Postuar më: 15 Dhjetor 2016

Ministri Bushati në Parlament mbi Raportin e Këshillit të Europës

Faleminderit Zoti Kryetar!

Të nderuar kolegë,

Kemi të paktën tre javë që debatojmë për një çështje që është aq e qartë sa që kur po fliste parafolësi, edhe meqenëse po i referohej aq shumë  Gjermanisë, më erdhi në mendje një frazë e një njeriu shumë të madh, shumë të mençur, Konrad Adenuer. Fondacioni këtu në Tiranë me të cilin ju bashkëpunoni shumë, thoshte: “Jetojmë në të njëjtën hapësirë por ne nuk kemi të njëjtin diapazon”.

Nuk e di pse është kaq e vështirë për të pasur të paktën një lexim për disa gjëra që janë të mirë strukturuara e të mirë përcaktuara. Çfarë ndodhi nga mbledhja e Këshillit të Ministrave të Punëve të Jashtme Europiane? Ka të paktën tre lajme të cilat, këtu parafolësi, i anashkaloi qëllimisht dhe pabesisht do të thoja.

Lajmi i parë është që Këshilli mbështet rekomandimin e Komisionit Europian për hapjen e bisedimeve për anëtarësim. Lexoje mos qesh. Lexoje mos qesh se e ke aty tekstin përpara. Lexoje e mos qesh, mos u merr me rrenacakun dixhital që ke përpara, por merru me këtë që po të them.

Mirëpret. Mirëpret dhe shënon pozitivisht rekomandimin e Komisionit Europian për hapjen e bisedimeve për anëtarësim me mirëkuptimin që Shqipëria do të zbatojë ligjin e Vetting-ut që pritet të sjellë në një sitë të hollësishme të gjithë armatën e gjyqësorit.

Së dyti, the këtu, kartoni i kuq sepse s’ka kalendar e nuk ka datë. Është mashtrim! Është mashtrim! Lexoje paragrafin deri në fund. Sikurse dihet botërisht për të gjitha vendet që janë pjesë e procesit të zgjerimit, kalendari i ardhshëm dhe vlerësimi i ardhshëm do të jetë në pranverën e 2018-ës. Çfarë thuhet për Shqipërinë? Për Shqipërinë Këshilli është i gatshëm, shpreh gatishmërinë dhe i kërkon Komisionit të vijë dhe të raportojë veçmas, sapo progresi i nevojshëm për fillimin e bisedimeve për anëtarësim të jetë përmbushur nga ana e Shqipërisë. Jua tha kryeministri qartë, nuk e kuptoj pse keni hyrë për dreq në këtë garë e cila nuk është thjeshtë e këtij parlamenti, por ka nja 20 vjet që bëhet kjo garë, a thua se atje në Bashkimin Europian mezi po presin nga 18 qershori, se kush do ta qeverisë këtë vend pas 18 qershorit. Harrojmë që me 18 qershor votojnë vetëm shqiptarët, askush tjetër. Askush tjetër. Sepse Këshilli i ka dhënë mandat Komisionit vetëm për Shqipërinë, për asnjë vend tjetër. Pjesë e paketës së zgjerimit për të ardhur në një raport, sapo kushti i vendosur të jetë i përmbushur. Tani, ka një dallim të qartë dhe më erdhi keq. Po kthehem prapë tek diapazoni dhe tek Adenauer, sepse është i vetmi që nuk e citove këtu. Më erdhi keq kur të dëgjoja! Do t’i propozoja ndonjëherë kuvendit që ta bëjmë ditë të diele, që të konkurrosh “Portokallinë”, sepse e konkurron në mënyrë të denjë.

Çfarë the këtu? Ajo ç’ ka shkruajnë partnerët tanë Europian në të gjitha llojet e dokumenteve të ndryshme, nuk është asgjë tjetër more zotëri. Kriteret e Kopenhagenit! Janë kriteret e Kopenhagenit! Një gjyqësor, the, i paanshëm, i pavarur, i drejtë, i ndershëm, larg influencës politike, por normal është kriteri i Kopenhagen që në ’93-shin. Që kur zotrote ke qenë President Republike që burgosje lider opozite, gazetarë, gjyqtarë, etj. etj. Ky është një kriter që nuk është vetëm për Shqipërinë, është për të gjitha vendet e që synojnë anëtarësimin. Kaq e thjeshtë është, pse nuk e thua.

Pika e tretë. Si ka mundësi që nuk e the? Këshilli i kërkon Komisionit, mandaton Komisionin. Sepse herën tjetër bëmë debat për printscreening, harrove ti? Po pse harron kaq kollaj? Ke aty minutat e takimit, të Parlamentit këtu, dhe i mandaton komisionin për të filluar një proces teknik me autoritetet shqiptare për të lehtësuar zbatimin e reformës në drejtësi si parakushtin për t’u ulur në tryezën e bisedimeve për anëtarësim. Tani çfarë do t’i thuash kësaj? Do t’i thuash kësaj para-screening? Thuaj çfarë të duash. Unë nuk i them aspak para-screening! Unë e lexoj Këshillin me këto tre mesazhe.

Erdhe këtu dhe më pas i ‘u referove jo dekriminalizimit, jo zgjedhjet etj. etj. Atëherë po më rikthen tek nevoja për të shpjeguar metodologjinë e një procesi vlerësimi mjaft të imët që kryen komisioni me vendet anëtare. Komisioni ka dalë me një raport në nëntëdhjetë fushat e këtij raporti, Shqipëria ka vetëm progres. Këshilli ka konfirmuar në paragrafin e parë pikërisht këtë progres. Duke u nisur nga progresi i pesë prioriteteve kyçe. Në qoftë se unë nuk jam i vërtetë në këto që them, në qoftë se unë po spekuloj për arsye politike, partiake apo dua të marr një grusht votash, atëherë dil këtu e thuaj që nuk fillon deklaratat e Këshillit, deklarata e Presidencës në fakt, me këtë që unë po them. Dhe konfirmohet progresi i qëndrueshëm i Shqipërisë, ku? Në reformën e administratës publike, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në progresin mbi mbrojtjen dhe të drejtat themelore, në besnikërinë e Shqipërisë në kuadër të politikës së jashtme të BE-së. Për të tretin vit radhazi 100%, në rolin dinamik dhe konstruktiv të Shqipërisë në rajonin tonë, në progresin për zhvillimin e ekonomisë së tregut funksional, në progresin në lidhje me të drejtën pronësore, sepse kemi pasur një debat aq të madh këtu në parlament për ligjin e ri për çështjen e pronave.

Çfarë konfirmuan tjetër vendet anëtare, se është e rëndësishme që të flasim me një gjuhë, që Vetting-u, që aq shumë e bllokon, nuk e di pse ke kaq frikë, është kyç për të intensifikuar përpjekjet në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsioni në çdo qelizë dhe në çdo nivel që Vettingu është kyç për të garantuar në mënyrë progresive. Ju referove 800-ës që përcakton një grup parlamentar në Bundestagun gjerman. Numri 800, janë të gjithë gjyqtarët duke filluar nga Kushtetuesja tek e Larta, Apeli, të gjitha shkallët të cilat do të kalojnë në të njëjtën sitë. Në të njëjtën sitë. Dihet që reforma në drejtësi do të ketë efekt kapilar edhe për krimin e organizuar edhe për korrupsionin edhe për pastrimin e skenës politike, po të duash ti! Për të gjitha elementet. Do filloj aty ku ka shkelje ligji dhe askush nuk është i parashkruar e askush nuk ka pse të ndihet i kërcënuar. Është një reformë e cila në mënyrë të pa precedentë po bëhet në mënyrë të plotë për partnerët tanë ndërkombëtarë. Shkove në Venecia, erdhi Venecia. Shkove në Gjykatë Kushtetuese, Gjykata Kushtetuese iu drejtua Venecias. Bëre të njëjtën ankesë që bëri Shoqata e Gjyqtarëve. Kurrë nuk e kam kuptuar se cili ishte interesi publik i një partie për të shkuar në Gjykatë Kushtetuese për Vetting-un.  Kurrë nuk e kam kuptuar! I kuptoj hallet që ka Sindikata në drejtësi, i kuptoj, por nuk kuptoj hallet e një partie politike që vendos me koshiencë për t’u bërë njësh, njësh me Sindikatën dhe nuk bëhet shpresë e interesave të opinionit publik. 93% e shqiptarëve na e kanë thënë të gjithëve, duam reformë në drejtësi, nuk e pranojmë Status-Quo. Fole këtu për një frymë të re që po lind për revolucionet e reja e të tjerë e të tjerë, dhe ndërsa të shihja që ke njëzetegjashtë vjet që je ti prezent, thashë: ..për çfarë fryme të re e ka ky?! Çfarë pret më ky? Domethënë nuk e kuptoja dot, nuk e kuptoja dot.

Tani të dallojmë kushtin me kriterin, jo për ty, sepse kam përshtypjen se ti këtë gjë e di! Por pabesisht, djallëzisht, ke dëshirë t’ia induktosh të gjithë grupit tënd. Çfarë bëre sot? U more natyrisht me rivalët e tu politik, u more me Saimirin, u more me Artën, u more me Gazhelin, u more me mua, i more të gjithë të gjithë... Fillove dhe njëherë, jo fëmijët, jo këtë, jo ajo e tjerë e tjerë. Bëhu serioz. Bëhu serioz se je në fund të karrierës tënde politike. Bëre zëdhënësin e Lulit. Kam tre seanca që të ndjek me vëmendje që bën zëdhënësin e Lulit. E në fakt ka një ngjashmëri të madhe. Isha në Bruksel tek miqtë e Shqipërisë, isha në panelin kryesor, si Ministër i Jashtëm e pashë që përballë aty nga treqind vetë në sallë ishte edhe kryetari i Partisë Demokratike së bashku me një deputet të nderuar këtu dhe më beri përshtypje se bëri të njëjtin stil si ty në 2012-ën, ishe në zenitin tënd të nacionalizmit. Kur shkove në Mynih në Security Conference, për të marrë vëmendje dhe për t’u shpallur nacionalisti i madh i Ballkanit, pate marrë mikrofonin nga salla dhe i bëre thirrje të gjithë shqiptarëve në rajon për t’u bashkuar. E këtu vjen dhe i referohesh konkluzionit të Këshillit në raport me fqinjin tonë dhe harron këshillin e 2012-ës e se çfarë thonin për ty. I kam këtu. I kam këtu, për retorikën tënde. Për retorikën tënde që thotë retorikë e helmatisur që shkon në kundërshtim me parimet e fqinjësisë së mirë. E kam këtë edhe për ndonjë tjetër, që nëpër rrjetet sociale merret shumë me këto gjëra, ta lexojë se unë e kam në arkivë të gjithë konkluzionet e Këshillit. Tani më thua mua që, kur të plotësohen të gjitha kriteret, atëherë Shqipëria do të ulet në tryezën e bisedimeve për anëtarësim.

E para, kjo qeveri, kjo mazhorancë, ky Kryeministër, unë si Ministër i Punëve të Jashtme, Ministri i Integrimit Europian, të cilët kemi përgjegjësinë kryesore në këtë proces dhe komunikimin kryesor me partnerët tanë, nuk kemi kërkuar discount. Kemi kërkuar një proces të holluar përsa i përket Shqipërisë. Kemi kërkuar një proces të drejtë dhe të ndershëm.

Po ju them se, me këtë vendimmarrje që kanë bërë Ministrat e Punëve të Jashtme të Bashkimit Europian, ne nuk jemi peng i kalendarit të BE-së. Kërkon datë, që komisionit t’i japësh mundësi për të shkuar tek vendet anëtare për t’i thënë që Shqipëria është gati, zhblloko Vetting-un, e hajde të kalojmë në sitë, jo ne, por trupat për të cilat është rënë dakord gjyqtarët dhe prokurorët. Në rast se kjo nuk ndodh, që thotë Komisioni Europian, hajde të ulemi prapë së bashku dhe të shohim se çfarë duhet përmirësuar më mirë. Me cilët prej vendeve të duhet për të punuar më shumë, meqenëse kjo nuk po na funksionon. E vërteta është, siç flasim tani, që ti ke një datë për një raport direkt që nuk e ka asnjë vend tjetër. E ke këtë datë. Po t’i marr unë. Ke njerëz të mençur boll në partinë tënde ende, por po të marr rekomandimet që ka bërë komisioni, a ke qenë kryeministër këtu e na thoje “Tre Ligjet” “Tre Ligjet” “Tre Ligjet”. Një pjesë prej jush keni qenë në këtë sallë, po! Atëherë, merr e krahaso! Merr e krahaso rekomandimin e komisionit Europian për vitin 2012. Gjuhën e adoptuar nga Ministrat e Jashtëm në vitin 2012, me gjuhën e adoptuar në dhjetor 2013, dhe me gjuhën e adoptuar pardje në Bruksel, për të kuptuar dallimin. E  kam këtu me vete, nëse do të jap një kopje e më pas nxirre tek rrenacaku dixhital, merru dhe me mua, ç’të duash por vetëm nxirre. Është shumë e qartë, në 2012-ën Këshilli merr shënim për rekomandimin e komisionit për t’i akorduar Shqipërisë statusin e vendit kandidat me mirëkuptimin që Shqipëria do të  miratonte tre ligjet e famshme. Në 2012-ën në dhjetor, Këshilli prapë merr shënim. Çfarë thotë Këshilli në 2012-ën? Këshilli e zgjeron gamën. Në qoftë se ai komisioni erdhi me raportin... Ai Fule, për të cilin nuk ke lënë gjë pa thënë për të, erdhi me raportin e tha “Tre ligje Shqipëria”, në mënyrë që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat. Çfarë tha Këshilli? Përveç kushteve që ishin tre ligjet, Këshilli ripërkufizoi edhe një herë tjetër konkluzionet duke vendosur në linjë me kriteret e Kopenhagenit, krimin e organizuar dhe korrupsionin. Është pjesë e drogës Flamur! Krimi i organizuar është paketë e madhe, po bëjmë diskutimin, dua që ta qartësoj këtë gjë për opinionin publik.

Po kështu në 2013-ën, kur Këshilli tha, nuk marr dot vendim për Shqipërinë në dhjetor të 2013-tës, mandatoi Komisionin Europian siç e ka mandatuar sot Komisionin Europian, për të bërë gati një raport bazuar mbi këto tre kushte që kishte vendosur në 2013-ën, sot është Vetting-u. Natyrisht është kusht i domosdoshëm, progresi në të gjitha këto kritere që janë kriteret e Kopenhagenit. Këtu do të jemi, nuk ka rëndësi se kush e qeveris këtë vend. As mbas 18 qeshorit e as mbas 4 vjetëve. do vijë dita që Këshilli do ta marrë vendimin për Shqipërinë, do fillojë negociatat për anëtarësim me Shqipërinë. Në rast se nuk do të përsëriten, por në një trajtë tjetër, sërish krimi, korrupsioni, administrata publike, liria e medias, të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, këtu do të jemi. Unë të sfidoj, ti sot dhe ai para katër viteve, je një person totalisht i ndryshëm. Unë sot në këtë sallë, pavarësisht se ma ndërpreni shpesh fjalën nga lart, dhe ai që kam qenë para katër viteve, hapi shënimet e Kuvendit, jemi njëlloj! Po të them, këto që ti i quan kritere, na i referohesh CDU-së dhe CSU-së, etj. etj. nuk ke nevojë t’i referohesh kurrkujt. Me gjithë respektin për këto trupa politikë, elektoralë të rëndësishëm në vendin e tyre. Këto janë kriteret e Kopenhagenit!

Çfarë na the këtu? Harrove të thoje dhe një gjë tjetër shumë të madhe, kompromisi politik. Unë sot kisha një rreze shprese dhe mendoja që dikush nga ju do të vinte sot këtu e do të thoshte, në radhë të parë të përshëndesim Komisionin Europian. Pavarësisht se ne mendonim, Komisioni Europian kishte bërë një raport favorizues për Shqipërinë, meqenëse ka lidhje me ju etj. etj. ato historitë që i the sot. I the sot prapë në mënyrë indirekte, gjithsesi, Këshilli konfirmoi vlerësimin dhe diagnozën që ka bërë doktori kryesor që është Komisioni Europian për pacientin që është vendi kandidat. Është koha që edhe duke pasur parasysh vështirësitë në të cilat po kalon Bashkimi Europian, mungesën e konsensusit, kompromisit, se fole këtu për 28 dhe nuk dua t’i hyj as këtij debati se mund të rrimë nga mëngjesi deri në darkë, edhe për Turqinë etj. etj. Në kushtet kur BE-ja po has këto vështirësi, kur konsensusi është gjithnjë e më i vështirë, kur tekat e vendeve të caktuara anëtare të BE-së, pavarësisht, po të citoj nëse kanë kryeçelësin, siç the herës tjetër në dy vende, tre kanë kryeçelësin apo çelësin, po e dominojnë për fat të keq axhendën e procesit të zgjerimit. Ne si Parlament Shqiptar duhet të nxjerrim mësimet tona dhe të themi, kemi bërë boll gabime në të shkuarën, nuk ka rëndësi se kush ka qenë qeveri e kush në opozitë. Kemi humbur shumë kohë! Sot është momenti të themi, ne jemi bashkë, ne duhet të përcaktojmë një pozicion konsensusi kombëtar, se si e shohim ne procesin deri në momentin që ulemi në tryezën e bisedimeve dhe se çfarë do të bëjmë në momentin kur të ulemi në tryezën e bisedimeve sepse e dimë shumë mirë që jo vetëm ne, si një vend i vogël, por edhe vende më të zhvilluara se ne, me histori më të pasur se ne, me traditë më të pasur demokratike apo me shtet ndërtimi demokratik nuk është se kanë negociuar ndonjë gjë me Bashkimin Europian. Më vjen keq që nuk kemi aftësi korrigjuese, vetëkorrigjuese për të kuptuar që ky proces me Bashkimin Europian është në fakt proces negocimi me veten tonë, me të shkuarën tonë të errët, me traditën tonë më të keqe të këtyre njëzetepesë a njëzetegjashtë viteve, që e kemi shumë të vështirë për të gjetur gjuhën e përbashkët dhe e kemi shumë të vështirë për t’i ndërtuar ashtu siç duhen këto institucione. Kjo është gjëja më e rëndësishme që duhet t’i themi njëri-tjetrit. Sot duhet të merremi me një angazhim, sesi duhet ta zhbllokojmë ligjin e Vetting-ut, se si ato para që ka vënë në dispozicion nga Departamenti i Shtetit, ato para që ka vënë në dispozicion Komisioni Europian, t’i përdorim në mënyrë sa më produktive që ky proces të fillojë dhe të pastrojë pak e nga pak të gjithë skenën publike në Shqipëri, sepse edhe këtu duhet të jetë një proces evolutiv.

BE-ja e aplikoi me Bullgarinë dhe Rumaninë mekanizmin e monitorimit post, për vendet anëtare. Fillon një përqasje të re me Kroacinë, prandaj ndodhën të gjitha ato zhvillime në një fazë shumë të hershme. Me Malin e Zi, me Serbinë dhe Shqipërinë, ka këtë përqasje. Do të ketë një përqasje edhe më agresive në kuptimin jo të keq të fjalës, me të gjitha vendet që vijnë pas nesh. Për shkak të këtyre problematikave është absurde që ne hyjmë në këtë diskutim sot.

Tani, e fundit, se besoj se këtë gjë e kam të sqaruar. Më bëj një kërkesë, por edhe po s’bëre një kërkesë, të sjell unë një dosje, i ke të qëruara të gjitha konkluzionet e Këshillit që kur Shqipëria ka filluar për të marrë EKUN e parë, atëherë kur ishte Komunitet Ekonomik Europian. Atëherë kur diskutohej personaliteti juridik i BE-së në raport me të tretët. Ke të gjitha raportet e Komisionit Evropian. Sot duhet të dilje këtu si ish-kryeministër, ish-president e të thoje: ka një lajm të keq, që procesi i zgjerimit do të jetë tetëmbëdhjetë muaj me vonesë për të gjitha vendet por ka një lajm të mirë... Le të mos ta citoj Lajçakun, s’ka problem, i citove të gjithë këto të tjerët. Si tha Lajçak-u: nuk jemi peng i kalendarit të BE-së. Si e lexoj unë këtë, jemi peng i vetvetes. Lajçaku tha: sillni raportin që i keni bërë këto kushte që ju vendosni dhe s’do të marrim shqyrtim për Shqipërinë. Kjo është çështja, dhe ne duhet të kemi vetëdijen më të fortë kombëtare kur diskutojmë këtë çështje. E di ç’ ndodhi në Sllovaki? Sllovakia ishte e gjitha me protesta para shtëpisë së Kryeministrit, para se të merrte presidencën e Bashkimit Europian. Protestat pushuan vetëm për shkak të vetëdijes kombëtare dhe vetëm për faktin që një vend ish-komunist për të herë të parë merrte timonin e BE-së. Nuk u pezullua demokracia , nuk u pezulluan akuzat, luftërat politike, etj. etj. Por ka një minimum, ka një minimum ndërgjegje kombëtare që thërritet në momente të caktuara, siç është kjo këtu.

Unë e kam shumë të kollajtë të bëhem diversant dhe të them, kam parë mes një shënimi timit dhe mes një deklarate të kryetares së Komisionit të Integrimit Europian, unë nuk shoh dallime thelbësore. Unë nuk shoh dallime thelbësore dhe bëhet fjalë për dy njerëz që të paktën në një pjesë të konsiderueshme të jetës tonë, publike, politike, profesionale e kemi shpenzuar në këtë gjë. Nuk ekzistokan mundësitë që të dyja forcat politike të fillojmë dhe ta nxisim sa më shumë këtë kulturë kompromisi e mos të bëhemi gaz në sytë e të tjerëve. Kaq pak të maturuar jemi ne për këtë proces sa të vijmë këtu dhe të lexojmë gjëra nga më të ndryshmet e mos t’i referohemi termave kryesorë?

Kam edhe dy çështje të cilat natyrisht nuk janë shumë të rëndësishme, por meqë u përmendën këtu, besoj se e meritojnë një përgjigje. E para, e kam thënë disa herë e vazhdoj ta them prapë. Asnjë nga kolegët këtu nuk është në nevojë as për mbrojtje e as për avokatinë time. Meqenëse i ‘u referove raporteve të Ministrisë së Brendshme të vendeve anëtare të Bashkimit Europian, duhet ta dish nga periudha që ke qeverisur këtë vend që raporti i Komisionit Europian është produkt i jo vetëm materialeve që vijnë nga Ministritë e Brendshme, nga Ministritë e Jashtme. Nga të gjitha llojet e organizmave të ndryshme ndërkombëtarë. E harrove ti kur i thoje Pier Mirelit që unë po i bllokoj vizat e integrimit e kur doli Pier Mireli dhe Komisioni Europian e të nxori pinok siç je. Pra, edhe unë kur isha një njeri që militoja në shoqërinë civile, edhe unë thërritesha në konsultat që bënte Komisioni Europian për këtë proces. I bindur të jesh se për shkak të detyrës e di që është procesi më i imët i mundshëm. Email-et që dërgon Kryetari, të cilit ke kohë që bëhesh zëdhënës i tij këtu, edhe ato të gjitha analizohen, mos ki merak, çdo thashethem dhe jothashethem. Ndaj, akuzat, diversionet për Ministrin e Brendshëm, për punën e Policisë së Shtetit në këtë proces i ke totalisht të pavërteta.

Duam t’i referohemi Komisionit Europian. Ky komision e vë re, evidenton trendin në rritje të konfiskimit të bimëve narkotike në Shqipëri në raport me vitin tjetër. Sipas metodologjisë së Komisionit Europian ky është një tregues suksesi për punën e policisë. A mjafton kjo gjë ? Jo!  Jo, sepse puna jonë duhet të fokusohet fort edhe tek aspektet e parandalimit. Çdo të thotë parandalim? Ne kemi ngritur një  grup pune me në krye Zv. Kryeministrin Peleshi, për të detajuar një plan të qartë masash për parandalimin e fenomenit që është shumë herë më i rëndësishëm e më i vështirë se sa konfiskimi i tij. Parandalimi i fenomenit do të thotë që në një front të jenë të gjitha partitë politikë, liderët e komuniteteve fetare, përfaqësues të shoqërisë civile, përfaqësues të pushtetit vendor për të bashkuar forcat dhe energjitë së bashku me partnerët që asistojnë dhe ndihmojnë Shqipërinë për ta përballuar këtë fenomen.

Së dyti, u more këtu dhe hodhe akuza dhe bëre një epitet të cilit për hir të së vërtetës nuk i shkon fare gjuhës së një ish Kryeministri apo ish Presidenti, për ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Turqi, për zotin Gent Gazheli. Nëse ke një çështje me të, në qoftë se ke diçka me kredencialet e tij publike, drejtohu Prokurorisë dhe besoj se ai do të jetë atje për të dhënë përgjigje. Drejtohu gjykatave. Por mund të them vetëm një gjë. Kjo qeveri ka një standard tjetër, kur krahasoj Gent Gazhelin, i cili ka bërë një punë shumë të lavdërueshme në drejtim të Agjencisë Kundër Pastrimit të Parave. Për herë të parë Shqipëria doli nga monitorimi i Këshillit të Europës për sa i përket pastrimit të parave. Në rast se nuk i beson fjalëve që po të them, shko dhe fol me partnerët tanë e kryesisht me ata amerikanë, se çfarë pune të dedikuar ata kanë bërë në fushën e pastrimit të parave për të realizuar këtë sukses të prekshëm për atdheun tonë të përbashkët. Standardi ynë i përcaktimit të ambasadorëve duke u nisur nga Turqia është diametralisht i kundërt me standardin tuaj. Ti zotëri emërove në Turqi një person me precedent penal për të cilin kishte një vendim të formës së prerë në 2008-ën, ndërsa ne kemi dërguar në Turqi një person i cili ka marrë një certifikatë për shkak të punës tij serioze në atë agjenci e cila shpresojmë që të jetë një motiv më i madh për të, për të kryer me sukses punën dhe përfaqësimin e Republikës së Shqipërisë në Turqi.  Kur bën akuzat këtu, duhet të jesh më i kujdesshëm sepse një mandat ambasadori është të paktën tre firma. Firma e Presidentit, Kryeministrit dhe Ministrit të Jashtëm. Zotëria në fjalë është dekretuar nga Presidenti i Republikës për të shërbyer në atë vend. Shumë kollaj për të hedhur akuza për njerëz që nuk janë në sallë. Ndaj them që duhet të jemi shumë të kujdesshëm në këtë pikë.

Unë as nuk të kam burim frymëzimi, as burim krahasimi, as model etj. etj. Me të thënë të drejtën, kur kam ndjekur intervistën tënde të fundit në Top Story dhe ku pa t’u dridhur qerpiku s’kishe asnjë brejtje ndërgjegje për ata katër qytetarë shqiptarë të pafajshëm që shteti i vrau tek gardhi i Kryeministrisë, kur me qetësinë më të madhe deklarove që siç në ’93-shin burgose liderin e opozitës ishe i gatshëm të vrisje edhe liderin e opozitës për pushtetin tënd personal. Të them të drejtën kur e pashë kryetarin, zëdhënës i cilit ti je, që krahasoi konkluzionet e Këshillit me diktaturat afrikane, kam përshtypjen se ai të kishte ty në mend. Po ta them shumë qartë duke të parë drejtë e në sy, që nuk kam asnjë lloj adhurimi e asnjë lloj modeli, as autokratët, as për atë në Gambia që s’pranon tranzicionin etj. Këtyre modeleve referohu dhe mos u krahaso me modelet e gjeneratës së re. E di që e ke pishman të madh, por do të jesh gjithmonë i humbur.

Faleminderit!