Postuar më: 30 Mars 2017

Ministri Bushati në Parlament

Ju faleminderit zoti Kryetar!

Të nderuar kolegë deputetë,

Po dëgjoja Benin, po lexoja dhe prestigjiozen “TIMES” – Is truth dead?.  A thua po vdes e vërteta? Meqenëse u nis fjalimi me disa fjalë rreth Francës dhe një gjesti simbolik që bëri Republika e Francës, Presidenti francez, Kryeministri i Francës ndaj Kryeministrit të Shqipërisë, besoj se ja vlen të përmendet që duhet të jemi shumë seriozë me partnerët tanimë edhe strategjikë, siç është Franca. Sepse dekorimi apo urimi që i’u bë Kryeministrit të Shqipërisë, në fakt është nder për popullin shqiptar mendoj dhe nuk e kemi luksin në këtë vend i dashur Ben, që të tregohemi cinikë apo hyzmeqarë të pendës, siç thoshte Konica shpesh. As me Republikën e Francës, as me Presidentin e Francës, as me Kryeministrin e Francës as me Kryeministrin e Shqipërisë kur përfaqëson Shqipërinë dhe shqiptarët dhe kur merr dekoratën më të lartë që mund të japë sot për sot Franca.

Po të kisha kohë dhe po të ishte kjo një temë që do të zgjonte interesin publik, mund të them se është për herë të parë në historinë e Francës që shkohet në dekorime përtej reciprocitetit, duke pasur parasysh edhe rixhiditetin dhe formalizmin që shoqëron ceremoni të tilla. Por, besoj se po aq të nderuar sa jemi ndjerë kur këtë dekoratë dhe këtë urdhër të madh e mori Ismail Kadare, po kaq, pavarësisht qëndrimeve politike e pavarësisht kampeve që përfaqësojmë, besoj se duhet të ndihemi krenarë edhe në këtë rast.

Së dyti, shpresoj shumë që të ketë qenë një cinizëm prej pakujdesisë mënyra degraduese me të cilën i kualifikove emigrantët shqiptarë. Pasi të kam dëgjuar jo shpesh këtu që ke derdhur edhe lot krokodili për votën e tyre.  Ke folur edhe kur ke shkuar në Athinë shpesh për të drejtën e tyre për të votuar dhe ke kritikuar e ke shigjetuar kush të ka dalë përpara në këtë drejtim se përse nuk i jepet e drejta emigrantëve shqiptarë për të votuar. Secili prej nesh këtu ka nga një emigrant në familje. 1/3 e shqiptarëve jetojnë jashtë atdheut, kontribuojnë dhe kanë kontribuar për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të Shqipërisë. Prandaj, gjuha paragjykuese ndaj tyre, gjuha cinike ndaj tyre, është e papranueshme për këtë sallë dhe është e papranueshme për ne,  sepse për fat të keq bëhet pjese e lojërave dhe intrigave politike këtu, në mënyrë totalisht të pa drejtë.

Së treti, kur flasim për partnerët tanë, e kam thënë edhe herë të tjera e po ta them edhe sot në mënyrë të qetë, sepse të kam ndjekur si çdo koleg por edhe si një ish bashkëluftëtar në Partinë Socialiste, një forcë e madhe progresiste, me të cilën periudhën e fundit, ke pasur luhatje të mëdha. Nga shpallja e luftës ndaj Serbisë ku bëre thirrje prej këtu se Kosova duhet të fillonte luftën ndaj saj e deri tek momentet e sotme, për sa i përket rolit të emigrantit shqiptar, edhe sikur Edi Rama ta kishte marrë këtë dekoratë apo këtë titull thjesht dhe vetëm si emigrant, besoj se do të duhet prapë të ndiheshim të gjithë të gëzuar. Edhe sikur të kishe lexuar fjalën e parë dhe një paragraf të vetëm të kryeministrit Cazeneuve të Francës, sërish duhet të ndieheshim të gëzuar.

Them se me partnerët tanë strategjikë, duhet të jemi të kujdesshëm. Nuk është si ajo tavolina ku mblidhen hyzmeqarët e pendës dhe marrin porosi se çfarë duhet të shkruajnë, si duhet të shkruajnë dhe për çfarë duhet të shkruajnë. Këtu, natyrisht nuk i referohem atyre hyzmeqarëve që me zor kanë mbaruar shkollën e mesme dhe më pas të lartën, por i referohem faktit që për herë të parë në historinë e saj, Shqipëria ka dhe një partner tjetër strategjik siç është Franca. Një vend anëtar i Këshillit të Sigurimit, një vend me fuqi nukleare, një vend që është përfshirë në çlirimin e popullsisë shqiptare të Kosovës nga gjenocidi serb, krahas vendeve të tjera. Besoj se do të ishte më mirë që të linim cinizmin dhe të thonim dy fjalë për këtë vizitë dhe ngjarje që nuk do të nguroja ta quaja historike.

Meqenëse në periudhën e fundit nuk bëj shumë dallime midis teje dhe Saliut, sepse Luli nuk është për t’u marrë në konsideratë, ndoshta të takonte sot që t’i bëje një falënderim partive popullore Evropiane, të cilat po i bëjnë thirrje opozitës që mungon në Parlament për t’u rikthyer në institucionet shqiptare, për të votuar reformën në drejtësi, për të kontribuar në procesin e integrimit evropian të vendit, për të marrë pjesë dhe për të konkuruar denjësisht në zgjedhje dhe për ta afruar Shqipërinë kësisoj në mënyrë edhe më të sigurt drejt tryezës së bisedimeve për anëtarësim, që për shqiptarët do të thotë më shumë punë, më shumë mirëqenie, më shumë progres dhe më shumë shtet.

Faleminderit!