edhe në instanca të tjera ndërkombëtare. A i keni numëruar ndonjëherë rastet kur Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qëndrime të ndryshme? Jua numëroj unë. Në periudhën 2006 - 2012, i kap të dyja koalicionet, edhe Saliun vetëm edhe Saliun me LSI.

72 rezoluta, merrini dhe shihini, ju thashë duhet të kesh informacion, dije, aftësi, për të marrë më pas edhe vendime. 72 rezoluta për Lindjen e Mesme, në të cilat Shqipëria ka votuar kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Po kjo është logjika? Jo, Shqipëria ka votuar me të drejtë në atë kohë, sepse ky ka qenë qëndrimi zyrtar i shtetit shqiptar, i bazuar mbi gjithë këto norma të cilat përmenden, i bazuar mbi interesat që ka pasur dhe ka shteti shqiptar. Askush nuk është ngritur nga opozita e kohës për të thënë që votuat kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Vetëm ju kam dëgjuar që të bëni një gjë të tillë. Doni t’ju marr rastet se kur vetë BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për çështje të ndryshme brenda OKB-së, qoftë për këtë çështje, kanë qëndrime të ndryshme? Ju them unë. Vetëm gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së së 72-t, nga 23 rezoluta, në 17 prej tyre qëndrimet e SHBA-së dhe Bashkimit Evropian ndryshojnë.

Në 2016, nga 16 rezoluta, vetëm për 10 është votuar njësoj. Çfarë doni të thoni, që nuk janë partnerë strategjikë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian? Ça doni të thoni, që këtu ka një valë antitrumpiste dhe Trumpi po gjen aleatët e rinj këtu në Ballkan? O pro-amerikanët e Lindjes së Mesme, po pse e zvarrisni reformën në drejtësi? Pse nuk bashkoni votat o pro-amerikanët e Lindjes së Mesme? Por si nuk thatë një fjalë kur në 2015-n firmosëm partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës? O pro-amerikanët e Lindjes së Mesme, po si nuk thatë një fjalë kur Kryeministri i Shqipërisë u prit nga Barack Obama në Shtëpinë e Bardhë? O pro-amerikanët e Lindjes së Mesme, po si nuk thoni një fjalë kur ne shtojmë kontributet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Afganistan, në Irak, brenda suazës së NATO-s ku jemi partneri kryesor për të përballuar ekstremizmin e dhunshëm, ku jemi partneri kryesor për të hartuar një strategji dhe plan veprimi në përputhje me angazhimet e Uellsit, për ta modernizuar ushtrinë tonë, ku jemi partneri kryesor për reformën në drejtësi dhe kur e thotë Strategjia e Zgjerimit për të cilën e dëgjova kolegun që tha, e kam lexuar. Por nuk jam i sigurt që e ka lexuar asnjëri prej jush dhe kur nuk i ka bërë koment Saliu asaj strategjie që është i vetmi që ka kuptuar se çfarë po ndodh me detin, është i vetmi që ka kuptuar faqen e re që ne po hapim me Greqinë dhe është i vetmi që leximi i Shekspirit në rininë e hershme po i ngjallet dhe i ringjallet çdo ditë, ju të tjerët, asnjëri nuk e keni lexuar.

Se minimalisht si opozitë ju takonte që të mbanit një qëndrim. Por ju jeni një opozitë pa qëndrime sepse thotë Hannah Arendt-i ka dy lloje opozitash, opozita e shpresës dhe opozita e kujtesës. Ju më duket ju vjen turp edhe nga qëndrimet që keni mbajtur në Qeveri. Mirë që nuk bëheni dot opozita e shpresës për qytetarët, por ju doni të ndryshoni dhe historinë kur keni qeverisur edhe në ato fusha ku keni pasur një mbështetje të plotë siç është rasti i politikës së Jashtme.

Jeni e para opozitë në botë, në botë po ju them, në rruzullin tokësor. Dje jam kthyer nga Lituania dhe Estonia dhe i kam pyetur të dy këto vende që janë po aq pro-amerikane sa Shqipëria, që kanë një raport strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës siç ka Shqipëria, që kanë votuar të dyja në të njëjtën linjë siç ka votuar Shqipëria, o Tritan po të lutem, hape rezolutën dhe shihe, dhe do të kuptoni se faqja është e vështirë për t’u nxirë. Por do të kuptoni se çfarë gënjeshtarësh të pashembullt që jeni për këtë çështje. Do të kuptoni atë që në fakt me të drejtë dhe prandaj e kam sjellë sot, Hanna Arendin se ka lidhje edhe me temën që po diskutonim. E thoshte bukur “E keqja më e madhe e një shoqërie nuk është nazisti i lindur, as komunisti i devotshëm siç ka qenë Saliu një herë e një kohë, por të gjithë ata që mes fakteve dhe trillimeve, të vërtetave dhe gënjeshtrave, nuk ekziston. E pra, të dashur miq, ju po i bëni një shërbim shumë të keq jo thjeshtë opozitës, jo thjeshtë ndjekësve tuaj që janë po aq pro amerikanë, po aq pro altantist sa ndjekësit dhe votuesit tanë. Po i bëni një shërbim shumë të keq vendit, po i bëni një shërbim shumë të keq imazhit të vendit duke stisur këtu tema debati që në fakt nuk janë tema debati. Janë ato shtylla konsensuale të politikës së Jashtme që vendet më serioze se Shqipëria i përcaktojnë me vështirësi të mëdha. Në këto pesë vite që ju jeni në opozitë, na është dashur të vijmë këtu të diskutojmë për çështje të cilat i mendonim të tejkaluara. Jua ka thënë Bashkimi Evropian. “Strategji”, nuk e pranoni. Jua thotë Mogherini dhe Luli thotë, “bye” . Jua thotë Juncker-i, doli dikush nga ju të tjerët që s’ia vlen as t’ia përmend emrin, doli tha: “ky është tapë” për Juncker-in. Dhe harroni që është i familjes suaj politike. Jua thotë Hahn-i, “jo se Hahn-i është në influencën e Austrisë dhe austriakët janë pro zgjerimit”. T’jua thotë edhe Dolly i cili doli i pari dhe mbështeti strategjinë e zgjerimit, asnjë prej jush nuk ja dëgjoi fjalën. A thua se në OKB përfaqësohet Edi Rama dhe qeveria?! Jo, përfaqësohet Shqipëria! A thua se hapja e negociatave, fillimi i bisedimeve për anëtarësim ka të bëjë thjesht dhe vetëm me Edi Ramën dhe me qeverinë e tij. Jo, ka të bëjë me Shqipërinë! Ka të bëjë me vokacionin e shqiptarëve. E tha mirë edhe Mogherini, edhe në strategji thuhet qartë, anëtarësimi është zgjedhje është zgjedhje që kërkon sakrificën e gjeneratave. Jemi të gatshëm ta bëjmë këtë? Kësaj pyetje përgjigjuni, sepse unë e kuptoj që po ndjeni turp. Dhe kur kam parë dje firmat e ish ministrave të Jashtëm në atë dokument, thashë: “O Zot, o Zot, Hannah Arend, ti duhesh cituar gjithnjë e më tepër” Për të kuptuar secili që o këta njerëz kur kanë qenë në këto detyra nuk kanë ditur çfarë kanë firmosur, çfarë plotfuqishmërish kanë vepruar, ose për këta njerëz turpi nuk ekziston. Prandaj do ju ftoja të gjithë të nderuar kolegë që ta rrëzojmë këtë palo rezolutë që nuk ka asnjë lidhje, as si ushtrohet politika e Jashtme dhe as si interes strategjik i Shqipërisë, shqiptarëve dhe partnerëve tanë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.

Faleminderit!