Postuar më: 12 Shtator 2017

Fjala në Parlament me rastin e prezantimit të programit të Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme

 

Faleminderit i nderuar Kryetar,

Të nderuar kolegë,

Sot është 12 shtatori, e teksa po dëgjoja fjalimin e parë të kryetarit të Partisë Demokratike këtu në parlament, mu duk vetja sikur të ishim më 23 qershor, në mitingun përmbyllës të Partisë Demokratike, ku kishte gjithnjë e më pak njerëz. Gjithashtu, mu kujtua se zgjedhjet kanë përfunduar më 25 qershor dhe secili prej nesh ka marrë besimin e qytetarëve të zakonshëm të këtij vendi.

S’kam për ta harruar kurrë një nga të djathtët tradicional në Shkodër kur më thoshte se kësaj radhe do të votonte për Edi Ramën dhe për Partinë Socialiste, jo thjesht se nuk  ndjehem i përfaqësuar nga lista e Partisë Demokratike në Shkodër, por të krahasosh PD-në me PS-në kësaj radhe, më thoshte, është si të krahasosh muzikën “Live” me shiritin e vjetër të magnetofonit. I thashë që nuk është çështje e shiritit të magnetofonit, është fatkeqësi që opozita drejtohet nga një individ boshti i të cilit është boshllëku. Boshti i të cilit është boshllëku dhe unë këtë e kam të verifikuar edhe për shkak të pozicionit që mbaj.

Nuk është në natyrën time as për të përfolur e as për të përgojuar njerëzit që kanë mbajtur atë funksion. Por, tek sa e dëgjova këtu që ju referua shpesh Google Search-it, më duket më i vetmuar më shumë se kurrë edhe nga ata njerëz të Partisë Demokratike që kanë një ekspertizë dhe kanë kontribuar e kanë vendosur tulla në procesin e vështirë të shtet-ndërtimit demokratik, të cilin për një arsye apo një tjetër zotëria që është boshti i boshllëkut, vendosi t’i përjashtojë nga jeta politike, por kjo është çështje juaj.

Mua më takon t’ju them se mesazhi i zgjedhjeve të 25 Qershorit ishte i qartë: shqiptarët mbështetën me votë PS jo thjesht për çka kemi bërë por për atë çka ata presin prej nesh. Qytetarët presin ndryshim, presin zhvillime me ritme më të shpejta të vendit e shoqërisë tonë.

Një prej kapitujve të programit tonë qeverisës që ka lidhje me politikën e jashtme, sigurinë, integrimin europian dhe mbrojtjen e interesave të shqiptarëve kudo që ndodhen në botë dhe më erdhi keq që nuk u prek siç duhet edhe këtu nga kryetari i opozitës. Me shpresën e madhe që këto fjalë e lumi i akuzave dhe i shpifjeve të paktën të mbetet brenda sallës së parlamentit shqiptar dhe të mos shkojë sallave të botës dhe kancelarive të botës, siç keni bërë gjatë katër viteve që përfunduam.

Pse? Sepse ne sot jetojmë në një botë të pasigurt, me ekuilibra të prishur, nuk do të nguroja ta quaja zero polare, që shkakton dilema që prekin të gjithë, të mëdhenj apo të vegjël, të fuqishëm ose jo. Sulmi terrorist i 11 shtatori që përkujtuam dje në New York, ishte kambana e parë që shpalli preludin e kësaj epoke të re.

Sot asnjë shtet nuk e ka luksin të jetë i paqartë në politikën e jashtme. Asnjë opozitë do të thoja. Është një fatkeqësi për atë çka dëgjova këtu, që nuk njihej koncepti i “Europës Adriatike”. Keni ish kryeministra këtu me kartën e Adriatikut, ka trilateralë për Europën Adriatike, Shqipëri Kroaci, Mali i Zi. Ka nisma Adriatiko-Joniane. Ju lutem mësojani kryetarit të Opozitës, sepse është luks që të mos këtë qëndrim në politikën e jashtme për këto çështje. Është luks që Shqipëria të laget nga dy dete e të ketë një kryetar opozite që nuk e di se çfarë është Europa Adriatike, është luks që të kesh një opozitë parlamentare që drejton komisionin e integrimit, që ka nënkryetar të komisionit të politikës së Jashtme e të mos kërkojë informacion dhe të thellohet për këtë çështje. Nuk mund të mbetet debati parlamentar në kushtet e Wikipedia-s. Unë do të ju ftoja ju z. Basha me gjimnazistet e “28 nëntorit” në Shkodër, me të cilët kemi një program “WikiAcademy”, të kontribuoni dhe ju, që të rrisim edhe njohuritë e opozitës edhe njohuritë tuaja dhe të zhvillojmë një debat parlamentar në kushte e Shqipërisë së shekullit XXI, në kushtet e Shqipërisë si një vend kandidat e jo në kushtet e hartimeve që mund të bënit ju në kohën kur ishit gjimnazist tek “Sami Frashëri”.

Sepse politike e jashtme edhe në kohën tuaj, për fat të keq, u reduktua në përsëritjen e slloganeve shabllon, shpesh pa kurrfarë lidhje me realitetet që imponon edhe sot e kësaj dite mjedisi i sigurisë.   

Politika jonë e jashtme mbi të gjitha është dhe do të jetë në shërbim të interesave kombëtare që udhëhiqen:

  1. Nga vlera dhe parime të patjetërsueshme që përbëjnë shtratin e vijueshmërisë së politikës sonë;
  2. Nga një vullnet transformues: çka nënkupton objektiva të qarta dhe strategji përkatëse për arritjen e tyre;
  3. Dhe nga përdorimi dhe krijimi i instrumenteve të veprimit diplomatik që i shndërrojnë objektivat tona në rezultate konkrete dhe të matshëm.

Fqinjësia e mirë, respekti i ndërsjellë, promovimi i paqes dhe tolerancës, mbrojtja e interesave të shqiptarëve, që nuk i dëgjova asnjëherë t’i artikuloje, kudo që ndodhen, bashkëpunimi ekonomik në interes të qytetarëve tanë – këto janë disa nga vlerat që përcaktojnë edhe aksionin tonë politik e diplomatik.

Së pari: dëshiroj të nënvizoj atë që quhet filli i kuq i politikës sonë të jashtme: përcaktueshmëria jonë perëndimore dhe përkushtimi ndaj vlerave euro-atlantike. Në këtë kontekst spikat mbi të gjitha marrëdhënia jonë e veçantë e cila u fomalizua me dokumentin e partneritetit strategjik me SHBA, në 2015. Ky partneritet strategjik është indikator i qartë i bashkëpunimit të shkëlqyer dypalësh, i cili do të shtrihet në fusha si:

  1. siguria;
  2. forcimi i shtetit të së drejtës;
  3. zhvillimi ekonomik;
  4. shkëmbimet në fushën e arsimit dhe kulturës.

Mbështetja e SHBA-ve dhe roli i tyre specifik në rrugëtimin tonë të shtet-ndërtimit  demokratik ka qenë e mbetet vendimtar jo vetëm për anëtarësimin tonë në NATO, por edhe për ndërveprimin në disa operacione me karakter humanitar dhe në fushën e sigurisë. Falë përvojës tonë disavjeçare si anëtarë të aleancës, shpresoj se si shqiptarë të mirë të kemi ndjerë afeksion kur Sekretari Amerikan i Shtetit e përkufizoi Shqipërinë si “pol stabiliteti në Europën Adriatike”, sërish i dashur kryetarit i Partisë Demokratike.

 

Ndërkohë, procesi i anëtarësimit në BE është dhe mbetet një objektiv kombëtar jo thjesht prioritet i politikës së jashtme, që ka nevojë për reforma bipartizane në funksion të demokratizimit, transformimit të shoqërisë shqiptare dhe në përputhje me vlerat dhe parimet e Europës së Bashkuar.

Këtë e kemi dëshmuar edhe nëpërmjet qëndrimit tonë konsistent në linjëzimin 100% të qëndrimeve tona në fushën e sigurisë dhe politikës së jashtme me ato të Bashkimit Europian.  

Fole këtu për statusin e vendit kanditat, natyrisht pa u skuqur e natyrisht për mua që të njoh nuk është se përbën ndonjë surprize. Harrove kontributin minimalist të forcës politike që përfaqëson në këtë proces. Harrove gjithashtu, kontributin tuaj minimalist me bllokimin dyvjeçar të reformës në Drejtësi, që shkaktoi qindra telefonata, qindra vizita të miqve dhe partnerëve më të rëndësishëm të Shqipërisë për t’ju mbushur mendjen ju për të ardhur për të votuar së bashku me ne, reformën më të rëndësishme që kaluar Shqiperia pas rënies së regjimit komunist.

Vendimmarrja për nisjen e bisedimeve për anëtarësim në BE duhet të përbëjë prioritetin e prioriteteve për të gjithë ne aktorët politk.

Reforma në drejtësi, dhe the çfarë lidhje ka qeveria me reformën në drejtësi. Po mirë, paratë nga do dalin? Nga buxheti i shtetit. Infrastruktura nga do të sigurohet? Nga qeveria. Fakti që kjo qeveri ka alokuar fonde për buxhetin për zbatimin e reformës në drejtësi, fakti që ka vendosur në dispozicion infrastrukturë për fillimin e punës së reformës në drejtësi, a nuk është shprehje e vullnetit të lartë politik të qeverisë shqiptare për të zbatuar dhe për të marrë përsipër të gjitha detyrimet që ka në këtë proces. Bashkohu me mazhorancën për të ecur më shpejt në këtë drejtim. Për të pasur një cilësi edhe më të madhe në këtë proces. Është reforma në drejtësi por është dhe lufta jonë pa kompromis kundër krimit të organizuar, sundimi i së drejtës në ekonomi, të cilat në një mënyrë a ndonjë tjetër, mbeten përcaktuese jo thjesht për atë çka ne zotohemi në program për të hapur negociatat në Bashkimin Europian dhe për të kryer bisedimet për kapitujt paraprak, por është një proces i cili nuk do t’i ndahet Shqipërisë deri ditën e anëtarësimit ndoshta edhe pas anëtarësimit.

Natyrisht, kryeministri e ka thënë shumë qartë dje dhe nuk jemi të vetmit që e themi që jo çdo gjë varet nga vullneti ynë.

Zhvillimet brenda BE-së, shpresoj që të ketë ende njerëz në grupin tuaj parlamentar që t’i dijnë, që shpesh janë të paparashikueshëm, por nuk është rasti për t’i analizuar këto këtu. Kjo s’do të thotë se aktivizimi ynë me Serbinë në partneritet të plotë, me Gjermaninë si një partner i ndershëm, i drejtë dhe kritik i rreptë për zhvillimet jo vetëm në Shqipëri, Serbi e në rajon, në kuadër të procesit të Berlinit të anatemohet. Jo, sepse procesi i Berlinit nuk është për ne alternativë ndaj anëtarësimit tonë në Bashkimin Europian, është komplementar për të krijuar ndërlidhjen e duhur për ta transformuar rajonin tonë në një rajon të vërtetë në kuptimin e sigurisë, kuptimin politik dhe në kuptimin ekonomik.

Shihni projektet që po zbatohen në këtë drejtim, projektet që po iniciohen në këtë drejtim dhe harrojeni lojën e kungulleshkave se kush ka përfituar më shumë Shqipëria apo Serbia, sepse alfa dhe omega e procesit të Berlinit është ndërlidhja rajonale dhe jo interesat individuale të secilit prej shteteve përbërëse në këtë iniciativë.

***

Së dyti: politika jonë e jashtme është e orientuar nga promovimi i paqes, sigurisë dhe prosperitetit, mbi të gjitha në rajonin tonë. Me fjalën rajon, për këtë qeveri, nënkuptojmë hapësirën imediate që kufizohet brenda katërkëndëshit Itali, Austri, Greqi dhe Turqi.

Gjithçka që ndodh brenda këtij katërkëndëshi përbën një interes të drejtpërdrejtë për ne. Nuk është shtrirje gjeografike por hapësira ku artikulohen interesat kombëtare të Shqipërisë: pra të kyçur në Ballkan dhe të hapur në Mesdhe.

Për shqiptarët, të jesh fqinj i mirë do të thotë të përballesh me sfidat duke rënë dakord se fryma europiane dhe e drejta ndërkombëtare përbëjnë gurë-themelet e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve.

Shpresoja të paktën që raporteve më Greqinë të mos iu referoheshe, të kishe aq pak dinjitet patriotik apo kombëtar dhe të kërkoje një ndjesë. Për ne, i dashur zoti Basha, raporti me Greqinë dhe me gjithë fqinjët tanë të nderuar bazohet mbi këto dy shtylla:

  1. fryma europiane;
  2. respekti për të drejtën ndërkombëtare.

që unë e kam mësuar në Laiden dhe ti në Utrecht, shpresoj.

***

Së treti: fokusi i politikës sonë të jashtme ka të bëjë me rolin e shqiptarëve në rajon si faktor shtet-ndërtues dhe promotorë të europianizimit të vendit.

Në këtë kontekst, dua të veçoj marrëdhënien me Kosovën që nuk u prekën këtu fare, me të cilët do të thellojmë Partneritetin Strategjik dhe praktikën e mbledhjeve të përbashkëta të dy qeverive, që ju fillimisht e përqeshët. Thellimi i kësaj marrëdhënieje është strategjike për ne, stabilizueze për rajonin dhe orientuese për perspektivën europiane të tij.  Ne besojmë se udhëtimi ynë drejt BE-së kalon përmes normalizimit të marrëdhënieve në Ballkanin Perëndimor. Për ne ky normalizim para së gjithash kërkon përkujdesjen për shqiptarët në rajon.

***

Politika e jashtme nuk mund të kuptohet pa përfshirjen e të gjithë aktorëve dhe këtu një rol të posaçëm luan diaspora jonë. Nuk ju dëgjova cili ishte koncepti juaj në këtë drejtim. A do ta mbështesni reformën tonë në këtë drejtim, a do ta mbështesni prioritetin tonë në këtë drejtim sepse nuk ka të bëjë më vetëm me këtë qeveri po ka të bëjë edhe më ju. Shqiptarët që banojnë jashtë atdheut sot mund të votojnë për ne, mund të votojnë për ju, mund të votojnë për forca të tjera politike. Nuk e kuptova. Nuk e kuptova cili është qëndrimi juaj ndaj praktikës së instaluar të Samitit të Diasporës, tërheqjes së ekselencës, të trurit të shqiptarëve nëpër botë, të sipërmarrjes, që duan të kontribuojnë në Shqipëri. E kuptova të gjithë lumin e akuzave dhe shpifjeve, nuk prisja një opozitë tjetër por nuk kuptova këtë faqe të re të qeverisë që kemi hapur me shumë mund. Nuk e kuptova se cili është qëndrimi juaj për procesin e regjistrimit të adresës ose të shtetasve tanë që do të sigurojë të drejtën e votës në zgjedhjet e ardhshme politike.

E fundit por jo më pak e rëndësishme, nuk e dije se ëfarë është diplomacia dixhitale. Mos bëj as Google Search e as Wikipedia, eja një ditë në Ministrinë e Jashtme, në ish-zyrën tënde, të mirëpres unë e të sqaroj. Shqipëria është vendi i parë në rajon i dashur kryetar i Partisë Demokratike, që ka instaluar Shërbimin Konsullor Dixhital. “E-konsullata”, është një praktikë për të cilën vendet fqinje, duke përfshirë edhe Italinë mike, janë shumë të lumtur që bëhet për herë të parë në një vend si Shqipëria. Kemi investuar për sa i përket infrastrukturës konsullore, duke ofruar shërbime më të sigurta. me më pak kosto, me tarifa shumë herë më të ulta. Gjatë katër viteve të ardhshme, e keni edhe në program të shkruar, mund t’ju them që do të rritet gama e shërbimeve konsullore në rreth 25 % dhe çka është më e rëndësishme, qytetarët në sportelet tona konsullore do të marrin praktikisht të gjithë dokumentacionin e kërkuar, pa pasur nevojë për të ardhur në Shqipëri, e kjo kërkon jo thjesht investim por edhe besim tek trupa që na shërben.

Brenda një viti i nënshtrohen legalizimit afro 500 mijë dokumente. Në vazhdën e dixhitalizimit, i nderuar zoti Basha, ne kemi  planifikuar që të kemi dixhitalizim të plotë e të shkojmë nga Apostille tek  “E-Apostille”. Kjo rrit cilësinë e shërbimeve dhe ul kostot duke zbatuar parimin kryesor të kësaj qeverisje, që e përcaktoi dje dhe kryeministri në programin e qeverisë, “më shumë me më pak”.

E fundit, dua t’i referohem diplomacisë ekonomike. Nuk mund të konceptohet më një shtet modern pa diplomacinë ekonomike. Ne këtu do të intensifikojmë bashkëpunimin me të gjitha institucionet e tjera, si edhe me sektorin privat. Ne do të masim punën dhe volumin e aktiviteteve të ndërmarra nga përfaqësitë tona diplomatike në raport me realizimin e këtij prioriteti madhor.

***

Një fjalë mbi strukturën. Kam dëgjuar që keni qenë shumë të shqetësuar. Më i shqetësuar dhe i shokuar ishte ish-Presidenti i Republikës. Shpresioj që shoku t’i ketë kaluar nga shpjegimi që beri dje kryeminisitri, por edhe nga unë sot.

E para, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme nuk është një zbulim shqiptar. Shihni, s’keni nevojë të kërkoni në Google, modelin francez, modelin austriak, modelin kroat para pak kohësh, modelin malazez para pak kohësh, modelin e vendeve baltike, modelin e vendeve që nuk kanë pasur asnjë strukturë të përfcaktuar sic është rasti i Hungarisë etj etj.

Megjithatë dua r’ju them dy gjëra:

E para, kush ka punuar me Johhanes Hann, zonjën Bregu nuk po e shoh në sallë, i di shumë mirë dy fjalët kyce të Bashkimit Europian:

  1. Cilësi, proces cilësor të integrimit Europian
  2. Shpejtësi.

Më vjen keq që kryetari i opozitës ende nuk i ka njohur këto, as cilësi e as shpejtësi, e në fakt janë jashtë natyrës së boshllëkut, nuk ka faj. Ne kemi racionalizuar dhe do të racionalizojmë burimet njerëzore. Do të respektojmë në mënyrën më meritokratike të mundshme çdo investim të taksapaguesve shqiptarë dhe taksapaguesve europian për sa i përket burimeve njerëzore.

Do të përpiqemi të koordinojmë më mirë, pa mbivendosje, qoftë procesin e koordinimit të brendshëm ashtu dhe bashkëveprimin me vendet anëtare në një proces që siç e dimë të gjithë mirë, po vjen e po bëhet edhe më ndërqeveritarist, ku ka vende, siç është rasti i Gjermanisë, ku Bundestagu duhet të shprehet edhe për nisjen e bisedimeve për anëtarësim apo vendeve të tjera ku shfaqin në momente të caktuara qëndrime të ndryshme për kapituj të ndryshëm. Ndaj nuk ka vend për shqetësim.

Unë do të jem këtu për sa më takon portofolit që më është besuar për të vazhduar bashkëpunimin me Komisionin e Politikës së Jashtme, me Komisionin e Integrimit Europian, me Këshillin Kombëtar të Integrimit Europian. Shpresoj shumë që do të vazhdojë një praktikë pozitive e instaluar, nën drejtimin e opozitës, gjatë mandatit të kaluar në Këshilln Kombëtar të Integrimit europian, ku diskutonim me frymë bipartizane dhe me ndërgjegje të lartë patriotike mbi çështje kryesore që impononte dinamika e procesit të integrimit europian. Do të jem në dispozicion të strukturave parlamentare së bashku me ekipin për të raportuar, për të informuar, për të bashkëpunuar dhe për të ndihmuar, shpresoj shumë, njeri-tjetrin, në arritjen e këtij objektivi kombëtar.

Është një proces që në krye të herës, Kryeministri i Republikës, të gjithë ne, e kemi konsideruar si një proces me tulla, ku secili prej nesh për të ndërtuar murin vendos tullën e tij. Prandaj lërini hartimet qe dëgjova këtu, jo vizat, jo NATO, jo njëra e jo tjetra, sepse ky është një proces me stafeta.

Mos të rrëzojmë murin e shtëpisë tonë, por të vazhdojmë ta ndërtojmë murin e shtëpisë tonë sidomos në këto kushte të vështira me të cilat përballen realitetet politike në Europëe.

E fundit që dua të them është se, sa më shpejt ta kuptojmë që kohët po ndryshojnë, që shiriti i magnetofonit nuk funksionin më për botën dixhitale për brezin e ri, për shqiptarët dhe për ambicjet e tyre për shekullin e XXI, aq më mirë do të jëtë jo thjeshtë për partinë demokratike për ne dhe për besoj për të gjithë Shqiptarët.

Faleminderit!