Postuar më: 26 Janar 2017

Ministri Bushati në Parlament mbi zhvillimet e fundit në rajon

Faleminderit zonja drejtuese e seancës,

Të nderuar kolegë deputetë.

Nuk kisha ndërmend ta merrja fjalën por meqenëse këtu u hodhën disa teza të cilat të paktën në leximin tim ishin teza që godisnin valët populiste në disa prej vendeve të Bashkimit Europian dhe më pas, për fat të keq më duket se ramë edhe ne në grackën e pupulizmit kur folëm për skenarë të ndryshimit të kufijve në Ballkan dhe për pozicionime që duhet të ndërmerrnim, u detyrova të flas.

Kjo sallë i ka lejuar vetes në këto njëzetepesë vite gjëra nga më të ndryshmet, sidomos kur vjen puna për politikën e brendshme. E kam thëne disa herë dhe vazhdoj të jem kritik duke përfshirë edhe veten time për aq kontribut sa kam në politikë që ne, kemi dështuar sistematikisht për të përcaktuar rregullat minimale të lojës dhe 30 vite më pas nga rënia e regjimit komunist ende vijmë në këtë sallë dhe recitojmë rezoluta të partive simotra tona të cilat, lenë hapësirë mediatike apo televizive vetëm në Shqipëri dhe e kemi shumë të vështirë për të përcaktuar rregullat më minimale. Edhe më të vështirë duket se e kemi për sa kohe politikën e jashtme po tentojmë ta përdorim në funksion të interesit të ditës, kur mendojmë që veprimet në politikën e jashtme apo veprimet në emër të shtetit shqiptar mund të bëhen të gjitha thjesht dhe vetëm duke shkruar diku, duke vendosur një status interesant në një prej mediave sociale, duke ardhur dhe duke bërë politikë në parlament apo duke zëvendësuar edhe funksionet kryesore që mund të ketë shteti dhe që në politikë të jashtme si në çdo vend të botës edhe në Shqipëri ekzekutohen, formulohen nga ekzekutivi.

Parlamenti normalisht ka një rol mbikëqyrës, inkurajues, shpotitës në raste të caktuara për ekzekutivin, por me një kusht të vetëm, të paktën në politikë të jashtme, duhet të ndajmë faktet nga interpretimi. Fakt është që Shqipëria, i dashur Ben, është vend kandidat që në qershor të 2014-s. Është e pavërtetë ajo që thatë që Shqipërisë i ‘u refuzua statusi i vendit kandidat. Fakt është, i dashur Ben se ka një rekomandim të qartë si drita e diellit që edhe kur kam ardhur në komision të politikës së Jashtme të kam ftuar për të lexuar një rekomandim i cili u konfirmua plotësisht, jo me konkluzionet e këshillit për shkak të situatës brenda në BE, por me deklaratën e presidencës së Bashkimit Europian.

Fakt është që diskutimi që kemi bërë këtu, të paktën unë me Sali Berishën, për sa i përket procesit të printscreen-it. Procesi i paraekzaminimit të negociatave në Shqipëri po fillon këtë pranverë me kapitujt 23 dhe 24. Fakt është që BE i ka dhënë një kalendar të qartë Shqipërisë për sa i përket nisjes së bisedimeve për anëtarësim. Fakt është që Shqipëria është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor në paketën e zgjerimit që nuk ka pse të presë 2018-n kur do të dalë dhe kur do të publikohet raporti i ardhshëm i procesit të zgjerimit. Detyrat janë të thjeshta, janë të qarta dhe janë të mirëpërcaktuara.

Fakt është që për të tretin vit radhazi, sipas vlerësimit të Komisionit Europian, Shqipëria është një vend i cili dëshmon progres të vazhdueshëm në të paktën 90 fusha që përmend raporti i Komisionit Europian dhe fakt është që për sa i përket fushave që kanë të bëjnë me sundimin e së drejtës në ekonomi, Shqipëria paraqitet me të njëjtat rezultate me vendet që janë në tryezën e bisedimeve për anëtarësim.

U fol këtu për Shqipërinë një vend anëtar në NATO dhe për fat të keq ngatërrohet nevoja për të pasur ekspertizë dhe dije për të arritur dhe për të diskutuar për disa çështje, me talentin për të rrëfyer disa çështje të caktuara. Këto janë dy gjera shumë të ndryshme dhe unë dua qe t’i dalloj këto dy gjëra.

Fakt është që Shqipëria në gjuhën e Sekretarit Amerikan të Shtetit është vendi mentor në Ballkanin Perëndimor dhe në Europën Adriatike për sa i përket vendeve të tjera që duan të anëtarësohen dhe duan të kenë një marrëdhënie me familjen euro – atlantike. Fakt është që Shqipëria është ndër vendet e para të renditura në koalicionin anti-terror. Fakt është që Shqipëria ka kontribute të qenësishme në këtë koalicion. Fakt është që Shqipëria ka dëshmuar përcaktueshmëri të qartë në dallim nga shumë prej fqinjëve si për sa ai përket linjëzimit të politikës së jashtme, meqenëse këtu u fol për personalizim të politikes së jashtme dhe politika e jashtme nuk matet, edhe një herë po them, me talentin për të rrëfyer një gjë apo një gjë tjetër dhe për ta interpretuar në funksion të nevojës politike apo elektorale, por me fakte te cilat për fatin tonë të mirë janë aty dhe janë të skalitura.

Fakt është që Shqipëria dhe së fundimi Mali i Zi janë të vetmet vende që linjëzojnë 100% politikën e tyre të jashtme me atë të Bashkimit Europian. Fakt është që Shqipëria ka kontribut në Afganistan, në Irak, në Ukrainë. Fakt është që në Shqipëri, NATO po merr vendimin për të themeluar qendrën për ekstremizmin e dhunshëm që do të ketë elementet e ndërveprimit me botën e shoqërisë civile, me drejtuesit e komuniteteve fetare për ta përballuar ketë fenomen edhe nga pikëpamja e elementeve soft që i mungojnë botës sepse sot për sot, përqendrimi kryesor ka qenë tek natyra e reformimit të legjislacionit të institucioneve.

Fakt është që nuk ka asnjë vend tjetër si Shqipëria që t’i ketë qëndruar pranë vijimësisht dhe kjo është një konstante e politikës sonë të jashtme, shprehje e qartë e interesit tonë kombëtar, nuk i ka qëndruar asnjë vend më pranë Kosovës siç mund t’i qëndrojë Shqipëria, pavarësisht muskujve dhe pavarësisht trurit që ka në dispozicion Shqipëria. Përsa i përket edhe ngjarjeve që kanë ndodhur së fundmi në Kosovë, nuk është aspak e vërtetë që Shqipëria s’ka pasur reagim. Shqipëria ka një reagim dhe në momente të caktuara ky reagim mund te vijë nga nivele të ndryshme të shtetit shqiptar.

Përsa i përket ekzekutivit, përgjithësisht siç e ka edhe bota , është Ministria e Jashtme si në rastin konkret, mund të jetë zyra e Kryeministrit, mund të jetë zyra e Presidentit, pra ka institucione te ndryshme të cilat reagojnë dhe mbajnë qëndrim për një çështje në kuptimin publik, sepse në kuptimin diplomatik në kanale zyrtare edhe pse je anëtar i Komisionit të Politikës sonë të Jashtme, nuk më ka ardhur ndonjë kërkesë për informacion për të kuptuar më shumë se ç’farë është bërë në këtë drejtim, sepse, i dashur Ben, për çështjen e trenit apo për çështjen e murit në Mitrovicë, ka pasur një takim në NATO, ku Shqipëria mban qëndrim dhe ku Shqipëria punon në këtë drejtim. Me Pandeli Majkon kam pasur edhe një bisedë për këtë çështje, pra për personat që kanë pasur një lloj interesi për të kuptuar se si mund të funksionojë mekanizmi diplomatik dhe se si mund të koordinohet për t’u shtyrë përpara me partnerë, me miq. Besoj se po të ishte ky interes nga ana juaj, unë do t’ua kisha vënë të gjithë informacionin në dispozicion. Më pas natyrisht do të ishte e drejta juaj për të gjykuar, për të komentuar, në rast se kjo punë është bërë siç duhej të bëhej apo duhej bërë edhe më mirë, apo nuk e di se si.

Fakt është që Shqipëria ka qenë në kontakt me autoritet më të larta të BE-së dhe për këtë çështje jam në dispozicion për t’ju dhënë gjithë informacionin që mund të doni për takimet që janë zhvilluar në këtë drejtim. Natyrisht, Shqipëria ka qenë dhe do vazhdojë të mbështesë procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por të thuhet këtu që Edi Rama sheqerosi marrëdhënien me Serbët në kurriz të Kosovës, më e pakta që mund të them është e pa vërtetë. Nuk po ja lejoj vetes për të bërë komente të tjera meqë jemi në një fushe ku interesi kombëtar dhe interesi shtetëror duhet të prevalojnë. Sepse që në nisje të procesit të normalizimit të marrëdhënies së Shqipërisë dhe Serbisë, sepse ishte marrëdhënie ku nuk kishte normalitet, ku nuk kishte shkëmbime vizitash, Shqipëria ka mbajtur një qëndrim sipas të cilit, normalizimi i marrëdhënieve Shqipëri-Serbi varet edhe nga ecuria e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi që në gjykimin tonë do të duhej të përfundonte jo thjesht me zbatimin e marrëveshjeve të rëna dakord, por edhe me procesin e pajtimit ndërmjet Kosovës e Serbisë, që në finale do të çonte në njohjen e ndërsjellët. Fakt është që Shqipëria e ka mbajtur këtë pozicion dhe ka kontribuar për stabilitetin demokratik në rajon dhe ka inkurajuar jo thjesht Kosovën por edhe të gjithë aktorët që kanë zë në këto procese për të cilat ne flasim rreth këtij qëndrimi.

Më erdhi keq i dashur Ben që nuk përmende Maqedoninë, sepse minimalisht prisja që të thoje edhe një fjalë për Maqedoninë dhe për rolin e politikës së jashtme shqiptare në funksion të nxitjes së një kohezioni më të madh politik të shqiptarëve në Maqedoni dhe këtu i dashur Ben, duhet të kishe bërë edhe një dallim mes konstruktivitetit dhe qartësisë e parashikueshmërisë që e karakterizon politikën e jashtme shqiptare në raport me fqinjët. Besoj se mund t’ju ketë bërë përshtypje fakti që sot, mes Maqedonisë dhe Serbisë ka një debat, saqë pikat e kalimit kufitar në Serbi e kanë ndryshuar emrin nga Maqedoni në FYROM, siç e thërret Greqia.

Besoj se mund t’ju këtë bërë përshtypje gjithashtu qëndrimi i Bullgarisë për qëndrimet në Maqedoni. Deklaratat që kanë ardhur këto ditë nga Greqia në raport me atë ç’ka po ndodh në Maqedoni. I vetmi partner luajal i Maqedonisë, i stabilitetit demokratik, i investimit të partnerëve Euroatlantikë për stabilitetin demokratik në Maqedoni është Shqipëria, në qëndrime të qarta zyrtare, krahas natyrisht nxitjes së një kohezioni më të madh politik të faktorit shqiptar atje. Unë këtu gjej rastin të përshëndes qëndrimin e ish Kryeministrit Sali Berisha për sa i përket këtij procesi, i cili nuk ka qenë një proces i lehtë, por ka qenë një proces, i cili është ndërtuar bazuar mbi bindjen tonë të plotë që shqiptarët janë dhe do vijojnë të mbeten promotorë të stabilitetit demokratik në rajon dhe promotorë të proceseve të integrimit euro-atlantik.

E kemi përshëndetur atë platformë politike edhe për faktin se bashkon në një dokument të vetëm, krahas nevojës për të zbatuar marrëveshjen e Ohrit, edhe disa elementë të rëndësishëm jetik për ardhmërinë Euroatlantike të Maqedonisë, që jo domosdoshmërisht mund të ketë të bëjë me të drejtat e shqiptarëve që jetojnë në Maqedoni. Në këto kohë të turbullta, siç thotë me të drejtë Loro Fabius, bota po bëhet gjithnjë e më tepër zero polare, në këto kohë kur fqinjët e ndryshëm mund të tentojnë të çiftëzojnë teatralitetin me viktimizimin në politikën e jashtme, Shqipëria do të vijojë të mbetet në kursin e saj, në kursin Euroatlantik, prandaj ky kuvend është i lutur të bëj rezoluta, të ndërtojë mekanizma që e kontrollojnë më mirë mënyrën se si ushtrohet apo formulohet politika e jashtme, të japë kontributin e vet më të mirë.

Nga kjo foltore është shumë e rëndësishme të ndajmë populizmin me përgjegjësinë që duhet të marrë secili. Skenarët për kufijtë, skenarët për luftërat, skenarët se çfarë duhet të bëjë Shqipëria, nuk janë të denja për këtë foltore. Shteti është një mekanizëm i ftohtë, politika e jashtme është edhe më e ftohtë dhe fjalën e fundit nuk mund ta themi kurrë të parën. E vetmja gjë që duhet të biem dakord me njëri-tjetrin është për të fuqizuar këtë trajektore e cila ka që nga rënia e regjimit komunist në Shqipëri që po forcohet dhe duhet të vijojë të forcohet sepse interesat e Shqipërisë dhe interesat e shqiptarëve në rajon janë shumë më të rëndësishme se sa karriget tona dhe se sa lufta jonë politike këtu.

Faleminderit.